Luan Leka: Mjeti kryesor për të frenuar emigracionin është rritja e pagave

Për kompanitë e fokusuara në tregun e pakicës, viti 2022 nuk ka qenë i lehtë


Për kompanitë e fokusuara në tregun e pakicës, viti 2022 nuk ka qenë i lehtë. Inflacioni, që arriti nivelin më të lartë nga viti 1998, ndikoi negativisht në blerjet e konsumatorëve.

Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GMBH, me aktivitet në përpunimin e mishit, zinxhirin e supermarketeve Conad, prodhimin e ujit etj., pohon se një faktor i rëndësishëm që ndikoi në frenimin e rritjes së mëtejshme të çmimeve ishte forcimi i Lekut.

“Megjithëse çmimet në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2023 u rritën 8-10%, për konsumatorin shqiptar, çmimet e produkteve nuk u rritën, falë mbrojtjes që pati nga ‘Leku i fortë’.

Është e lehtë të demonstrohet se si një Lek i fortë i mbron të gjithë ata që paguhen me këtë monedhë”.

Z. Leka shton se, rritja e çmimeve gjithsesi nuk e pengoi kompaninë të vazhdonte investimet, ku më kryesori ishte vendosja në funksionim e linjës së re teknologjike në stabilimentin Nr.2 në Qafështamë, e cila rrit me 70% kapacitetin prodhues.

Grupi po diversifikohet dhe në eksport, si një mjet për të zbutur pasojat e ndryshimeve demografike në vend.

 

Si ka qenë ecuria e kompanive të grupit gjatë vitit 2022 dhe pjesën e deritanishme të 2023? Nëse mund të jepni disa shifra përmbledhëse për ecurinë e grupit (të ardhura totale, rezultatin financiar, investimet, punonjësit, etj.)?

Vitin 2022 do ta kujtojmë si një periudhë të pazakontë, me probleme të gjeneruara nga një inflacion dyshifror, që goditi të gjithë tregjet ndërkombëtare, pa përjashtuar tregun tonë.

Megjithatë, rezultatet ekonomike demonstruan që këtë situatë e administruam mjaft mirë, duke mos i ndërprerë investimet e programuara si dhe me rritje të prodhimit dhe shitjeve.

Të ardhurat nga shitja arritën vlerën 9,001,736,624 lekë, ose rreth 78 milionë euro, vlerësuar me kursin mesatar të këmbimit, duke shënuar një rritje prej 14%, kundrejt vitit të mëparshëm.

Por nëse e korrigjojmë rezultatin me indeksin e inflacionit, rritja në sasi rezulton më e ulët, vetëm 4.8%.

Sidoqoftë, ky rezultat rezulton konform objektivave të fillimit të vitit. Gjithashtu, edhe rezultati financiar ishte konform buxhetit. Fitimi para tatimit rezultoi 1,160,735,854 lekë.

Programi i investimeve vazhdoi i pandryshuar kundrejt planifikimit.

Investimi më i rëndësishëm ishte vendosja në funksionim e linjës së re teknologjike në stabilimentin Nr.2 në Qafështamë, e cila rrit me 70% kapacitetin prodhues dhe krijon mundësinë për realizimin e disa produkteve të reja.

Kemi vazhduar gjithashtu investime për rinovimin e teknologjisë dhe për zgjerimin e rrjetit të retail. Aktualisht, Grupi EHW ka 365 punonjës, duke shënuar rritje të vendeve të punës prej 3% kundrejt një viti më parë.

Për periudhën 8-mujore të 2023, rezultatet vazhdojnë të jenë konform objektivave, duke pasur rritje tendenciale rreth 5%

 

Cilat janë pritshmëritë për periudhën në vijim dhe 2023?

E përmenda që 2022-shin do ta kujtojmë “si vit të inflacionit”. Kujtojmë që viti filloi me rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 70% dhe vazhdoi menjëherë më pas me rritjen e çmimit të karburanteve.

Me fillimin e luftës në Ukrainë, shpërtheu në zinxhir rritja e çmimeve të lëndëve të para, në një nivel mesatar rreth 20%, por në raste të veçanta, edhe 60% (çmimi i mishit të bardhë të pulës, lënda e parë bazë për prodhimin e proshutave të pulës).

