G20/G21: përgjegjësi të përbashkëta, role të diferencuara

Nga perspektiva e Kinës, G20 është një platformë shumë unike sepse përfshin edhe vendet me fuqi mesatare dhe vende që janë në zhvillim.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Pavarësisht dallimeve mes qytetërimeve, orientimeve, ndoshta edhe vlerave, G20 mundohet të koordinojë ekonomitë kryesore të botës dhe të kërkojnë terrene për zhvillim. Samiti i G20 i këtij viti – zhvilluar në Indi – duket se kishte në qendër idenë për të adresuar përçarjen globale. Forumi supozohet të jetë një platformë ose një mekanizëm ku dialogu bëhet piketa kryesore për të tashmen dhe të ardhmen.

Në fakt, pesha gjeopolitike dhe ekonomike e vendeve të G20 është e padiskutueshme. Anëtarët e G20 përfaqësojnë më shumë se 80% të totalit ekonomik të botës, 75% të tregtisë globale dhe mbi 60% të popullsisë së botës. Përgjegjësia është e jashtëzakonshme po ashtu si rëndësia që kanë këto vende për mbarëvajtjen e qeverisjes globale. Çfarë bota pret nga takimet e G20 është që vendet të punojnë në mënyrë konstruktive për zhvillimin, klimën, teknologjinë, lehtësimin e borxheve, me pak fjalë, pritshmëri dhe ndoshta pak shpresë për të ardhmen e të gjithëve.


CFP

Qëndrimet e Kinës në G20

Nga perspektiva e Kinës G20 është një platformë shumë unike sepse përfshin edhe vendet me fuqi mesatare dhe vende që janë në zhvillim. Përveç OKB-së është i pari grupim shtetesh që merret shpesh për referencë në konsultime botërore. Fokusi i Kinës këtë vit ishte kryesisht në dy fusha, rimëkëmbja ekonomike dhe qeverisja globale. Takimi i G20 këtë vit në Indi kishte disa fjalë kyçe nga Kina si gjithëpërfshirja, bashkëpunimi dhe rritja e multilateralizmit ose aplikim i multilateralizmit të vërtetë. Në fakt këto janë tema që përsëriten në deklaratat e liderëve kinezë dhe duhet pasur parasysh se këto fjalë pasqyrojnë të menduarit e Kinës në lidhje me qeverisjen globale dhe ekonomike.

Në këtë samit të 18-të të G20, mori pjesë dhe kryeministri i Kinës, z. Li Qiang, duke i bërë thirrje Grupit të 20 vendeve që t’i përmbahen solidaritetit dhe bashkëpunimit, si dhe të forcojnë koordinimin e politikave makroekonomike për të dhënë besim dhe shtysë për rritjen ekonomike.

Li vuri në dukje ngjashmërinë e temës së këtij samiti “Një tokë, një familje, një e ardhme” i cili përmbledh edhe propozimin e Presidentit Xi Jinping për ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Pra, tematika e këtij Samiti është diçka që nga politikëbërja e Kinës është shprehur më parë, është mbështetur dhe është promovuar. Z. Li i bëri të qarta edhe qëndrimet pararendëse të vendit të tij duke vënë theksin se Kina ka punuar gjatë gjithë kohës për paqen, zhvillimin, bashkëpunimin, dhe patjetër është përkushtuar të kontribuojë në zhvillimin global dhe të mbrojë rendin ndërkombëtar.


Xinhua

Çfarë propozohet nga Pekini për botën e së ardhmes?

Kryeministri i Kinës u shpreh se askush nuk mund të qëndrojë i paprekur në rast të krizave të mëdha, sfidave të përbashkëta, dhe solidariteti e bashkëpunimi janë e vetmja rrugë e drejtë përpara. Duke pasur parasysh kohët e ndërlikuara në të cilat jetojmë, duket se nga Kina po vjen një thirrje për aksion, pasi sfidat e ekonomisë botërore dhe mungesës së zhvillimit të qëndrueshëm janë tashmë të dukshme dhe po dëmtojnë shumë vende.

Kina propozon që G20-ta duhet të forcojë partneritetet dhe të punojë së bashku për të adresuar këto sfida në ekonominë dhe zhvillimin ndërkombëtar. Në fakt, në fjalim u kërkua specifikisht të vendoset zhvillimi në qendër të koordinimit të politikave. Duhet të bëhen përpjekje për të krijuar një mekanizëm bashkëpunimi më pragmatik dhe veprime konkrete për të mbështetur vendet në zhvillim në përballimin më të mirë të sfidave, si ulja e varfërisë, financimi, ndryshimet klimatike dhe siguria e ushqimit dhe energjisë, tha kryeministri kinez.


Xinhua

Për të arritur sa më sipër, në radhë të parë duhet të avancohet me vendosmëri globalizimi ekonomik, të mbështetet një regjim tregtar i hapur dhe shumëpalësh. Dhe patjetër, duke marrë shtysë nga eventet e viteve të fundit, u shpreh qartë se çështjet ekonomike dhe tregtare nuk duhen politizuar. Por edhe mes të gjitha vështirësive dhe sfidave, kryeministri kinez bëri thirrje për forcimin e besimit dhe pritshmëritë për të ardhmen. Shpresë ka, por duhet punuar sot dhe pa pengesa për të ardhmen.

