Kryeministri Li në Davos dhe roli jetik i Kinës në ekonominë globale

Takimi i 54-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror u zhvillua nga 15-19 janar në Davos të Zvicrës. Tema e këtij viti ishte “Rindërtimi i besimit”.


Nga Dr.Marsela Musabelliu

Takimi i 54-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror u zhvillua nga 15-19 janar në Davos të Zvicrës. Tema e këtij viti ishte “Rindërtimi i besimit”, dhe që në titull kuptohet mangësia e madhe në bashkëpunimin ekonomik botëror. Më shumë se 2800 pjesëmarrës nga më shumë se 120 vende, rajone dhe organizata u mblodhën në Zvicër, duke bërë së bashku mbi 300 figura publike, më shumë se 60 krerë shtetesh dhe qeverish, mbi 200 ministra dhe afro 1600 drejtues biznesi. Takimi i Davosit luan një rol të rëndësishëm si një platformë për diplomaci dhe bashkëpunim, përtej elementit ekonomik.


Kryeministri Li Qiang në Forumin Ekonomik Botëror(Foto:Xinhua)

Një delegacion i nivelit të lartë dhe i profilit të spikatur nga Kina mori pjesë në Davos, i kryesuar nga Kryeministri kinez Li Qiang, i cili mbajti një fjalim të posaçëm ku bëri thirrje për bashkëpunim global në fusha të ndryshme për të rindërtuar besimin. Ai tha se ekonomia e Kinës parashikohet të rritet me 5.2% në vitin 2023 dhe se po bën një rimëkëmbje të qëndrueshme, duke u zotuar se do të vazhdojë të hapë ekonominë e Kinës dhe tregun e saj për bizneset globale. Pavarësisht presionit të jashtëm dhe vështirësive të brendshme, ekonomia e Kinës u rimëkëmb vitin e kaluar dhe kjo është arritur pa stimuj masiv nga qeveria dhe pasqyron “bazat e mira dhe solide të vendit në zhvillimin e tij afatgjatë”.

Më tej në fjalim u nënvizua rëndësia e Kinës në zinxhirin e furnizimit botëror, fuqia prodhuese dhe kalimi nga dividenti i punës në dividentin e talenteve. Li theksoi rolin udhëheqës të teknologjisë së lartë në nxitjen e rritjes së vendit, duke përmendur tregun e tij të gjerë dhe urbanizimin e vazhdueshëm si shtytësit kryesorë të zhvillimit të mëtejshëm. Kina ka një treg jashtëzakonisht të madh me kërkesën e brendshme që po merr terren me shpejtësi. Kina do të vazhdojë të ofrojë një skenë të madhe për biznese dhe talente të ndryshme. Përballë kërkesës së dobët globale, tregu është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm, dhe ai kinez me hapësirën e tij të madhe dhe rëndësinë në rritje, do të luajë një rol parësor në rritjen e kërkesës agregate globale.

“Ne kinezët besojmë se përfitimet duhet të jenë të ndërsjella. Zhvillimi i vërtetë është zhvillim për të gjithë” – u shpreh Li. Në Davos, liderë politikë, të biznesit dhe të shoqërisë u mblodhën për të diskutuar se si të rindërtohet besimi, dhe kryeministri kinez ofroi një plan me pesë pika, duke përfshirë koordinimin e politikave makroekonomike, specializimin ndërkombëtar industrial, bashkëpunimi në inovacion, bashkëpunimi në zhvillimin e gjelbër dhe bashkëpunimi veri-jug dhe jug-jug.

Li paralajmëroi për thellimin e deficitit të besimit, duke thënë se mungesa e besimit po përkeqëson rreziqet për rritjen ekonomike globale dhe zhvillimin paqësor, duke vënë në dukje shumë raste në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe ku besimi i ndërsjellë minohet nga vullneti i njërës palë. Ai paralajmëroi se nën ndikimin e krizave globale, nëse vendet janë të fragmentuara në betejat e tyre, ekonomia botërore do të bëhet më e brishtë.

Në Davos, kryeministri kinez u takua edhe me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ku u shpreh se Kina shpreson se BE-ja mund të mbajë drejtësi në adresimin e çështjeve ekonomike dhe tregtare Kinë-BE për të promovuar më tej marrëdhëniet e biznesit. Shpresohet që BE-ja të mbështesë pajtueshmërinë dhe transparencën në çështjet ekonomike dhe tregtare. Kina u zotua të vazhdojë të nxisë një klimë biznesi të orientuar nga tregu, të bazuar në ligj dhe të ndërkombëtarizuar dhe e gatshme të punojë me BE-në për t’iu përmbajtur së bashku normave bazë që rregullojnë ekonominë e tregut, tha Li.