Për shkak të varësisë që kemi nga importi, ndikimi që sollën këto rritje çmimesh ishte i fortë dhe i menjëhershëm. Duke konsideruar faktin që lëndët e para zënë rreth 2/3 të kostos totale, ishim të detyruar të rrisim çmimet, gjithmonë në një nivel inferior kundrejt rritjes së kostos së prodhimit.

Cili ishte efekti? Në fazën e parë pati një tkurrje të tregut dhe rënie të shitjeve, më pas tregu u stabilizua dhe në përfundim të vitit arritëm rezultatet ekonomike konform buxhetit të fillimvitit.

Sipas meje, kjo do të thotë që ai target-grup konsumatorësh të cilët u referohemi, shtresa me të ardhura të mesme e të larta, i rezistoi rritjes së çmimeve.

Po ashtu, edhe një shtresë me të ardhura më të ulëta, vazhdon të bëjë zgjedhjen në favor të produkteve ushqimore më cilësore e më të sigurta.

Për fat të keq, edhe viti 2023 filloi me inflacion të lartë, me rritje të çmimeve veçanërisht në tregjet europiane në masën 8-10%.

Por në këtë kontekst, dëshiroj të vë në dukje diçka vërtet pozitive, që me gjithë këtë rritje të çmimeve të importit, ne kemi arritur të mos rrisim çmimet e produkteve, bile në disa raste t’i ulim.

Si është arritur kjo? Faktori kryesor, i cili ndikoi që kjo situatë të kalohet me sa më pak pasoja ishte forcimi i Lekut kundrejt valutave referuese të tregjeve ndërkombëtare, Dollarit Amerikan dhe Euros.

E përmend këtë fakt, mbasi është trajtuar gabim problemi si “dobësim apo zhvlerësim i Euros”. Në fakt, Euro nuk është zhvlerësuar, por ka ruajtur patjetër të njëjtën vlerë kundrejt valutave të tjera referuese. Është “Leku” ai që është forcuar.

Si ta interpretojmë këtë, si një të mirë, apo një të keqe?

Në opinion pothuajse është mallkuar ky fenomen, sipas meje pa të drejtë:

Është e vërtetë që një monedhë e fortë dëmton eksportet, por në një vend si ky i yni, që shumë më tepër importon sesa eksporton, një monedhë e fortë ndihmon konsumatorin.

Shembuj që e vërtetojnë këtë ka shumë, por unë po përsëris atë çfarë përmenda më lart:

Megjithëse çmimet në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2023 u rritën me 8-10% për konsumatorin shqiptar, çmimet e produkteve nuk u rritën, falë mbrojtjes që pati nga “Leku i fortë”.

Është e lehtë të demonstrohet se si një Lek i fortë mbron të gjithë ata që paguhen me këtë monedhë.

Ndërkohë, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, parashikoj edhe për periudhën në vijim të vitit 2023, një ecje si ajo e deritanishme, pa rritje çmimesh dhe me një tendencë rritje të prodhimit dhe shitjeve rreth 5%.

 

Sa problem është bërë për ju gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe si po e zgjidhni (nëse keni) problematikën e mungesës së personelit?

Është padyshim evidente, vështirësia për të gjetur fuqi punëtore, si të kualifikuar, por edhe të pakualifikuar. Shkaku është më se i qartë: largimi i të rinjve për në vendet e pasura, për një perspektivë jete më të mirë.

Kjo është padyshim një e drejtë e gjithsecilit. Çfarë mund të bëjmë ne si biznese për frenimin e këtij fenomeni? Mendoj se mjeti kryesor që do të ndikonte është rritja e pagave.

Por, e kemi të gjithë të qartë se rritja e pagave do të sillte kosto plus për biznesin, i cili do të duhej të shiste produktin me çmime më të larta, duke ulur aftësinë konkurruese.

Dhe në një treg të lirë, ku produkti i importuar hyn pa taksa, ndërmarrja që nuk arrin të shesë, mbyllet. Mbyllja shkakton papunësi dhe humbje të investimit.

