
Miratohet akti normativ, gjoba dhe listë e zezë për personat e dhunshëm
Këshilli i Ministrave miratoi sot aktin normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për “Tubimet”, i cili parashikon masa administrative deri në 500 mijë lekë për personat me identitet të fshehur që nuk i binden urdhrit të Policisë

Këshilli i Ministrave miratoi sot aktin normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për “Tubimet”, i cili parashikon masa administrative deri në 500 mijë lekë për personat me identitet të fshehur që nuk i binden urdhrit të Policisë.
Akti Normativ përcakton kufizimet e përkohshme rreth objekteve të përcaktuara. Kur ka rrezik real, serioz e të afërt, të bazuar në fakte konkrete, për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës, drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose të kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, për një periudhë jo më të gjatë se 72 orë.
Vendimi përcakton saktësisht perimetrin, kohëzgjatjen dhe arsyet, publikohet menjëherë në mënyrë të aksesueshme dhe zbatohet vetëm pas publikimit. Ai mund të rinovohet vetëm një herë, me vendim të ri të arsyetuar.
Çdo person i interesuar mund ta ankimojë vendimin në Gjykatën Administrative, e cila vendos brenda 48 orëve. Ankimi nuk e pezullon zbatimin, përveç kur gjykata vendos ndryshe.
Kufizimi nuk mund të përfshijë të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore dhe nuk zbatohet ndaj të miturve të shoqëruar nga prindi, kujdestari ligjor ose një i rritur përgjegjës, kur ata kalojnë nëpër perimetrin e përcaktuar për të shkuar ose për t’u kthyer nga shkolla, vendbanimi, institucioni shëndetësor, institucioni i përkujdesjes sociale ose një veprimtari edukative, kulturore apo sportive. Ky nen nuk cenon kompetencën e drejtuesit të komisariatit të policisë për ndalimin ose kufizimin e një tubimi të caktuar.
Zona të mbrojtura konsiderohen stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet; perimetri rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore; zonat e tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak të botuar dhe të shënuara në terren, kur atje janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.
Sipas parashikimeve të ligjit, punonjësi i Policisë së Shtetit mund të urdhërojë një person të largohet nga një zonë e mbrojtur për një periudhë jo më të gjatë se 48 orë, kur personi, me sjelljen e tij konkrete, kanos, ngacmon në mënyrë të përsëritur ose ushtron dhunë ndaj personave, dëmton pronën ose pengon me dhunë aksesin dhe përdorimin e zonës.
Urdhri jepet me shkrim, përmban faktet konkrete dhe arsyet, mbi të cilat mbështetet, përcakton zonën, nga e cila personi duhet të largohet, dhe kohëzgjatjen e masës, si dhe i njoftohet personit, të cilit i dorëzohet një kopje. Ai nuk zbatohet për vendbanimin, vendin e punës, institucionin arsimor, institucionin shëndetësor, ku personi trajtohet, dhe zyrën e avokatit.
Urdhri nuk mund të jepet për shkak të pjesëmarrjes në një tubim paqësor, për shkak të karakteristikave personale të personit, statusit social, kombësisë ose pamjes së tij, apo vetëm për shkak të precedentëve penalë.
Akti normativ adreson po ashtu edhe thirrjet për dhunë nëpërmjet rrjeteve sociale gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve.
Kur, nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike ose komunikimeve telefonike, përcillen, publikohen ose shpërndahen mesazhe, që përmbajnë thirrje për dhunë, në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, pasi identifikon llogarinë, adresën elektronike dhe/ose numrin e telefonit, nëpërmjet të cilit është kryer komunikimi, i dërgon mbajtësit të llogarisë, adresës elektronike ose numrit të telefonit, një njoftim nëpërmjet të njëjtit kanal komunikimi, me anë të të cilit i kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla, duke e vënë në dijeni se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.
Policia e Shtetit i ofron personit mundësinë për të përfituar mbështetje psikologjike apo trajtime të tjera të specializuara, kur vlerësohet se ka nevojë për to. Në rast se përmbajtja nuk fshihet ose veprimet përsëriten, Policia e Shtetit ndërmerr masat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, Policia e Shtetit regjistron me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës gjatë tubimit, sipas ligjit për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna dhe dëmtimet e pronës gjatë tubimeve në hapësirën publike. Regjistrimet ruhen e përpunohen sipas atij ligji dhe ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale.
Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen. Konkretisht pjesëmarrja në një tubim të ndaluar, dënohet më gjobë në masën nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë.
Ndërsa mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit dënohet me gjobë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë. Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit dënohet me gjobë nga 20 mijë deri në 200 mijë lekë, ndërsa mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit dhe në rastet kur personi, ndaj të cilit është dhënë urdhri i shpërndarjes, është me identitet të fshehur, dënohet me gjobë nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.
Moszbatimi i urdhrit të largimit nga zona e mbrojtur dënohet me gjobë në masën nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, ndërsa fshehja e identitetit dënohet me gjobë në masën nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë. Sanksioni i parashikuar në këtë shkronjë nuk zbatohet kur mbulimi i fytyrës justifikohet nga një shkak i ligjshëm, përfshirë arsye shëndetësore, fetare, si dhe ushtrimin e një veprimtarie profesionale, përfshirë gazetarinë dhe medien, ofrimin e ndihmës mjekësore ose vëzhgimin e tubimit.
Po ashtu, përdorimi i uniformës, i shenjave ose i simboleve dënohet me gjobë në masën nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë. Mosbindja ndaj thirrjeve për largim dënohet me gjobë në masën nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë.
Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, kur veprimi nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 5 mijë lekë për çdo ditë bllokimi, për çdo person fizik që merr pjesë në bllokim, pavarësisht kohëzgjatjes së bllokimit gjatë asaj dite.
Gjobat vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me ligjin “”Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.”
Marrë nga ATSH



