Në fakt, kur u takua me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Kryeministri Li u shpreh kundër politizimit të çështjeve ekonomike ose përdorimit të sigurisë si justifikim për të bllokuar bashkëpunimin ekonomik, duke thënë se Kina dhe BE-ja duhet të bashkohen dhe të bashkëpunojnë më tej për të kundërshtuar pasiguritë e botës me një marrëdhënie të qëndrueshme dypalëshe.

Linjat e G20: nga fjalët tek veprimtaritë konkrete

Në këtë “fshat global” ku jetojmë të gjithë, të gjitha vendet, pavarësisht nga madhësia apo vendndodhja, duhet të kenë një pamje më të gjerë dhe të mendojnë më shumë për të ardhmen e njerëzimit duke ndjekur interesat e veta. Me këtë konsideratë në mendje, Presidenti Xi Jinping parashtroi Iniciativën e Zhvillimit Global, Iniciativën e Sigurisë Globale dhe Iniciativën e Qytetërimit Global. Edhe vite më parë, para trazirave të mëdha gjeopolitike, pandemisë etj, Presidenti Xi propozoi nismën “Një brez, një rrugë” – e cila 10 vite më vonë është bërë pikë referimi e idesë dhe aplikimit se çdo të thotë një nismë globale e suksesshme.

Nismat kineze me qasje globale kanë në thelb filozofinë e politikëbërjes së vendit, gjithëpërfshirjen dhe jo përjashtimin. Edhe pse G20 mbulon mbi 60% të popullsisë së botës, pjesa më e madhe e vendeve në zhvillim nuk është e përfaqësuar, në veçanti Afrika. Kina në fakt e përshëndeti faktin se “Bashkimi Afrikan” (55 vende) si anëtarin e 21-të, G20 ka rritur ndjeshëm përfaqësimin e tij, gjë që do të rrisë ndikimin përkatës. Pas vitesh diskutimesh “Bashkimi Afrikan” iu bashkua G20, duke zgjeruar zërin e Afrikës në nivel global. Kina ishte vendi i parë që deklaroi shprehimisht mbështetjen e saj për anëtarësimin e “Bashkimit Afrikan” në G20. Muajin e kaluar, Kina theksoi përsëri mbështetjen e saj të fortë që të bëhet anëtare e plotë e G20, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar pas Dialogut të Udhëheqësve Kinë-Afrikë. Në fakt, në gusht të këtij viti, presidenti kinez Xi Jinping tha se Kina është e përkushtuar të mbështesë Afrikën për të folur me një zë mbi çështjet ndërkombëtare dhe për të ngritur vazhdimisht pozitën e saj ndërkombëtare kur iu drejtua Dialogut të Udhëheqësve Kinë-Afrikë në Johannesburg.

Forumi në hije nga gjeopolitika

Tashmë G20/21 është një forum ndërqeveritar që përfshin 19 vende sovrane, Bashkimin Evropian (BE) + Bashkimin Afrikan. Ai në fakt punon për të adresuar çështjet kryesore që lidhen me ekonominë globale, të tilla si stabiliteti financiar ndërkombëtar, zbutja e ndryshimeve klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.


CFP

Samiti i G20 miratoi në përfundim të takimeve të agjendës zyrtare një deklaratë të përbashkët me solidaritet gati bazik. Faktet e viteve të fundit kanë reflektuar se divergjencat dhe konfrontimet brenda grupit po rriten, duke e bërë platformën më pak funksionale. Në të kaluarën, shumë mekanizma ndërkombëtarë janë zbehur për shkak të mosfunksionimit, dhe tani, G20/21 gjithashtu duket se po fillon në këtë rrugë. Analistët kinezë shprehen se grupi është ende një mekanizëm i rëndësishëm shumëpalësh për qeverisjen globale, pavarësisht se grupi përballet me më shumë rreziqe mosfunksionimi për shkak të betejave të ndërlikuara midis fuqive të mëdha.

Me hyrjen e “Bashkimit Afrikan” si anëtare e përhershme e grupit, grupi është bërë edhe më përfaqësues. Është e rëndësishme për një vend si Kina të marrë pjesë në këtë ngjarje për të dëgjuar zërin e komunitetit ndërkombëtar dhe po ashtu që pjesa tjetër e botës të dëgjojë qëndrimet e Kinës në samit, dhe në fakt fjalët e Kryeministrit Li e forcuan më tej rolin konstruktiv të Kinës brenda grupit.

Së fundmi, në jetëshkrimin politik dhe të marrëdhënieve me botën të Kinës, ka shumë për t’u krenuar. Prandaj, në formate të tilla si G20/21, përfaqësuesit e lidershipit kinez shkojnë me ide të qarta, qëndrime koherente, propozime gjithëpërfshirëse dhe me bindjen e plotë se vendi i tyre ka një historik veprimtarish konkrete që janë krijuar për të nxitur përmirësimin e realitetit të kohëve tona.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

“Bolonja”… Universiteti i parë në botë!

Universiteti i Bolonës është themeluar në vitin 1088, ai i Parisit, në 1160.

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

“Bolonja”… Universiteti i parë në botë!

Universiteti i Bolonës është themeluar në vitin 1088, ai i Parisit, në 1160.