Nga jeta e tribunit të Pavarësisë Ismail Qemal Vlora në Francë

Nevoja e vendosjes së një pllake përkujtimore në ndërtesën kur për disa vite, ai jetoi në Nisë të Francës


Nga Luan Rama

Ismail Qemali apo Plaku i Vlorës, siç dhe hyri në historinë shqiptare, i përkiste atyre intelektualëve shqiptarë të epokës së Rilindjes e më pas, tek i cili idetë e Revolucionit Francez ishin për të udha e vetme nga duhej të ecte shoqëria shqiptare, e cila ende përjetonte zgjedhën otomane që prej afro pesë shekujsh.

Për këtë politikan, burrë shteti e diplomat të njohur në kancelaritë e Evropës, Parisi ishte metropoli i diplomacisë evropiane, pra dhe i kushtoi një rëndësi të veçantë kontakteve me kryeqytetin francez. Por lidhjet e tij me Francën ishin të herëshme, që nga rinia e tij, kur do të studjonte frëngjishten në liceun « Zosimea » në Janinë dhe në atë të Selanikut. « Llampa që ndriste mbi djepin tim, – do të shkruante ai në kujtimet e tij, – mbahej nga një statujë e Napoleonit të Madhërishëm ».

Ismail Qemali kujton me nostalgji konsullin francez në Selanik Edouard Grasse, mikun e babait të tij Mahmut bej Vlora, i cili kishte marrë pjesë bashkë me gjeneralin Fabvier në Revolucionin Grek dhe e njihte familjen e tij që kur kishte qenë në Janinë. Ai do ta takonte prapë atë, kur familja e tij syrgjynosej nga perandoria osmane nga Shqipëria drejt Ohrit, Manastirit e pastaj në Selanik. « Kur Grasse mori vesh se po mbrinim, ai na doli përpara me karrocë dhe na dërgoi në shtëpinë që ishte përgatitur për ne.

Nderimet dhe mirësjellja e këtij njeriu të shkëlqyer ngjallën kureshtje të madhe dhe çudi në popullatën turke të qytetit. Ata nuk arrinin të kuptonin se si një familje muslimane si jona të mos fliste turqisht, dhe si mund të ishim miq të afërt me një konsull të krishterë. Gjatë qëndrimit tonë tri vjeçar në Selanik ne jetuam nën mbrojtjen direkte të një konsulli kaq fisnik… Mbaj mend që një ditë Qahja beu, kryetari i kabinetit të Guvernatorit të Përgjithshëm, erdhi të na nxirrte jashtë nga shtëpia dhe të na merrnin me vete. Grasse nxitoi menjëherë dhe na ndihmoi që të mos lëviznim. Një tjetër herë, kur nëna ime ishte sëmurë nga tifo dhe i rrezikohej jeta, Grasse erdhi dhe i vulosi të gjitha dollapet e baulet dhe mori përsipër që të ishim nën mbrojtjen e francezëve. »

Këto kujtime të Qemalit, tregojnë qartë se ai u rrit në një familje fisnike e me tradita. Në vitet e para të shekullit XX, Ismail Qemali ishte një nga protagonistët kryesorë në luftën dhe lëvizjen e « xhon-turqve », apo « turqve të rinj » për përmbysjen e qeverisë otomane të sulltanit Abdyl Hamitit dhe reformimin e shtetit të perandorisë. Më 1907, bashkë me disa politikanë të tjerë turq, ai niset për në Paris për të organizuar një kongres të fshehtë që do të hyjë në histori me emrin « Kongresi i xhonturqve ». Ismail Qemali njihej ndërkohë si një reformator, i cili kërkonte evropianizimin e Turqisë dhe shëmbjen, qoftë dhe me dhunë të pushtetit anadollak të sulltanit. «Vështirësia e mbajtjes së Kongresit, – kujton më vonë Ismail Qemali, u përballua në sajë të miqësisë që kishim me Zotin Lefevre, i cili vuri në dispozicionin tonë apartamentin e tij në «Avenue Trocadero ».

