Begaj në Konferencën e OKB-së: Shqipëria mbështet një sistem financiar global të reformuar

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Konferencën IV Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (FFD4) së bashku me liderët e mbledhur në Sevilje të Spanjës.


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Konferencën IV Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (FFD4) së bashku me liderët e mbledhur në Sevilje të Spanjës.

Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës solli në vëmendje angazhimin e Shqipërisë dhe hapat e ndërmarra nga vendi ynë për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit paraqiti vizionin e vendit tonë për nevojën e financimit për zhvillim si një mundësi që garanton rritje ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe investim për qytetarët përmes politikave ekonomike të bazuara në drejtësinë sociale.

Duke iu referuar sfidave të shumta globale, Presidenti Begaj u shpreh për domosdoshmërinë e veprimeve të përbashkëta që i përkthen angazhimet në rezultate konkrete.

“Financimi për zhvillim të qëndrueshëm duhet të ketë në qendër mirëqenien e njerëzve. Politikat ekonomike dhe drejtësia sociale janë të pandara”, – theksoi Presidenti i Republikës, duke paraqitur gjatë fjalës së tij politikat e ndjekura nga vendi ynë.

“Në Shqipëri jemi të angazhuar në zhvillimin e aftësive dhe fuqizimin e të rinjve, në zgjerimin e mbrojtjes sociale dhe përmirësimin e garantimit të shërbimeve cilësore të kujdesit shëndetësor dhe arsimor”, theksoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj foli për reformat e ndërmarra nga Shqipëria, duke nënvizuar se procesi i financimit për zhvillim është më shumë se një agjendë në kuadrin teknik.

“Si një vend në zhvillim me orientim të qartë reformues, Shqipëria ka shënuar përparime të dukshme në nxitjen e rritjes gjithëpërfshirëse, forcimin e qeverisjes demokratike dhe rritjen e llogaridhënies. Investimet në arsim, shëndetësi, infrastrukturë digjitale dhe energji të rinovueshme janë kthyer në përparësinë tonë strategjike. Po zbatojmë reforma fiskale për të rritur transparencën dhe paanshmërinë në sistemin tatimor, si dhe po punojmë në mënyrë të intensifikuar për të siguruar që shpenzimet publike të jenë të orientuara drejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shtoi ai.

Për vijimësinë e këtyre politikave, Presidenti Begaj vuri në dukje se asnjë vend, pavarësisht madhësisë apo ambicieve të tij, nuk mund të përballojë i vetëm barrën e financimit për zhvillimin. Presidenti theksoi rëndësinë e një sistemi financiar global që nxit transformimin.

“Shqipëria i bashkohet gjithnjë e më shumë zërave në rritje për një arkitekturë financiare globale të reformuar që të jetë më gjithëpërfshirëse, më përfaqësuese dhe më e aftë për të përballuar krizat e shumta dhe të ndërlidhura që karakterizojnë kohën në të cilën jetojmë”, tha Begaj.

“Financimi për zhvillim nuk duhet të mbetet një slogan”, – deklaroi Kreu i Shtetit, duke u fokusuar te forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria njeh, gjithashtu, rolin thelbësor që ka bashkëpunimi rajonal në çlirimin e potencialit për financim të zhvillimit. Ne jemi aktivisht të angazhuar në nisma që forcojnë tregtinë rajonale, përmirësojnë infrastrukturën ndërkufitare dhe nxisin ndarjen e dijes ndërmjet vendeve fqinje. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një përparësi strategjike e vendit tonë”, nënvizoi Begaj.

Kreu i Shtetit rikonfirmoi se, Shqipëria do të mbetet një partnere aktive dhe konstruktive në komunitetin global të zhvillimit, duke besuar në rëndësinë e multilateralizmit, në fuqinë e bashkëpunimit dhe në të drejtën e çdo individi për të jetuar me dinjitet, larg varfërisë dhe frikës.

Presidenti Begaj zhvilloi në Sevilje takime me mbretin e Spanjës Filipi II dhe kryeministrin Pedro Sanchez, me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, António Guterres si dhe me krerë shtetesh, pjesëmarrës në konferencë.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Pezullimi i Ballukut, shtyhet për datën 12 dhjetor shqyrtimi i kërkesës së qeverisë

Gjykata Kushtetuese njoftoi sot se shqyrtimi paraprak i kërkesës së Kryeministrit, lidhur me çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministre…

Global 360

Mattarella, SUdhëheqës nga e gjithë bota urojnë shqiptarët për festën e Pavarësisë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka marrë këto ditë telegrame e letra urimi nga e.

Diplovista

Rama mbron Shqipërinë në rrugën drejt BE-së: Krimi është problem kudo, edhe Brukseli nuk është më mirë

Në një intervistë për Euronews, kryeministri Edi Rama tha se vendi i tij e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Bashkë drejt integrimit evropian!”

Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot urimin e tij për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në të gjitha trevat rajonale…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Pezullimi i Ballukut, shtyhet për datën 12 dhjetor shqyrtimi i kërkesës së qeverisë

Gjykata Kushtetuese njoftoi sot se shqyrtimi paraprak i kërkesës së Kryeministrit, lidhur me çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministre…