
Rama: Do të jem në krye të detyrës deri në ditën e fundit të kontratës me njerëzit e zakonshëm
Kryeministri Edi Rama u drejtoi sot qytetarëve shqiptarë një mesazh mbi ecurinë e ekonomisë dhe zhvillimin e vendit, si dhe u ndal te protestat dhe roli i studentëve, duke kundërshtuar aktet e dhunës dhe sulmet ndaj policisë.

Kryeministri Edi Rama u drejtoi sot qytetarëve shqiptarë një mesazh mbi ecurinë e ekonomisë dhe zhvillimin e vendit, si dhe u ndal te protestat dhe roli i studentëve, duke kundërshtuar aktet e dhunës dhe sulmet ndaj policisë.
Rama theksoi se Shqipëria po vijon transformimin përmes zhvillimit ekonomik, rritjes së investimeve, pagave dhe pensioneve, si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit.
“Me shumicën që qeveris jemi pengesa e madhe për ata dhe për atë Shqipëri që i ka lënë pas krahëve rrëmujat, borxhet, shëmtinë urbane; që rrit me punë e mund ekonominë e saj, investimet, pagat e pensionet; që e lufton korrupsionin dhe krimin me një drejtësi të pavarur pa parë majtas dhe pa parë djathtas”, u shpreh Rama.
Kryeministri vlerësoi zhvillimin e turizmit dhe procesin e integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria po fiton më shumë vlerësim ndërkombëtar.
“Shqipëria që sjell në derë 12 milionë e më shumë turistë çdo vit, që respektohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë dhe që po negocion me Bashkimin Europian, mbylljen e kapitujve të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027”, tha ai
Ai nënvizoi se qytetarët kanë të drejtë të kritikojnë qeverinë, të protestojnë dhe të kërkojnë drejtësi, pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike.
“Ata që urrejtja, për arsye nga më të ndryshmet, i pengon ta shikojnë dhe ta pranojnë këtë Shqipëri në transformim historik, e cila ka probleme dhe halle sa të duash, por që njëkohësisht hedh çdo ditë hapa përpara, me këtë shumicë qeverisëse dhe me punën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve janë absolutisht në të drejtën e tyre të kritikojnë, të protestojnë , të kërkojnë dorëheqjen time, sa në rrugë, sa në ekrane”, deklaroi kryeministri.
Rama theksoi se do të jetë në krye të detyrës deri në ditën e fundit të kontratës me njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë.
“Unë jam dhe do të jem në krye të detyrës sime deri në ditën e fundit të kontratës me njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë, që na kanë besuar këtë detyrë për të bërë çmosin tim për këtë vend të bekuar dhe jo për t’u ardhur pas avazit atyre që thonë ‘jemi studentë’ dhe shkulin gurët e bulevardit, që godasin policinë, apo atyre që thonë ‘jemi media’ dhe i mbajnë ndezur antenat e tyre me para të pista, për t’i bërë himne dhunës ndaj policisë, apo i ushqejnë me zarfa nën dorë dhunuesit me kravata dhe me dekolte alla ‘Big Brother” të ekraneve të tyre ”, u shpreh Rama.
Marrë nga ATSH


















