
Begaj pas samitit të SEECP: Procesi i pranimit të rajonit në BE, mjet transformues për nxitjen e stabilitetit
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj deklaroi sot se, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian kërkon reforma të qëndrueshme në fushat e qeverisjes, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj deklaroi sot se, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian kërkon reforma të qëndrueshme në fushat e qeverisjes, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, në mbyllje të punimeve të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) të mbajtur sot në Tiranë, në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria, Begaj tha se, “samiti i SEECP i mbajtur sot në Tiranë inkurajoi përpjekjet për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit, përmes bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në BE. Në këtë frymë motoja e kryesisë sonë “Të formësojmë të ardhmen tonë evropiane”, udhëhoqi këtë proces reflektimi dhe dialogu”.
“Diskutimet e zhvilluara shërbyen për të thelluar dialogun konstruktiv dhe për të riafirmuar përkushtimin tonë ndaj një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Integrimi gradual i vendeve aspirante në BE është një prioritet kyç jo vetëm për zhvillimin politik dhe ekonomik të rajonit, por edhe për rëndësinë e rajonit të Evropës Juglindore për stabilitetin dhe prosperitetin evropian”, nënvizoi Begaj.
Kreu i Shtetit theksoi se, “ky proces kërkon reforma të qëndrueshme në fushat e qeverisjes, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal. Ndërkohë që vendet aspirante përballen me sfida për përmbushjen e standardeve, integrimi mbetet një hap vendimtar drejt një Evrope më të bashkuar dhe më të sigurt. Vullneti politik dhe angazhimi i ndërsjellë janë të nevojshëm për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të rritur besimin në proces. Potenciali i rajonit për zhvillim është i madh. Procesi i pranimit në BE është një mjet transformues për nxitjen e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies”.
“Vendet e BE – anëtare të nisjes së SEECP-së – kanë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e integrimit të vendeve aspirante për në BE në tregun e përbashkët dhe zvogëlimin e hendekut ekonomik e social të tyre me BE-në”, tha Begaj.
Presidenti nënvizoi se, “është shumë i rëndësishëm adresimi për zgjidhje i të gjitha sfidave, sidomos ulja e pabarazive në zhvillim dhe mangësitë aktuale infrastrukturore në Evropën Juglindore si dhe arritja e konvergjencës së lidhjes në të gjithë BE-në”.
“Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol aktiv dhe të përgjegjshëm në bashkëpunimin rajonal dhe mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të kësaj platforme dhe çështjeje të rëndësishme që lidhen me stabilitetin rajonal, zhvillimin ekonomik dhe reformat drejt integrimit evropian”, tha Begaj më tej.
“Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, bashkëpunim rajonal dhe promovim të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit. për këtë arsye vendet e BE-së duhet ë ofrojnë mbështetje politike dhe konkrete për vendet aspirantë në BE. Në rrugën e tyre të anëtarësimit, në axhendën e reformave duke garantuar që perspektiva e integrimit të mbetet reale, e prekshme dhe e besueshme për të gjithë rajonin”, theksoi Begaj.
Kreu i Shtetit nënvizoi se, “Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë drejt integrimit evropian, teksa vijojmë t’i qëndrojmë besnik vlerave demokratike të Aleancës Euroatlantike.
“Qëllimi ynë strategjik mbetet mbyllja e procesit të negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi në BE deri në vitin 2030. Ne po punojmë intensivisht për të arritur këtë synim madhor dhe kryesimi i SEECP-së ishte tjetër dëshmi e seriozitetit tonë në rrugëtimin evropian”, tha Begaj.