
Realizohen katër ndërhyrjet e para kirurgjikale në Mirditë, pjesë e modelit të patronazhimit spitalor
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu: Ky është një hap konkret në zbatimin e politikave të MSHMS për decentralizimin e kujdesit shëndetësor

Katër ndërhyrjet e para kirurgjikale të planifikuara janë realizuar në Spitalin Bashkiak të Mirditës, në bashkëpunim me Spitalin Universitar të Traumës.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, e cila përmes theksoi se “ky është një hap konkret në zbatimin e politikave të MSHMS për decentralizimin e kujdesit shëndetësor, duke e afruar trajtimin e specializuar me qytetarët dhe duke ulur fluksin drejt spitaleve universitare në Tiranë”.
Sipas Spahiut, përmes modelit të patronazhimit, forcohen kapacitetet e spitaleve rajonale dhe bashkiake, ndërsa ekspertiza e ekipeve të specializuara vihet në funksion të nevojave të qytetarëve.
“Një sistem shëndetësor më i balancuar do të thotë spitale lokale më të fuqizuara, akses më i lehtë për qytetarët dhe ngarkesë më e ulët për qendrat spitalore në Tiranë”, tha Spahiu.
Realizimi i katër ndërhyrjeve të para në Spitalin Bashkiak të Mirditës vjen në kuadër të përpjekjeve për të shtrirë më gjerë shërbimet shëndetësore dhe për të krijuar një sistem më të balancuar, ku spitalet bashkiake dhe rajonale të kenë një rol më të madh në ofrimin e kujdesit mjekësor.
Përmes këtij modeli synohet gjithashtu të reduktohet fluksi i pacientëve drejt spitaleve universitare në Tiranë, duke lehtësuar ngarkesën e tyre dhe duke përmirësuar njëkohësisht aksesin e qytetarëve në shërbimet shëndetësore.
Fuqizimi i spitaleve lokale dhe bashkëpunimi me qendrat universitare përbëjnë një nga drejtimet e politikave të Ministrisë së Shëndetësisë për decentralizimin e shërbimeve dhe përmirësimin e ofrimit të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin.
Marrë nga ATSH



