Një rritje e pagave e pastudiuar mund të sjellë pasoja të pakthyeshme.

Konkretisht, ne në dy vitet e fundit i kemi rritur pagat mesatarisht 15%. E kemi lehtësuar disi problemin, por jemi shumë larg zgjidhjes.

Personalisht mendoj se, për të zbutur në vazhdimësi problemin e fuqisë punëtore, duhet që të dy aktorët, biznesi dhe shteti, të sakrifikojnë diçka.

Le të shohim një rast konkret, atë të një punëtori të kualifikuar, me pagë neto 100,000 lekë

 

Siç shihet, punëtori i kushton ndërmarrjes 48% mbi pagën neto. Nga kjo vlerë, 27% i paguan punëtori si kontribute për sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe tatim mbi pagën.

Nëse shteti do të bënte sakrificën e uljes së ngarkesës fiskale në këto para, ndërmarrja do t’i kalonte pa dhimbje të madhe në xhepin e punëtorit.

Nëse edhe biznesi do të bënte të njëjtën sakrificë, atëherë një rritje e menjëhershme e pagave neto në nivelet 15-20% do të bëhej e mundur.

Duke qenë se ju jeni të përqendruar në retail, si kanë ndikuar në ecurinë e aktivitetit ndryshimet demografike (emigracioni, plakja graduale e popullsisë) dhe si pritet të ndikojnë në të ardhmen?

Core business (aktiviteti kryesor) i EHW mbetet gjithnjë prodhimi i pandarë nga distribucioni dhe retail-i. Fenomeni i emigracionit që po jetojmë ndikon padyshim në uljen e konsumit dhe zvogëlimin e tregut.

Për fat të keq, as rritja e pagave nuk është bërë në nivelet që të kompensonte diçka me rritjen e fuqisë blerëse.

Fenomeni negativ demografik zbutet, nëse arrijmë të dalim me sukses në eksport, që duhet të përbëjë një objektiv në të cilin duhet të këmbëngulim.

Në dy vitet e fundit, veç eksportit në Kosovë, kemi filluar me Malin e Zi dhe Serbinë. Shifrat, deri tani, janë inkurajuese, megjithëse pa shumë peshë në bilancin e përgjithshëm.

Cilët janë sektorët që shihni më me potencial për të investuar në të ardhmen?

Sektori i turizmit në bregdet po tërheq masivisht investimet. Rritja progresive e numrit të turistëve paraqet një garanci për këtë sektor. Megjithatë ky sektor, i lindur praktikisht pak vite më parë, paraqet disa problematika që duhen kapërcyer.

Problem kryesor do të cilësoja kalimin nga një turizëm “low cost” në një turizëm “elitar”.

Procesi kërkon veç ndërtimit të strukturave moderne, edhe kualifikimin e shërbimit për një kategori turistësh me kërkesa më të larta, pa përjashtuar politikat e respektit ndaj mjedisit, duke filluar me atë të thjeshtën “zero mbeturina rrugëve” dhe duke vazhduar me më të vështirat siç janë “zero ujëra shkarkimesh të papërpunuara në det”.

Mendoj që këto masa janë të domosdoshme për të rritur vlerën potenciale natyrore të vendit dhe për të përmirësuar rendimentin e investimeve. Prodhimi i energjisë së pastër nga impiantet fotovoltaike është një fushë tjetër që premton siguri në investime.

Ndërsa investimet në industrinë përpunuese të të gjitha llojeve do t’i konsideroja me perspektivë, nëse do të konceptoheshin për të prodhuar jo vetëm për tregun e brendshëm, por me projektimin për të eksportuar.

Ju jeni përqendruar edhe në industrinë përpunuese. Sa e vështirë është të bësh biznes në këtë segment?

Të ndërtosh industrinë përpunuese është një proces i vështirë, por në të njëjtën kohë, i domosdoshëm për një vend.

Nevojiten investime të rëndësishme dhe know how, të cilat mund t’i blesh, por për t’i zbatuar duhet zotëruar një kulturë industriale e investitorëve, menaxherëve, teknikëve e punëtorëve.