Kryeministri Li Qiang takohet me znj.Ursula von der Leyen(Foto:Xinhua)

Sipas Klaus Schwab, themeluesi dhe Kryetari Ekzekutiv i Forumit, në fjalët e kryeministrit, shihet një mesazh domethënës në përgjigje të dyshimeve në lidhje me aftësinë e Kinës për të trajtuar sfidat ekonomike globale. Ai beson se fjalimi i kryeministrit kinez Li Qiang mbi perspektivat ekonomike të Kinës dhe rolin e saj në ekonominë globale gjatë forumit do të kontribuojë shumë në rikthimin e rritjes ekonomike, jo vetëm në Kinë, por në mbarë botën.

Në Davos kryeministri i Kinës shpalosi edhe projeksionet për të ardhmen e vendit të tij. Në dekadën e ardhshme, urbanizimi në Kinë do të krijojë kërkesë të madhe në sektorë të tillë si strehimi, arsimi, kujdesi shëndetësor dhe kujdesi për të moshuarit. Dhe 300 milionë njerëz të tjerë pritet të migrojnë nga zonat rurale në ato urbane dhe në këtë mënyrë të nxisin potencialin për investime në përmirësimin e infrastrukturës së transportit urban dhe telekomit, duke krijuar mundësi të reja për institucionet financiare vendase dhe ndërkombëtare.

Ҫfarë Li shpalosi në Davos është modernizimi i stilit kinez. Modernizimi evoluon me kohën dhe realitetin; mund të marrë rrugë të ndryshme sipas kushteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ashtu si realiteti i çdo vendi është i ndryshëm, ritmi dhe rruga drejt modernizimit janë të ndryshme, pra, ai përfshin variabël të ndryshëm që i gjithë ekuacioni i modernizimit të jetë i plotë.

Në festimin e 100-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Kinës, Presidenti Xi Jinping propozoi “Modernizimin e stilit kinez”, qëllimi kryesor i të cilit është arritja e prosperitetit të përbashkët për të gjithë. Arritja e prosperitetit të përbashkët kërkon balancimin e drejtësisë dhe efikasitetit. Drejtësia dhe efikasiteti janë çështjet thelbësore të zhvillimit ekonomik dhe fokusi i reformave të mëdha sociale. Realizimi i unitetit të drejtësisë dhe efikasitetit është një qëllim i rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie tregu socialiste në Kinë.

Duke aplikuar një filozofi të re zhvillimi, autoritetet e Kinës theksojnë zhvillimin ekonomik, politik, kulturor, social dhe ekologjik të ndërthurur, si komponentë kyç të modernizimit kinez, i cili është në përputhje me përmbushjen e aspiratave të njerëzve për një jetë më të mirë. Ky besim vjen nga një historik rezultatesh pozitive dhe ideja e konsoliduar se lidershipi i vendit ka një mision dhe një vizion, për arritje të mëtejshme dhe zhvillim për kombin.

Kjo epokë e re po i paraqet botës një komb të gatshëm për të punuar me njerëzit dhe vendet e tjera, për të mbështetur vlerat e përbashkëta të njerëzimit për paqen dhe zhvillimin, duke promovuar vazhdimisht ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për të gjithë.


Foto:VCG

Në nxitjen e bashkëpunimit pragmatik me të tjerët, Kina është bërë një partner kryesor tregtar për mbi 140 vende dhe rajone dhe po udhëheq botën në vëllimin total të tregtisë së mallrave. Ndërsa bota po përballet me sfida të paprecedentë, është e qartë se angazhimi i Kinës ndaj komunitetit global është intensifikuar. Një Kinë e modernizuar do të krijojë shumë më tepër mundësi për botën, duke qenë e angazhuar për thellimin e reformave, hapjen dhe ndjekjen e zhvillimit me cilësi të lartë.

Së fundmi, theksi i kryeministrit kinez në rindërtimin e besimit global, forcimin e bashkëpunimit dhe vërejtjet për stabilitetin dhe hapjen e ekonomisë së Kinës, ndihmojnë në injektimin e një ndjenje sigurie dhe pozitiviteti për një botë që është rrënuar nga një rënie e rëndë ekonomike dhe konflikte në rritje gjeopolitike. Mbështetja e Kinës për një ekonomi të hapur botërore është në kontrast të fortë me anti-globalizimin dhe proteksionizmin në rritje të udhëhequr nga vende të tjera dhe rimëkëmbja e qëndrueshme e ekonomisë kineze po ofron një shtysë të madhe për rritjen globale.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Katër marrëveshjet e arritura në Samitin Ballkani Perëndimor-BE

Na ulja e kostove të transaksioneve bankare te korsitë e gjelbra

Global 360

Rezoluta e PE: Mungesa e suksesit në dialogun Kosovë-Serbi dëmton besueshmërinë e BE-së

PE-ja i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta ndryshojë qasjen në dialog, në mënyrë që të ketë përparim.

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

“La dolce vita”, një kontrapunkt aktual edhe i shoqërisë sonë

Një botë kukullash, një botë teatri. Botë që duket në dritë, po që s'ka më dritë.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Katër marrëveshjet e arritura në Samitin Ballkani Perëndimor-BE

Na ulja e kostove të transaksioneve bankare te korsitë e gjelbra