Mbledhja e parë u bë pikërisht në sallonin e madh të « monsieur » Lefevre. Takimet e tjera u zhvilluan në shtëpinë e princit Sabba Edin, në « Boulevard Malsherbes », ku dyzetë delegatë, përfaqësues të të gjithë kombësive të perandorisë turke, morën pjesë për disa ditë rradhazi…Në fillim patëm vështirësi, sepse qeveria franceze, si rezultat i ndërhyrjeve të ambasadorit turk, nuk jepte leje për mbajtjen e një kongresi të tillë, por gjithçka u kalua në sajë të ndihmës së zotit Lefevre ». Më 1908 shqiptarët ishin ngritur me armë dhe kërkonin shkëputjen nga Turqia. 10 mijë kryengritës ishin grumbulluar në Ferizaj të Kosovës. Në ato ditë, Qemali i dërgon një letër ministrit francez Pichon, ku ndër të tjera i shkruan : «Pa një Shqipëri të organizuar mirë, të bashkuar e të fortë, nuk mund të ruhet ekuilibri i popujve ballkanikë. Popullit shqiptar duhet t’i njihet ekzistenca e tij nacionale dhe t’i jipen mjetet për zhvillimin e tij e që në bashkëpunim me popuj të tjerë të mund të ecë në rrugën e përparimit ».

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 dhe krijimit të qeverisë së parë shqiptare me kryetar Ismail Qemalin, Shqipëria do të kalonte furtuna të tjera të mëdha. Më 1913 konferenca e Londrës do të përcaktonte fshehurazi kufijtë e Shqipërisë, duke e gjymtuar kështu trungun e kombit shqiptar. Më pas do të vijë kryengritja fshatare e Haxhi Qamilit, për kthimin e Shqipërisë nën flamurin e Turqisë, ushtritë e Esat Pashës zbresin deri në Durrës ; krijimi prej tij i një qeverie tjetër ; ndarja e Shqipërisë më dysh dhe ardhja e Princit Vid, do bëjnë që ai të detyrohet të largohet nga ajo skenë mjaft e nxehtë politike. Pikërisht në këtë kohë, Ismail Qemali do të kalonte një nga periudhat më të vështira të jetës së tij si politikan.

Kryesore për të ishte ruajtja me çdo kusht e unitetit të vendit, që Shqipëria të mbetej një dhe e pandarë, qoftë dhe duke u larguar nga pushteti. «Një mbrëmje, – shkruan ai në kujtimet e tij, – rreth fundit të marsit të vitit 1913, morëm vesh se një anije që mbante një flamur britanik ishte ankoruar në port dhe kishte lajmëruar se bllokada e Greqisë ndaj Vlorës ishte pezulluar. Natyrisht, ishim të lumtur për ngjarjen. Të nesërmen në mëngjes më njoftuan se anija në fjalë ishte jahti i dukës Montpensier, vëllait të vogël të dukës së Orleanit (që mbahej si trashëgues i fronit të Skënderbeut pas kaq brezash). Më pas erdhi dikush me një letër të dukës, i cili më shkruante se kishte ardhur që të vendoste kandidaturën e tij për Fronin e Shqipërisë. Gjithashtu ai më ftonte të hanim mëngjesin në jaht. Shkova dhe gjatë mëngjesit ai më foli për qëllimin e tij.

I thashë se si unë ashtu dhe populli im do të ishte i kënaqur të kishte një Princ të familjes mbretërore franceze, por nisur nga situata e vështirë politike e Shqipërisë dhe mosnjohja e saktë, për shkak të bllokadës, të politikës së fuqive evropiane, kjo gjë bëhej e vështirë. Më 22 janar 1914 Ismail Qemali preferon të japë dorëheqjen dhe t’ja kalojë pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit që ishte ngritur nga Fuqitë e Mëdha për verifikimin e kufijve. Ky protokoll u nënshkrua prej tij dhe përfaqësuesve të këtij komisioni. Pas kësaj, bashkë me familjen ai u nis për në Nice, në jug të Francës. Plaku i Vlorës, njeriu fisnik që e shpalli Shqipërinë më vete e të pavarur, ndjehej tashmë më i lodhur dhe më i zhgënjyer se kurrë.

