Nis punimet konferenca e parë shkencore ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine”

U mbajt sot ceremonia e hapjes së Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Shqipëria në Periudhën Bizantine”.


U mbajt sot ceremonia e hapjes së Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Shqipëria në Periudhën Bizantine”.

Kjo veprimtari shkencore u organizua nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universitetin e Tiranës; Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine.

Konferenca mblodhi bashkë në Tiranë mbi 40 përfaqësues nga bota akademike brenda dhe jashtë vendit, historianë dhe profesorë të njohur, me synimin për të hedhur dritë mbi një ndër periudhat më të rëndësishme, por më pak të studiuara të historisë shqiptare.

Ceremonia e hapjes u moderua nga prof. dr. Paskal Milo, kryetar i Komisionit të Përhershëm të Historisë në Akademinë e Shkencave.

Konferenca u përshëndet nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; Imzot Joani, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë dhe dr. Antonio Riggio, president i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine (International Association of Byzantine Studies).

Akad. Skënder Gjinushi e vlerësoi konferencën si një kontribut të rëndësishëm për njohjen e rolit të trojeve shqiptare si urë komunikimi midis qytetërimeve, por në veçanti si një hapësirë veprimi intensiv i dy perandorive të mëdha të kohës, Bizantit e Romës, Lindjes dhe Perëndimit.

Gjithashtu, ai e vlerësoi edhe si një qasje shumëdimensionale shkencore ku ndërthuren disiplina të ndryshme si: historia, arkeologjia, arti, arkitektura, paleografia dhe epigrafia, kultura shpirtërore dhe jurisprudenca bizantine. Në këtë mjedis shkencor multidisiplinar studiues nga më të mirët, vendës dhe të huaj, do të bëjnë përpjekje që të rindërtojnë tablonë e përgjithshme të botës shqiptare në universin bizantin përmes analizave, prurjeve e përfundimeve origjinale dhe qasjeve të reja metodologjike.

Ndër të tjera, akad. Gjinushi theksoi se synimi i kësaj konference nuk është thjesht e vetëm të përkujtojë periudhën bizantine në historinë e shqiptarëve, por të nënvizojë se ajo është një shtresë e thellë e identitetit historik, shpirtëror e kulturor të tyre.

Kryepiskopi Imzot Joan Pelushi e vlerësoi konferencën si një nismë të rëndësishme shkencore. Ai tha se kumtesat e kësaj konference do të jenë një burim i mrekullueshëm informacioni për historinë dhe kulturën e vendit tonë në këtë periudhë historike, jo aq të njohur. Promovimi i trashëgimisë sonë të pasur ndihmon edhe në ruajtjen e identitetit tonë, e dëshmisë për praninë e qytetërimit dhe kulturës në këtë vend dhe e kujtesës sonë historike. Gjithashtu ai foli edhe për rolin e kishës shqiptare për një vazhdimësi të pandërprerë shpirtërore që i kapërcen ndryshimet politike.

Në fund të fjalës së tij, Imzot Joani shprehu gatishmërinë për bashkëpunime të mëtejshme midis shkencës dhe kishës, duke kontribuuar me arkivat, dorëshkrimet dhe ekspertizën e saj në studimin e kësaj periudhe kaq të rëndësishme.

Prurjet e risitë e kësaj konference shkencore i vlerësoi edhe dr. Antonio Riggio.
Pas fjalëve përshëndetëse, seanca e parë, “Shqipëria ndërmjet Bizantit dhe Perëndimit”, u drejtua nga dr. Peter Schreiner (Universiteti i Këlnit, Gjermani) dhe akad. Pëllumb Xhufi (ASHSH).

Ligjëratën e parë me temën: “Nga Iliriku në Bizant dhe deri më sot: Kisha si një urë e gjallë besimi dhe qytetërimi” e mbajti Imzot Joani, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.

Ai tha se Rajoni i Ilirikut të lashtë, i cili korrespondon me Shqipërinë e sotme dhe territoret fqinje, përbën një pikë kyçe në historinë e Krishtërimit që nga koha apostolike. Via Egnatia, rruga e madhe perandorake që lidhte Romën me Kostandinopojën përmes Durrësit dhe Selanikut, përcaktoi rëndësinë strategjike të rajonit. Durrësi, si “porta drejt rrugës së madhe tokësore”, funksionoi si pika thelbësore e kontaktit midis Lindjes dhe Perëndimit. Më tej, Imzot Joani tha se pozita gjeografike i dha Ilirikut një rol unik dhe theksoi se Rajoni i Ilirikut i dha Bizantit perandorë të rëndësishëm si Konstandinin e Madh nga Nishi, Anastasin I nga Durrësi dhe Justininianin nga Dardania, të cilët formësuan identitetin e perandorisë së krishterë. Ai argumentoi se si kisha në hapësirën shqiptare funksionoi si një urë e gjallë që lidhi periudhën paleokristiane me atë bizantine dhe e ruajti këtë vazhdimësi deri më sot, pavarësisht përmbysjeve dramatike historike.

Në këtë seancë, ligjëruan akad. Pëllumb Xhufi, prof. emeritus Taxiarchis Kolias, prof. dr. Ardian Muhaj, prof. dr. Ermal Baze, prof. dr. Ilira Çaushi, dr. Peter Schreiner, dr. Katerina B. Korrè dhe Andrea Di Giuseppe, të cilët hodhën dritë në burimet antike dhe bizantine që përmendin vazhdimisht popullsinë e Arbërit, jo vetëm mes popujve të lashtë të Mesdheut, por edhe në vijimësinë iliro-arbërore.

Ligjëratat vijuan gjatë gjithë ditës në disa seksione për artin dhe arkitekturën bizantine, artin pasbizantin dhe restaurimin e më gjerë.

Në mbrëmje u bë hapja zyrtare e ekspozitës “Kodikët bizantinë dhe pasbizantinë të Shqipërisë” në Arkivin Qendror Shtetëror.
Dita e dytë e konferencës do të vijojë nesër, më 6 nëntor 2025, ora 09:00, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Burimi ATSH

Hoxha: Bashkëpunim për avancimin e projektit evropian në Shqipëri e Kosovë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori mesazh urimi për marrjen e detyrës nga homologu kosovar, Glauk…

Global 360

Osmani shpërndau parlamentin dhe njoftoi zgjedhjet e reja në Kosovë, reagon kreu i LDK-së

Pas konferencës për shtyp të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka bërë të ditur shpërndarjen e Kuvendit të…

Diplovista

Gonxhja për “Forbes”: Prioritet investimet cilësore në turizëm, Shqipëria po pozicionohet si porta hyrëse në Ballkan

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja shpjegoi mënyrën se si qeveria shqiptare e sheh modelin spanjoll të turizmit…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë!

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Hoxha: Bashkëpunim për avancimin e projektit evropian në Shqipëri e Kosovë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori mesazh urimi për marrjen e detyrës nga homologu kosovar, Glauk…