Nga ana tjetër, vetëm përpunimi industrial i shton vlerën produktit. Është kjo vlerë e shtuar që çon në pasurimin e vendeve dhe popujve.

Ndër kategoritë e përpunimit industrial do të veçoja industritë e përpunimit të lëndëve të para dhe, edhe më prioritare do të konsideroja industritë ushqimore, të domosdoshme për zhvillimin e çdo vendi.

Në rastin tonë ndeshim një vështirësi të shtuar, atë të operimit në një treg tepër të vogël. Nga ana tjetër, për të qenë konkurrues me produktet e importuara, duhen bërë investime të kushtueshme në makineri dhe teknologji, të pajustifikuara nga shitjet e produktit që mundëson një treg i tillë.

E thënë ndryshe, duhet të projektojmë investimet për të realizuar produkt për eksport.

Për këtë të fundit, marka “made in Albania” nuk ndihmon, edhe për faktin që vendi ynë ka një legjislacion të sigurisë ushqimore që nuk ofron të gjithë elementet e sigurisë të legjislacionit të BE-së.

Për këtë arsye del si nevojë e domosdoshme përputhja e legjislacionit tonë të kësaj materie me atë të BE-së.

Si do ta vlerësonit ecurinë e mjedisit për të bërë biznes në vend, si ka ndryshuar në vite?

Në vitet e fundit është shënuar një ndryshim pozitiv në ambientin për të bërë biznes, që lidhet me reduktimin e tregut informal. Ndryshimi erdhi si efekt i suksesit të fiskalizimit dhe sidomos i rritjes së peshës specifike të rrjeteve të supermarketeve në tregun retail.

Ky faktor nxit padyshim aktivitetin dhe rritjen e bizneseve që operojnë në respekt të ligjit.

Por që ky proces të çohet në fund është e nevojshme të rishikohen ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit të vogël, të përjashtuar nga pagesa e TVSH, i cili përbën një bazë informaliteti ku fshihen edhe biznese të vogla.

Nga ana tjetër, do të konsideroja dy faktorë për të vlerësuar mjedisin për të bërë biznes: ligjet dhe frymën e inspektimeve.

Kam mendimin që shumë ligje kanë karakter tepër ndëshkues për bizneset dhe nuk u japin hapësirë të drejtave të tyre. Janë krijuar dhjetëra inspektorate shtetërore, që në vend të një fryme bashkëpunimi me biznesin, dominohen nga fryma e ndëshkimit me çdo kusht.

Kur një pjesë shumë e rëndësishme e bizneseve, është konsoliduar, paguan rregullisht detyrimet, investon, besoj që meriton të trajtohet me më shumë respekt dhe frymë bashkëpunimi.

Konkretisht, ne kemi një ministri për marrëdhëniet me biznesin.

Do të ishte shumë e dobishme që kjo ministri të krijonte një model të marrëdhënies shtet-biznes, duke krijuar një filtër ku të kalonin të gjitha ligjet me ndikim mbi veprimtarinë ekonomike.

Mjafton që për këtë qëllim të krijohej një komision miks, me përfaqësues të ministrive propozuese të ligjeve dhe përfaqësues të zgjedhur nga biznesi.

Mendoj se krijimi i një strukture të tillë do të ndihmonte për një mjedis më të mirë për të bërë biznes, i cili padyshim do të stimulonte investimet dhe do të rriste efektivitetin e tyre.

Marrë nga Monitor.al

Lexo më shumë nga

Rama: Shqiptarët, fuqi e madhe ekonomike në Greqi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, shqiptarët janë fuqi e madhe në Greqi.

Global 360

Baku Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026

Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, është emëruar Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026 nga Federata Evropiane e Kryeqyteteve dhe Qyteteve…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Kthehuni në Itakë!

Sot në Athinë, ne pamë se kjo diasporë nuk ka më nevojë të shtohet por të kthehet në atdhe.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Rama: Shqiptarët, fuqi e madhe ekonomike në Greqi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, shqiptarët janë fuqi e madhe në Greqi.