
Rama: Procesi i anëtarësimit në BE, shumë herë më kërkues se ç’ka qenë për vendet e anëtarësuara më parë
Kryeministri Edi Rama tha sot se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është shumë më kërkues dhe sfidues krahasuar me procesin që kanë kaluar vendet e anëtarësuara më parë.

Kryeministri Edi Rama tha sot se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është shumë më kërkues dhe sfidues krahasuar me procesin që kanë kaluar vendet e anëtarësuara më parë.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, Rama tha se çdo vend që vjen më pas përballet me kërkesa dhe kritere gjithnjë e më të sofistikuara nga Komisioni Evropian.
“Ka një mit, sepse kushdo që është këtu në këtë ndërtesë nga ana e Komisionit e mund të flasë, mund t’ju thotë se ky proces është shumë herë më kërkues për ne se ç’ka qenë për vendet që janë anëtarësuar më parë. Pra, nuk është se Bashkimi Evropian ka bërë ndonjë gabim dhe tani po përpiqet të shmangë të njëjtat gabime duke mos i pranuar me shpejtësi këto vende. Jo, çdo vend që vjen më pas ka një proces shumë më të vështirë sa i takon kërkesave që duhet të përmbushë. Sepse “torturuesit”, që do të thotë Komisioni, i sofistikojnë torturat e tyre sepse e shohin për shembull, “le ta marrim këtë vendin, po ka disa defekte, mangësi aty, atëherë këtu duhet t’i torturojmë më shumë”. Ata më të “torturuarit” janë ata që vijnë më pas”.
Ai theksoi se Shqipëria ka përmbushur një sërë kërkesash të BE-së dhe po zbaton standardet që do të duhet të respektojë edhe pas anëtarësimit, ndonëse ende nuk është bërë pjesë e Unionit.
“Kështu që nëse sot shihni Malin e Zi apo Shqipërinë që krahasohen me kandidatë të pranuar më parë në të njëjtën fazë, ne kemi bërë shumë më tepër se sa ç’kanë bërë ata përpara anëtarësimit. Dhe në fakt, Komisioni në çdo hap na ka kërkuar të përmbushim ato rregulla të cilat duhet t’i zbatojmë kur hyjmë. Pra ne po zbatojmë rregullat e meritës, ende pa patur shansin për të qenë në të njëjtën dhomë me nusen. Do thosha është kastruese, po do them që është frustruese”, tha Rama.
Kreu i qeverisë i bëri komentet gjatë panelit me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”, ku morën pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, komisioneri evropian Valdis Dombrovskis dhe eurodeputeti Thijs Reuten.
Burimi ATSH

















