
Përcaktohet kompensimi për bizneset që kanë punonjës në shërbimin ushtarak rezervist
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot kriteret dhe masën e kompensimit financiar për subjektet private gjatë periudhës kur punonjësit e tyre aktivizohen në shërbimin ushtarak rezervist në Forcat e Armatosura.

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot kriteret dhe masën e kompensimit financiar për subjektet private gjatë periudhës kur punonjësit e tyre aktivizohen në shërbimin ushtarak rezervist në Forcat e Armatosura.
Sipas vendimit të qeverisë, kompensimi do të përfitohet nga njësitë e biznesit, personat e vetëpunësuar dhe organizatat jofitimprurëse, në përputhje me kriteret dhe dokumentacionin e përcaktuar.
Për të përfituar kompensimin, subjektet duhet të jenë të regjistruara dhe të ushtrojnë veprimtarinë në përputhje me legjislacionin në fuqi, të kenë paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëmarrësin, si dhe të kenë dhënë dakordësinë me shkrim për aktivizimin e tij në shërbimin rezervist.
Masa e kompensimit për bizneset dhe organizatat jofitimprurëse përfshin kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si për punëdhënësin ashtu edhe për punëmarrësin, tatimin mbi të ardhurat dhe diferencën mes pagës bruto sipas marrëdhënies së punës dhe pagës bruto që punonjësi përfiton si ushtarak rezervist, kur kjo e fundit është më e ulët.
Për personat e vetëpunësuar, kompensimi përfshin kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimin mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi.
Sipas vendimit, llogaritja e kompensimit do të bazohet në pagesat korrente të deklaruara në sistemin elektronik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si dhe në pagën bruto të punonjësit dhe periudhën e aktivizimit në shërbimin ushtarak rezervist.
Kompensimi do të kryhet nga Ministria e Mbrojtjes, bazuar në dokumentacionin e paraqitur dhe në ditët e aktivizimit të shtetasit në shërbimin rezervist. Efektet financiare të zbatimit të vendimit do të përballohen nga buxheti i kësaj ministrie.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Burimi ATSH



















