I lavdëruar në çdo gjuhë të botës dhe i sharë në shqip dhe rusisht

Edi Ramës, po i jepej një rast i artë, po i ofrohej podiumi më i lartë diplomatik i planetit


Nga Pëllumb Kulla

I LAVDËRUAR NË ÇDO GJUHË TË BOTËS DHE I SHARË SHQIP DHE RUSISHT

Kam një kënaqësi të pamatë, që javë dhe javë më parë, pata parathënë, se Edi Ramës, po i jepej një rast i artë, po i ofrohej një podium, podium më i lartë diplomatik i planetit, ku ai me shumë gjasa, do të shkëlqente me talentin e tij gjithnjë dhe më të ndritshëm në figurshmëri dhe në përballjet qit e prit.

Dhe fati po e ndihmonte këtë drejtues të radhës së Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB me praninë e sigurt të presidentit hero, Zelenskit, që në krye të popullit të vet po udhëheq përballjen e agresionit gjakatar, pushtues.
E presidenti shqiptar i KS, do të kishte nderin historik t’i jepte atij të drejtën e fjalës së shumëpritur.
Dhe më tej, nuk u shtyva dot në parashikime dhe parathënie. Nuk e mora dot me mend që kryeministrit tonë karizmatik, fati do t’i sillte përballë protestat e përfaqësuesit të vendit agresor, që zhurmëronte se ukrainasit po i jepej kjo mundësi qarjeje… E që pastaj, do të piqej rasti drithërues që Rama ynë të shqiptonte thënien lapidare, me ngarkesë përrallore:
“Ndaleni luftën dhe unë nuk do ta le Zelenskin të flasë!”
Të thënat e legjendave nuk janë kurrësesi të përditëshme. Shprehjet e mëdha, ato, që hyjnë në historitë e kombeve dhe nderojnë thënësin dhe vendin që ai përfaqëson, janë magjike, duken si metafora, ftojnë për veprime të pamundura, duken si shprehje të çmendura, por që mbeten legjenda pikërisht për këtë pamundësi. Ne e pranojmë të thënën “ai i hyri detit me këmbë”, por e pranojmë atë për forcën e saj figurative. Do ta mbajmë mend edhe kërkesën e pamundur të Edi Ramës “Ndaleni Luftën!”
E pra, pa këta dy elementë, pa praninë aty të Zelenskit dhe pa ankesën e ministrit të jashtëm rus, kryesimi shqiptar i KS, nuk do të ishte memorabël. Do mbetej i zakonshëm, mbase një rutinë e thjeshtë.

Sinqerisht do të lumturohesha, nëse sot, kundërshtarët politikë të Ramës në Tiranë, do të gdhiheshin buzagaz dhe të entuziazmuar, ashtu sikurse gdhihen përditë të vrerrosur nga bëmat që i faturojnë atij burri që u ka zënë diellin! Do të bëhesha me krahë po qe se do t’i shihja për herë të parë ta përgëzonin atë burrë për këtë shprehje epike përrallore, për fjalët e mëtejshme në dobi të afirmimit të përsëritur e përsëritur, të pavarësisë së Kosovës.
Mendoja se do ta përshëndesnin për mbrojtjen e fisme të ministrit Osmani, atij shqiptari tjetër nga RV e Maqedonisë, pritur me nderime në sallat e OKB-së.
Do të ishte një fisnikëri e lartë, një mrekulli, një vargëzim çudirash që nuk i ka parë ky komb.
Por jo! Me këto specie ekzistuese politike, kjo nuk mund të ndodhte. Dhe nuk ndodhi. E kundërta ndodhi. Një ish ministër i jashtëm buzëpërveshur deklaroi se Shqipëria me kryesimin e Ramës dje …kishte humbur shumë! Një burrë tjetër, më famëkeq akoma, me shumë “ish-e” përpara, pështyu mbi veprën e djeshme të shqiptarëve. Ishte bash ai, që ca ditë të shkuara arriti e tha publikisht se “fitorja e kombëtares së futbollit kishte gëzuar mbarë popullin shqiptar dhe vetëm dy fytyra ishin parë që nxinin nga hidhërimi: fytyra e Ramës dhe e Silvinjos, trainerit që fitoi!”
Epo, për nder është një fatkeqësi epokale të jesh bashkëkohës dhe bashkëkombas me njerëz kaq të mjerë dhe të lerosur!
As këtë herë për atë që ndodhi në OKB?! Po gëzon shtypi i mbarë botës e ata nuk gëzojnë?! As në këtë rast?! Bëra një shëtitje në twitter. Mbushur twitteri plot fjalë lavdëruese, në të gjitha gjuhët e rruzullit! Por kishte edhe shumë të shara dhe mallkime për Edi Ramën. Ato të shara binin fort nē sy, ngaqë ishin vetëm në rusisht dhe në …shqip! Në ato shqipet hasje hera herës edhe dialektin kosovar! O Zot! I mjerë ky vend!…
Por, le të gëzoj unë dhe ata mijëra e milionëra si unë, për këtë episod historik në Nju Jorkun amerikan!
Nga mbrëmë do të më mbeten të gdhendura në kujtesë, ai bashkëpunimi I kujdesshëm nga pas i ambasadorit tonë të shquar Ferit Hoxha, tek ndihmonte me sugjerime dhe materiale të printuara kryeministrin e tij. Vetë Feriti me stafin e tij të pakët në numër, por të palodhur, pat bërë një punë të lavdërueshme përgatitore për këtë ditë të rrallë. Mirënjohje atyre!
Do të më mbetet, sigurisht, e pashlyer figura e ndritshme e Zelenskit, me atë veshje emblematike, me ngjyra ushtarake në tryezën e Këshillit të Sigurimit, fjala dhe mirënohja e bukur e tij.
Lufta nuk u ndal dhe ai foli! Nuk më mbetet veç ta uroj, që ta dëgjoj kur të flasë atëherë. Atëherë, kur ai në krye të popullit të tij do ta ketë ndalur luftën në Ukrainën e çliruar nga hordhitë perandorake të Moskës.

Protestat kundër ndarjes së re territoriale, Rama: Bashkitë të shprehen me shkrim, vendimi pas konsultimit 60-ditor

Kryeministri, Edi Rama, reagoi sot ndaj kundërshtimeve për propozimin e Partisë Socialiste për reformën administrativo-territoriale, duke i cilësuar si normale…

Global 360

I nxehti ekstrem përfshin SHBA-në, mbi 60 milionë njerëz në alarm

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat në shumë zona pritet të kalojnë 38 gradë Celsius, ndërsa lagështia e lartë do…

Diplovista

Rama për ”Corriere della sera”: Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë

Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë, deklaroi kryeministri Rama për prestigjiozen italiane ”Corriere della sera”.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Protestat kundër ndarjes së re territoriale, Rama: Bashkitë të shprehen me shkrim, vendimi pas konsultimit 60-ditor

Kryeministri, Edi Rama, reagoi sot ndaj kundërshtimeve për propozimin e Partisë Socialiste për reformën administrativo-territoriale, duke i cilësuar si normale…