
Manja: Reforma në drejtësi, më e thella në 30 vitet e fundit me arritje të prekshme
Kryetari i Komisionit për Çështjen Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, tha sot se “grup-themeloret ngelen kapitulli më i rëndësishëm i negociatave me Bashkimin Europian që është i hapur dhe do të mbyllet i fundit sepse shteti i së drejtës është parakushti për çdo demokraci moderne”.

Kryetari i Komisionit për Çështjen Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, tha sot se “grup-themeloret ngelen kapitulli më i rëndësishëm i negociatave me Bashkimin Europian që është i hapur dhe do të mbyllet i fundit sepse shteti i së drejtës është parakushti për çdo demokraci moderne”.
Në fjalën e tij në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri – Bashkimi Europian, Manja theksoi se “dua t’i përgëzoj kolegët e mi që negociojnë me BE-në për grup-themeloret ku edhe arritjet tona janë më të prekshme. Reforma në drejtësi është reforma më e thellë që kemi ndërmarrë në 30 vitet e fundit sigurisht ka prodhuar arritje të prekshme sa i takon sistemit të drejtësisë penale dhe kryesisht SPAK që ne patëm rastin të raportojmë në Kuvendin e Shqipërisë në seancën maratonë të së hënës”.
Sipas tij, zbatimi i reformës në drejtësi ka edhe sfidat e veta.
“Sfida, të cilat ne jemi koshientë dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme që kjo reformë të zbatohet me sukses Vetingu, shtylla kryesore e reformës në drejtësi ka mbaruar procesi i rivlerësimit në shkallën e parë në Komisionin Pavarur të Kualifikimit dhe në qershor të 2026 do të mbyllet ky proces edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Me rëndësi në këtë proces është fakti që institucionet kushtetuese bartëse të procesit të Vetingut, KLGJ, KLP dhe ILD do të vazhdojnë në vijimësi me të njëjtat standarde që ka pasur procesi i Vetingut të vazhdojnë të mbajnë pastër sistemin e drejtësisë pas procesit të Vetingut, për të siguruar standardet e pastërtisë së figurës dhe integritetit të sistemit”.
Po ashtu, vijoi Manja, kërkohet që sfidë në vetvete ngelet rritja e kapaciteteve profesionale sa i takon KLGJ dhe KLP në vlerësimin e magjistratëve pas procesit të Vetingut, po ashtu ka një kornizë strategjike të qartë sa takon zbatimit të strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë 2024-2030, e cila po monitorohet çdo 6 mujor, por edhe një monitorim vjetor”.
Manja u ndal edhe digjitalizimi duke e cilësuar atë një motor reformash në sistemin e drejtësisë.
“Ka filluar puna për sistemin e integruar të menaxhimit të çështjeve që do të përfundojë në 2027. Shteti ka buxhetuar 10.7 milionë euro në këtë proces dhe 1.8 milionë euro janë grant nga qeveria suedeze dhe 7.5 milionë është financim nga BE. Digjitalizimi i sistemit të menaxhimit të çështjeve në sistemin e drejtësisë rrit transparencën në sistem dhe është e lidhur me transparencën dhe rritjen e pavarësisë të institucioneve të drejtësisë”.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe menaxhimit të pasurive kriminale, Manja tha se “në këtë pikë arritjet tona janë të prekshme”.
“Ka rezultate të dukshëm hetime financiare paralele nga 42 në 114 hetime financiare brenda një viti dhe numri në rritje dhe sekuestrimeve dhe konfiskimeve tregojnë një qasje funksionale në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri”.
Më tej Manja tha se “shpresojmë që brenda 2027 të mbyllim kapitullin e negociatave me BE-në, është në dorën tuaj që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE-së në 2030 as më shumë e as më pak vetëm nëpërmjet reformave të arritshme dhe të prekshme. Janë detyra shtëpie tonat, i bëjmë për qytetarët në Shqipëri pse jo të plotësojmë edhe kushtet për të ardhur në derën e madhe të familjes europiane”.
Teksa u ndal tek opozita, Manja tha se “opozita shpreh dakordësinë për integrimin e Shqipërisë në BE, por dua ta nis me një keqardhje sepse dallimet tona politike apo qëndrimet tona për çështje të caktuara nuk mund të jenë argumente për ta bërë pis Shqipërinë. Të mbështesësh integrimin e Shqipërisë në BE, pasi ke hedhur një mal me akuza dhe e ke bërë baltë Shqipërinë nuk më duket qasje e sinqertë, gjithsesi në cilësinë e përfaqësuesit të mazhorancës e kemi përgjegjësinë e qeverisjes dhe për të mbyllur me sukses të gjitha kapitujt që kemi hapur me BE-në dhe që sigurisht aty çdo gjë është e matshme dh e verifikueshme”.
“Qasja jonë ka qenë e qartë ne nuk duam asgjë nëse nuk e meritojmë në këtë proces”, tha Manja.
Burimi ATSH



