Prill, 1915. Buzë detit, brigjeve të ngrohta të Mesdheut, vështrimi i tij tretej tutje horizontit, në drejtim të brigjeve shqiptare. Një shqetësim dhe një ankth i madh e mundonte. Pas luftrave ballkanike, ja tashmë « Lufta e Madhe », apo siç do të quhej më vonë « Lufta e Parë botërore », ku Shqipëria do të kthehej në një shesh të vërtetë lufte. Në atë kohë, qeveria franceze i jepte një ndihme modeste, por në fakt ai që do ta ndihmonte bujarisht ishte markizi Auletta Kastrioti, një tjetër pretendent i fronit të Shqipërisë. Në këtë periudhë, Esad Pasha, i vetëquajtur kryetar i qeverisë shqiptare, ka zbarkuar në Selanik, bashkë me një grup ushtarakësh, pranë shtatmadhorisë së «L’Armée d’Orient» të gjeneral Sarrail. Madje francezët kishin dhe një ministër përfaqësues, apo këshilltar, pranë Esad Pashës, duke shpresuar se ai do të luante kartat sipas dëshirës së Fuqive të Mëdha.

Më 1918, kur lufta kishte ardhur drejt fundit të saj dhe kur po përgatitej mbajtja e një konference paqeje në Paris, shqiptarët e Amerikës kërkuan që Qemali ti përfaqësonte në këtë konferencë. Papritur, në maj të vitit 1918, familja Vlora, përmes prefekturës së Marseille, merr urdhër të largohet nga Franca. Me sa duket për diplomatët dhe politikanët (ministri Aristidh Briand do ta cilësonte Ismail Qemalin « një pensionist të padobishëm për Francën »), ky personalitet ishte bërë shqetësues. Kështu ai detyrohet të largohet në Spanjë dhe pas një kohe në Peruxhia të Italisë, ku qeveritarët italianë e mbanin me shpresë se do ta dërgonin në Paris në « Konferencën e Paqes ». Kur e kuptoi se italianët e kishin thirrur atje për ta izoluar, ai nisi të përgatitej të shkonte me çdo mënyrë në Paris. Më 23 janar 1919, në Peruxhia, organizon një konferencë shtypi me gazetarë, por sapo fillon kjo konferencë, në mënyrë enigmatike, ai bie në prehërin e vdekjes. Një ditë më vonë, zemra e tij ka pushuar së rrahuri.

Kështu largohej « Plaku i Vlorës », atë prag të vitit 1919, në udhëtimin e tij imagjinar dhe të shumëpritur drejt Parisit, për të mbrojtur çështjen shqiptare.

Ismail Qemail një politikan që vlerësonte rolin e shtypit

Ismail Qemali ishte nga ata politikanë i cili që në vitet e para te shekullit XX e kuptoi rëndësinë e mediave, çka tregon se në këtë periudhë prej dy dekadash ai ishte i pranishëm jo vetëm ne mediat franceze më të rëndësishme por dhe në mediat europiane, ato austriake apo italiane që interesoheshin nga afër per ngjarjet ne Ballkan dhe ne Shqiperi.

Në kujtimet e tij ai shkruan fare pak për deklaratat e tij dhe intervistat që ka dhënë në shtypin francez, në gazetat qëndrore si Le Parisien, Le Matin, L’Excelsior, Le Siècle, etj. Ai kishte marredhënie të shkelqyera me gazetarët francezë, çka, çdo ardhje e tij në Francë gjente gjithnjë një jehonë mediatike të madhe, në gazetat franceze, përmes korrespondenteve të tyre në Vjenë, Londër, Romë, etj që i bënin jehonë qëndrimeve të tij politike. Eksperienca e tij politike, kultura e gjerë, njohja e problemeve politike që kalonte perandoria turke si dhe Europa, pra këto njohje gjeopolitike e gjeostrategjike e bënin atë një interlokutor spikatës dhe mjaft interesant per mediat. Cdo ardhje e tij në Paris reflektohej dhe në mediat franceze.

