Begaj në Shkodër për Ditën e Alfabetit: Gjuha, shenja e kombësisë

Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Kongresin e Manastirit, i cili me aktin historik të vitit 1908 i dha kombit bashkimin përmes germave të njësuara të gjuhës amtare.


Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Kongresin e Manastirit, i cili me aktin historik të vitit 1908 i dha kombit bashkimin përmes germave të njësuara të gjuhës amtare.

Gjatë një fjalimi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, mes studiuesve të shqipes nga të gjitha trevat, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe ndër breza, sakrificat e atdhetarëve dhe kontributin e studiuesve për ruajtjen dhe pasurimin e shpirtit të kombit.

“Gjuha është shenja e kombësisë, është shpirti i një kombi. Ajo mban kujtesën, zakonet, këngët, legjendat, mënyrën tonë të të menduarit e të ndierit. Gjuha jonë shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të Evropës, që i ka mbijetuar pushtimeve, ndalimeve dhe përpjekjeve për ta zhdukur. Asnjë fuqi e huaj nuk mundi ta shlyejë, sepse ajo jetonte në zemrat e njerëzve, në fjalët e nënës, në këngët e trimave, në rrëfimet e të urtëve. Shqipja na ka mbajtur gjallë si komb kur nuk kishim shtet, kur nuk kishim ushtri e as kufij të përcaktuar. Prandaj, të ruash e të zhvillosh gjuhën shqipe është një akt patriotik po aq i rëndësishëm sa mbrojtja e atdheut”, tha Begaj.

Në kushtet e hyrjes së fjalëve të reja si efekt i vrullit teknologjik, Kreu i Shtetit vuri theksin në pasurimin e gjuhës dhe përcjelljen e saj te fëmijët, sidomos të atyre të Diasporës.

“Çdo gjuhë, por veçanërisht ato që fliten nga një numër më i vogël bashkëkombësish, si shqipja, ditët e sotme janë në rrezik, nga njëra anë prej ndikimit të gjuhëve ndërkombëtare, dhe, nga ana tjetër, prej deformimeve që ndodhin në komunikimin digjital. Besoj se pedagogët e nderuar të këtij universiteti e dinë më mirë se kushdo se, kush nuk e flet mirë gjuhën e vet, do të jetë gjithmonë i kufizuar të mësojë gjuhët e tjera. Kush dëshiron të flasë mirë një gjuhë të huaj, duhet të nisë duke mësuar mirë dhe me dashuri gjuhën amtare”, theksoi Presidenti.

Kreu i Shtetit nderoi figurat historike të Kongresit të Manastirit, e krahas tyre kontributin e atdhetarëve e të studiuesve të mëvonshëm.

Duke iu referuar veprimtarëve shkodranë, Presidenti Begaj vlerësoi figurën e Luigj Gurakuqit, emrin e të cilit mban universiteti i Shkodrës, ku dhe u kremtua Dita e Alfabetit, si dhe studimet dhe përpjekjet e studiuesit të historisë së albanologjisë, Jup Kastrati, studiuesit të alfabetit, Tomor Osmani, dhe veprën e gjuhëtarit Bahri Beci.

Në fund të fjalës, Kreu i Shtetit përcolli këtë mesazh bashkë me urimin për Ditën e Alfabetit.

“Sot, ne kemi gjithçka që ata ëndërruan: kemi Shqipërinë, kemi Kosovën, kemi arsim shqip, media shqip, teknologji shqip. Por kemi edhe një detyrim moral: ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë më tej këtë trashëgimi të shenjtë: gjuhën tonë, si shenja më e gjallë e identitetit shqiptar. Një gjuhë, një shqiptari, një amanet. Pa gjuhë, nuk ka komb! Nuk mund të ketë shqiptari pa gjuhën shqipe, pa shkronjat shqipe”, tha Begaj.

“Për shkollat shqipe, Kongresi i Manastirit na mëson se bashkimi është forca që i jep kuptim çdo përpjekjeje kombëtare. Të jemi sot si atëherë, një komb që sheh përpara, që nderon rrënjët e veta dhe që beson në fuqinë e gjuhës, të dijes dhe të unitetit”, tha Begaj.

Presidenti e mbylli fjalën me një falënderim “për të gjithë shqiptarët, diasporën e vjetër dhe të re, kudo janë, arbëreshët e Italisë, arbanitasit e Zarës në Kroaci apo arbëreshët e Mandricës në Bullgari dhe të gjitha shoqatat, mësuesit, studiuesit e gjuhës, të cilët, me përkushtim dhe dashuri të madhe punojnë çdo ditë dhe pa u lodhur për të promovuar, për të ruajtur dhe trashëguar këtë gjuhë të mrekullueshme të identiteit tonë. Gëzuar përjetë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”.

Gjatë vizitës në Shkodër për festimin e Ditës së Alfabetit, Presidenti Begaj u prit nga kryebashkiaku Benet Beci. Kreu i Shtetit zhvilloi takime me studiues shqiptarë, vizitoi bibliotekën e universitetit “Luigj Gurakuqi”, si edhe muzeun “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës”.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Rama në Ditën e Alfabetit fton qytetarët të zbulojnë “Udhën e Shkronjave”

Në Ditën e Alfabetit, kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët të njohin shtegun natyror “Udha e Shkronjave”, duke ndarë në rrjetet…

Global 360

Kurti: Paradoksi i zgjerimit të BE, aplikimi i Kosovës mbetet i bllokuar për tre vjet

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian,…

Diplovista

Rama mbron Shqipërinë në rrugën drejt BE-së: Krimi është problem kudo, edhe Brukseli nuk është më mirë

Në një intervistë për Euronews, kryeministri Edi Rama tha se vendi i tij e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Fatos Nano i mundi të gjithë pa e kuptuar, siç mediat nuk e kuptuan edhe pse falë tij lulëzuan!

Racional, me sens humori, si një lider i vërtetë Fatos Nano i demokratizoi të gjithë, në fund edhe kundërshtarët e…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Rama në Ditën e Alfabetit fton qytetarët të zbulojnë “Udhën e Shkronjave”

Në Ditën e Alfabetit, kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët të njohin shtegun natyror “Udha e Shkronjave”, duke ndarë në rrjetet…