
Projektet infrastrukturore në Klik Ekspo Group, Verdho: Më 2027 gati hekurudha e re Tiranë-Durrës
Hekurudha e re Tiranë-Durrës-Rinas do të hapet në vitin 2027

Hekurudha e re Tiranë-Durrës-Rinas do të hapet në vitin 2027.
Lajmi u bë i ditur në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës – Edicioni 31, nga drejtori i Hekurudhës Shqiptare Ergys Verdho, i cili tha se aktualisht kanë përfunduar 90 % e punimeve, ndërkohë që do të vijohet dhe me disa procese të fundit të projektit.
Hekurudha e re
“’Jemi në 90 për qind të finalizimit të punimeve civile, dhe në fundin e këtij viti do të kemi linjën e re, në maj të vitit të ardhshëm ne mbarojmë dhe stacionet hekurudhore të gjithë linjës. Nga maji deri në dhjetor do të merremi me kolaudimin e saj, dhe shpresojmë që në 3 mujorin e parë të vitit të ardhshëm 2027, ne këtë linjë ta vëmë në funksion. Ajo çfarë është komponenti kryesor është lidhja e stacionit qendror i cili ndodhet në Kthesën e Kamzës, me stacionin e ri që është në stacionin e vjetër të trenit ekzistues, kjo do ta bënte më fisibël këtë linjë Tiranës-Durrës- për shkak se konjektiviteti i gjithë banorëve të Tiranës me një stacion shumë të vjetër i cili ka qenë shumë komod për t’u aksesuar, gjithashtu dhe për ardhjen e gjithë turistëve nga Rinasi për të aksesuar qendrën e Tiranës në ish Stacionin e Trenit”, tha Ergys Verdho, administrator i Hekurudhës Shqiptare.
Porti i Durrësit
Në qendër të diskutimeve mbi projektet më të mëdha të infrastrukturës shqiptare ishte dhe Porti i ri i Durrësit, një projekt me vlerë strategjike dhe ekonomike për komunitetin lokal dhe për tregun rajonal, për të cilin drejtori Liburn Aliu tha se ka një ndikim të madh në ekonominë e vendit.
“Ndërtimi i Portit të Porto Romanos do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit. Aktualisht kapacitetet në Portin e Durrësit janë 270 mijë kontenierë në ditë dhe me portin e Porto Romanos ky kapacitet mund të rritet deri në me 500 mijë . Kjo do të ketë një ndikim të madh në nevojën për logjistikë pastaj është transporti, magazinimi, dhe nevoja për krah pune për kontroll të profesionalizuar, pa harruar dhe ndikimin pozitiv në komponentët mjedisorë”, tha Liburn Aliu, ndërsa shtoi se aktualisht në Portin e Durrësit i tërë fokusi është transformimi nga situata në të cilën ndodhet drejt Portit të Porto Romanos një projekt i cili është në vizionin e qeverisë së Shqipërisë për zhvillimin e qëndrueshëm për Shqipërinë dhe për rajonin.
Vijimi i projektit
“Porti në Porto Romano synon të bëhet një port modern me një thellësi të madhe ujore që do e vendos Shqipërinë në një nivel të konkurrueshmërisë rajonale, do të jetë një port i gjelbër që do të mundësojë një zhvillim të qëndrueshëm, në sisteme e efikasitete të teknologjisë moderne, me sisteme inteligjente për menaxhim të operacioneve portuale dhe me infrastrukturë të integruar rrugore dhe hekurudhore. Ky projekt do të mundësojë një zhvendosje graduale nga porti aktual i Durrësit në portin e Porto Romanos, i cili do të jetë port i mallrave, ndërsa në portin aktual të Durrësit do të kemi Portin e Jahteve dhe të Marinës, i cili qytetit të Durrësit do ti japë një zhvillim të turizmit dhe më gjerë”, theksoi më tej Aliu.
Transformimi i Porto Romanos
Ndërsa Ahmet Kastrati, drejtor i MBM Porto Romano foli mbi rolin e këtij porti në procesin e transformimit të Portit të Durrësit në këtë zonë ekonomike. ‘’Transformimi i Porto Romanos ka nisur që në vitin 2008, kur operatorët tregtues të karburanteve u transferuan në Porto Romano duke ndërtuar pjesën infrastrukturore, magazinuese, në Porto Romano në kapacitete që kanë qenë gjithnjë në rritje, duke arritur kapacitetet magazinuese deri në këtë moment në 450 mijë tonë, kjo si fazë e parë, që i dha një përparësi Portit të Durrësit duke larguar hidrokarburet nga zemra e qytetit të Durrësit. Faza e dytë filloi me zhvillimin e portit MBM, për shkak të nevojave të tregut gjithnjë në rritje, dhe kërkesave, volumeve në rritje të operatorëve, që kërkonin ardhjen e anijeve gjithnjë e më të mëdha, vendosi që të zhvillojë terminalin e hidrokarbureve më të madh në vend ku ne aktualisht akomodojnë anije deri në 120 mijë tonë madhësi, e cila është unike për rajonin dhe krahasohet me tregje si Malta’’, shpjegoi Kastrati.
Port multifunksional
Ndërkohë sipas tij nga viti 2020 Porti MBM u bë një port multifunksional, ku zhvillimi deritanishëm në Porto Romano ka ndihmuar zhvendosjen graduale të trafikut industrial nga Durrësi duke e lehtësuar transformimin e tij në një Marinë turistike çka ka sjellë përfitime të qarta dhe për vetë qytetin; reduktim ndotje, zhurmat apo trafikun. ‘’Për më tepër Plani i Qeverisë për ndërtimin e një porti të ri në Porto Romano si një ‘green field facility’ brenda kuadrit të vizionit Shqipëria 2030, synon krijimin e një konteksti portual me rëndësi strategjike kombëtare dhe rajonale, e cila është në sinergji me kapacitetet që porti MBP ka në funskion. Faza e tretë e transformimit të Portit të Durrësit është zhvendosja e aktivitetit të kontenierëve, ku MBM do të jetë sërish një facilitator deri sa porti i ri të jetë gati për operim”, tha më tej Kastrati.
Ardian Hackaj, nga CDI Albania, administrator i Institutit për Zhvillim dhe Bashkëpunim, u ndal në mundësinë që Shqipëria ka për të qenë përfituese e projekteve të reja që do të financohen nga BE, me buxhetin e ri që po hartohet për vitin 2028-2034, i cili do të bazohet në plane konkrete për çdo vend anëtar dhe kandidat.
/Burimi ATSH



















