Spiropali në Asamblenë Parlamentare të NATO-s: Shqipëria, kontribuese aktive në Aleancë

Spiropali iu drejtua sot me një fjalë Samitit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, zhvilluar në Parlamentin e Belgjikës, në Bruksel, në prag të Samitit të NATO-s.


Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vlerësoi sot rolin e NATO-s si një gurthemel i sigurisë transatlantike dhe vlerave të demokracisë dhe mbrojtjes së përbashkët.

Spiropali iu drejtua sot me një fjalë Samitit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, zhvilluar në Parlamentin e Belgjikës, në Bruksel, në prag të Samitit të NATO-s.

Ndërsa shprehu vendosmërinë dhe kontributin e Shqipërisë në këtë aleancë, Spiropali theksoi se nuk duhet të qëndrojmë pasivë ndaj trazirave të mëdha politike që po ndodhin.

“NATO mbetet gurthemeli i sigurisë tonë transatlantike dhe një dëshmi e gjallë e fuqisë së vlerave të përbashkëta: demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë individuale dhe mbrojtjes së përbashkët. Shqipëria është krenare që qëndron e vendosur në këtë Aleancë, jo vetëm si anëtare, por si një kontribuese e angazhuar ndaj vizionit dhe misionit të saj”, tha ajo.

Në një epokë ndryshimesh të shpejta dhe kërcënimesh të vazhdueshme, Spiropali nënvizoi se “NATO duhet të mbetet jo vetëm relevante, por e domosdoshme”.

“Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e saj, me vendosmëri, me përgjegjësi dhe me respekt për vlerat që na bashkojnë. Në këtë frymë dhe me këtë vendosmëri, jemi të lumtur dhe të nderuar të mikpresim në Tiranë, mbas dy vitesh, në vitin 2027, samitin e parë të NATO-s në rajonin tonë. Ky vendim jo vetëm tregon angazhimin tonë ndaj stabilitetit, unitetit dhe bashkëpunimit rajonal, por edhe shpjegon rëndësinë strategjike të angazhimit të qëndrueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ajo.

Duke u ndalur te lufta në Ukrainë, Spiropali u shpreh se “lufta e paprovokuar dhe e paligjshme e agresionit që Rusia ka ndërmarrë kundër Ukrainës vijon të minojë vetë themelet e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.

Ajo nënvizoi se “Shqipëria, pa asnjë mëdyshje, e ka dënuar këtë agresion dhe i është bashkuar të gjitha masave të NATO-s dhe BE-së, në solidaritet me Ukrainën, përfshi sanksionet, ndihmën ushtarake dhe mbështetjen humanitare”.

“Ne, si parlamentarë, si demokratë dhe si aleatë nuk mundemi dhe nuk duhet të qëndrojmë vëzhgues pasivë. Unë personalisht pata nderin, pak ditë më parë, të marr pjesë në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, i mbajtur në Odesa, për të përsëritur dhe një herë mbështetjen tonë të plotë dhe pa rezerva ndaj Ukrainës, por edhe për të parë nga afër realitetin e vështirë të jetës nën kërcënime të vazhdueshme, si dhe për t’iu bashkuar Presidentit Zelenski dhe liderëve të tjerë në thirrjen për të ndaluar menjëherë këtë luftë brutale dhe për një proces domethënës që çon drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ajo.

Ndërkohë përshkallëzimi ushtarak së fundmi midis Iranit dhe Izraelit, sipas Spiropalit, “vetëm e rëndon më shumë një botë të bazuar në rregulla, që tashmë është nën trysni të madhe”.

“Shqipëria i bën thirrje Iranit të ndërpresë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”, tha ajo.

Një botë që po del jashtë kontrollit, sipas saj, “kërkon që ne të jemi shumë vigjilentë në të gjitha frontet, përfshi rajonin tonë”.

“Në Ballkanin Perëndimor ndikimet keqdashëse vazhdojnë përpjekjet e tyre për të destabilizuar institucionet demokratike, të nxisin ndasitë dhe të minojnë aspiratat euro-atlantike. Shqipëria beson fort se siguria e Ballkanit Perëndimor është e pandashme nga siguria e Evropës dhe e gjithë hapësirës më të gjerë të NATO-s. I bëjmë thirrje aleatëve dhe partnerëve tanë të kenë një angazhim të fuqishëm, politik dhe ushtarak, në rajonin tonë, Shqipëria, që me anëtarësimin e saj në vitin 2009, e ka treguar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj Aleancës dhe përkushtimin e palëkundur ndaj sigurisë së përbashkët, përmes kontributeve politike, operacionale dhe financiare”, vijoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit bëri të ditur se qeveria shqiptare ka rritur ndjeshëm buxhetin për mbrojtjen dhe tashmë e ka arritur synimin prej 2% të PBB, në përputhje me qëllimin e Aleancës për ndarjen e barrës.

“Ne mbështesim Zotimin e ri për Investime në Mbrojtje: 3.5% për mbrojtjen bazë dhe 1.5% për fusha të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë, një instrument shumë i rëndësishëm për të treguar angazhimin tonë të përbashkët ndaj besueshmërisë së NATO-s dhe mbrojtjes kolektive në të ardhmen. Në këtë mënyrë, ne po modernizojmë forcat tona të armatosura, duke shtuar ndërveprueshmërinë dhe duke ngritur në vend infrastrukturë kyçe për NATO-n, përfshi transformimin e Bazës Ajrore të Kuçovës në një qendër strategjike për Aleancën në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ajo.

Spiropali nënvizoi po ashtu se Shqipëria po forcon qëndrueshmërinë institucionale, duke investuar tek siguria kibernetike dhe duke punuar për të luftuar narrativat keqdashëse që kërkojnë të shfrytëzojnë çarjet sociale dhe politike.

“Ne gjithashtu besojmë fort se siguria jonë është e ndërlidhur me zhvillimin e institucioneve demokratike, të drejtave të njeriut dhe mundësive ekonomike. Një demokraci rezistente është mbrojtja më e mirë ndaj përmbysjes nga jashtë. Prandaj, Shqipëria mbështet partneritetet e NATO-s me vende me mendësi të njëjtë, nga Ballkani Perëndimor deri në Indo-Paqësor, si dhe zgjerimin e vazhdueshëm të Aleancës tonë”, shtoi ajo.

Në përfundim, Spiropali nënvizoi se Shqipëria ka mbështetur fort dhe ka përshëndetur anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë, dhe mbështet aspiratat e partnerëve të tjerë të kualifikuar që kërkojnë të anëtarësohen në NATO.

“Zgjerimi na forcon të gjithëve dhe për këtë arsye ne vijojmë të mbështesim fort Politikën e Dyerve të Hapura të Aleancës”, theksoi ajo.

Burimi ATSH

Gonzato: Shqipëria partner i rëndësishëm për të trajtuar flukset migratore

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato vlerësoi sot rolin e Shqipërisë ndër vite në ndihmën e…

Global 360

Osmani pas samitit në Tiranë: BE-ja t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat

Komentet e Osmanit në një postim në rrjetet sociale vijnë në mbyllje të punimeve të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Gonzato: Shqipëria partner i rëndësishëm për të trajtuar flukset migratore

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato vlerësoi sot rolin e Shqipërisë ndër vite në ndihmën e…