Madje kjo edhe para vitit 1912. P.sh. mes të tjerave, në 29 korrik 1908 gjejmë një intervistë të tij në gazetën « Echo de Paris ». Kjo gazetë i referohet ardhjes së Ismail Qemal Vlorës në Paris edhe më 13 korrik 1909, nën titullin « La question ballkanique ». Në 12 korrik 1912ë është gazeta « Le Figaro » që boton një intervistë të gazetarit André Duboscq me të ku ai jep mendimet e tij për gjendjen e perandorise turke dhe nevojen e largimit të Sulltanit nga pushteti, pra reformimin e Turqisë si dhe nevojën e një Shqipërie të pavarur. « Unë jam shqiptar dhe i njoh dëshirat e shqiptarëve, – thoshte ai. – Ata nuk do ti dorëzojnë armët derisa kërkesat e tyre nuk do të plotësohen.”

Shpallja e Pavarësisë në 28 nëntor të vitit 1912 gjeti një jehonë të gjerë dhe në shtypin francez. Por Ismail Qemali do të ishte prezent edhe në shtypin e mëvonshëm. Interesante është dhe një « Declaration d’Ismail bey» pra e Qemal Vlorës botuar në gazetën « Le Siècle » më 26 dhjetor 1912 pra një javë pas shpalljes së Pavarësisë ku ai shprehet : « Populli shqiptar është i lumtur të konstatojë se të gjitha Fuqitë e Mëdha e kanë njohur të drejtën tonë për të jetuar në pavarësi dhe të gëzojmë të mirat e qytetërimit. Jemi të bindur se gjithë Evropa do të interesohet për fatin tonë dhe do të na integrojë sërish në territorin tonë kombëtar, i cili, kompakt dhe i bashkuar do të përbëjë një bazë për rendin dhe ekuilibrin në interes të popujve ballkanikë dhe të paqes në Evropë ». Kjo platformë politike tregon se Qemal Vlora ishte një burrë shteti qe e shihte fatin e Shqipërisë të lidhur ngushtë me Evropën dhe një Ballkan të paqtuar.

Para se të nisej në Londër për të mbrojtur çeshtjen shqiptare që do diskutohej në Konferencën e Londres, ai jep një intervistë dhe në gazetën « Le Matin » të 29 prillit 1913 duke u shprehur hapur kundër politikës anti-shqiptare të Esat Pashë Toptanit, i cili pretendonte të vihej në krye të një Shqipërie edhe të coptuar dhe që të ishte ai që ta drejtonte (ambicje që do ta tregonte dhe më vonë kur detyroi Princ Vidin të largohej, duke shpallur një lloj principate me kryeqytet Durrësin). Edhe gazeta e nesërme e Le Matin e 30 prillit, do ti referohej përsëri mendimeve politike të « atit të Pavarësisë » për të ardhmen e Shqiperisë.

Më 24 janar, atij i referohet gazeta “Le Journal” ndërsa në 26 janar 1914, pra në kohën që i detyruar nga politika esadiste dhe kaosi politik që ai krijoi, Qemali dha doreheqjen duke ia lënë pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, të Fuqive të Mëdha, në gazeten « Le Matin » kemi një tjetër jehone rreth Ismail Qemal Vlores.

I dëshpëruar nga gjendja në të cilën u gjend Shqipëria nga presionet e jashtme dhe veçanërisht përçarjet e vetë politikanëve shqiptarë, Qemal Vlora vendosi të shkojë në Nice të Francës bashkë me familjen, gruan dhe djemtë dhe të instalohet atje me ndihmën e Aulota Kastriotit, një intelektual me emër dhe me një bibliotekë tê jashtëzakonshme në Paris rreth historisë së vjetër shqiptare për çka e vlerëson dhe studjuesi i madh francez Emile Legrand. Më 6 shkurt 1914, ai gjendet në Nice dhe jep një intervistë tjetër për gazetën “Excelsior”.

Në 8 nëntor të vitit 1915 nën titullin “Les Albanais et la Guerre », në gazeten « Le Matin », Qemal Vlora deklaron se « Populli ynë është i gatshëm të luftojë. Lufta është mjeshtëria e tij e parapëlqyer ». Në këtë deklaratat ai nënvizonte se në kushtet e vështira të luftës dhe të pushtimit të vendit, Shqipëria e njohur si shtet më vete më 1913 e kishte humbur pavarësinë e saj, sepse ishte shtrënguar nga të gjitha anët prej serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve.

Duke qenë në Francë ai shfrytëzoi rastin dhe u përpoq të ndikonte në qarqet diplomatike të saj, që të përkrahnin çështjen shqiptare. Për këtë i bënte thirrje Francës që me qëndrimin e saj në favor të Shqipërisë ajo mund t’i bëjë miq të besës (shqiptarët) që të jenë gati ta ndihmojnë në çdo rast. Shqiptarët theksonte ai nuk do të dyshonin që t’i përgjigjeshin thirrjes së Francës në rast se ajo, do të merrte parasysh dëshirat e saj dhe të siguronte pavarësinë e Shqipërisë në Jug dhe në Veri. Ismail Qemali duke mos qenë në dijeni të përmbajtjes së Traktatit të Fshehtë të Londrës, të cilët i kishin coptuar tashmë trojet shqiptare, krijoi një besim tek aleatët e Antantës, fitoren e të cilëve e shikonte më të mundshme pasi ishte hera e pare qysh nga fillimi i luftës që ato u kujtuan të llogarisnin edhe forcën e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe të mendonin se duhej dalë para kësaj me një deklaratë mbi të ardhmen e Shqipërisë.

Më 1916, në kohën e Luftës së Parë Botërore apo “La Grande Guerre » siç quhej në atë kohë, ishte gazetari i « Christian Science Monitor » në Paris që realizoi një intervistë me të lidhur mbi fatin e ardhshem të Shqipërisë. Ismail Qemali ishte një mbrojtës imadh i çeshtjes shqiptare. Ai nuk mungonte tu drejtohej me letra kryeredaktorëve te gazetave të rëndesishme franceze, por edhe personaliteteve më të larta politike të Francës siç ishte presidenti i Republikës, Parlamenti apo Senati francez. Ai shprehet shprehimisht se “Esat Pasha është tradhëtar dhe i çmendur”.

Në maj të vitit 1918 Ismail Qemali u njoftua të largohej nga Nice e Francës në një ndërtesë « hausmaniane » në 2, Rue de Lepante (në kujtim të betejës së Lepantos) dhe më vonë mërgoi në Spanjë së bashku me familjen. Siç kujtonte i nipi, Ismail Vlora, ato çaste ai u tregoi të bijve, Et’hemit dhe Qazimit një histori personale por që nuk na vjen nga kujtimet e vetë Ismail Qemalit: « Vite më parë, më 1871, kur francezët bënin protesta për çështjen e Alsas-Lorenës, Ismail Qemali, i ftuar dhe i shoqëruar nga Viktor Hygo e Klemansoi, kishte marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Francez, pas mbledhjes kishin darkuar në një lokal. Klemansoi, i befasuar nga kultura e Ismail Qemalit, e kishte pyetur: “Si është e mundur që ju dini kaq shumë për vendin tim, ndërsa ne e njohim shumë pak vendin tuaj?” Dhe Ismail Qemali ia kishte pritur: “Kështu ndodh z. Klemanso, sepse ju francezët keni 500 vjet që e merrni baltën dhe e fryni e krijoni heronj, ndërsa ne shqiptarët heronjtë tanë i kemi kthyer në baltë…”.
Por një është e rëndësishme gjithashtu : në ndërtesën ku për disa vite ka jetuar Ismail Qemal Vlora në Nisë, duhet vendosur një pllakë kujtimore, pasi në atë apartament atje, Qemali vazhdoi aksionin e tij politik për mbrojtjen e çështjes shqiptare.

Arti në luftë!

Mbi 300 vizatime e fotografi të ekspozuara në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Kurator studiuesi Mehmet Gëzhilli.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Arti në luftë!

Mbi 300 vizatime e fotografi të ekspozuara në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Kurator studiuesi Mehmet Gëzhilli.