
Rama: Jemi 10 pikë mbi mesataren rajonale në indeksin e transparencës
Kryeministri Edi Rama theksoi sot se Shqipëria ka një arkitekturë funksionale dhe të qëndrueshme për transparencën, dhe kjo sipas tij, nënvizohet nga raporti i SIGMA-s, i cili vlerëson performancën e administratës publike.

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se Shqipëria ka një arkitekturë funksionale dhe të qëndrueshme për transparencën, dhe kjo sipas tij, nënvizohet nga raporti i SIGMA-s, i cili vlerëson performancën e administratës publike.
Kryeministri mori pjesë në Konferencën VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, një tryezë e përbashkët mes autoriteteve publike, partnerëve europianë, shoqërisë civile dhe organizatave të medias, për një bilanc vjetor e për problemet që kërkojnë adresim.
Rama theksoi rëndësinë e raportit të SIGMA-s në këtë drejtim, një autoritet sipas tij, “i pakontestueshëm për nga kapacitetet profesionale”.
“SIGMA gjykon performancën e institucioneve shqiptare në një distancë të mjaftueshme për të pasur objektivitet dhe vlerëson se Shqipëria ka një arkitekturë funksionale dhe të qëndrueshme për transparencën. Rezultati është 8.6 nga 10 në kuadrin strategjik dhe institucional dhe 7 nga 9 për funksionimin e autoritetit mbikëqyrës për të Drejtën për Informim”, tha Rama.
Ndërsa duke iu referuar indeksit të transparencës të publikuar së fundi nga Qendra Europiane për Antikorrupsionin dhe Shtetndërtim, Rama theksoi se Shqipëria ka bërë një kapërcim prej rreth 5% brenda këtij viti, duke kaluar nga 73% në 78% në indeksin e transparencës.
Ndërkohë, sipas tij, “mesatarja e përgjithshme globale është 62% dhe ajo rajonale është 69%”.
“Pra, Shqipëria është 10 pikë mbi mesataren rajonale dhe kjo është gota gjysmë plot”, shtoi Rama.
Por, Rama tha se “pavarësisht progresit të bërë, nuk diskutohet që duhet të motivohemi që të ngremë vendin më lart”.
Në këtë drejtim, Kryeministri nënvizoi se ngurrimi nga ana e institucioneve për të ndarë me këdo qoftë që kërkon informacionet që janë fakte administrative është absurd dhe vetëm pengon dhe dëmton më shumë se sa mbron. “Ky ngurrim krijon mungesë informacioni dhe sens dyshimi dhe mundësi konspiracioni”, shtoi Rama.
Burimi ATSH


















