
Gogu: Shqipëria do ta vijojë digjitalizimin duke garantuar të drejtat e qytetarëve
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu deklaroi sot në Kuvend se Shqipëria do ta vijojë procesin e digjitalizimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu deklaroi sot në Kuvend se Shqipëria do ta vijojë procesin e digjitalizimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Gogu foli gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për ratifikimin e Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës”.
Ministri Gogu theksoi se mbi 95% e shërbimeve ndaj qytetarëve janë digjitalizuar, ndërsa mbi 3,5 milionë përdorues janë të regjistruar në platformën “e-Albania”, përmes së cilës janë kryer rreth 74 milionë aplikime.
“Shteti digjital nuk është më një projekt i së ardhmes, është realiteti i sotëm shqiptar”, u shpreh Gogu, duke nënvizuar se teknologjia ka ndryshuar mënyrën e marrëdhënies së qytetarëve dhe bizneseve me administratën publike.
Sipas tij, me rritjen e përdorimit të teknologjisë dhe algoritmeve në marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit, lind nevoja për të garantuar se të drejtat e qytetarëve mbrohen dhe se përgjegjësia për vendimmarrjen mbetet e identifikueshme.
“Vendimin publik nuk mund ta marrë algoritmi, vendimin duhet ta ketë një përgjegjës”, deklaroi ministri, duke shtuar se teknologjia mund të ndihmojë administratën për ta bërë punën më shpejt dhe në mënyrë më efikase, por përgjegjësia juridike duhet të mbetet e qartë.
Gogu theksoi se vendimet që prekin të drejtat e qytetarëve duhet të jenë të gjurmueshme, të kontrollueshme dhe të kundërshtueshme sipas ligjit. Po ashtu, qytetarët duhet të kenë informacion të mjaftueshëm për të kuptuar se kur dhe si një sistem teknologjik ndikon në një proces që i prek ata dhe cilat janë mjetet e mbrojtjes në dispozicion.
Duke iu referuar Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës, ministri Gogu e cilësoi atë si konventën e parë ndërkombëtare detyruese në këtë fushë, me synimin që zhvillimi dhe përdorimi i inteligjencës artificiale të ecë paralelisht me respektimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Ai sqaroi se ratifikimi i konventës nuk legalizon automatikisht sistemet ekzistuese, por vendos standarde me të cilat duhet të harmonizohet kuadri ligjor dhe nënligjor.
“Konventa e sotme nuk imponon një model institucional të gatshëm”, tha Gogu, duke shtuar se detyrimet që burojnë prej saj duhet të përkthehen në akte ligjore dhe nënligjore nga autoritetet publike dhe subjektet që veprojnë në emër të tyre.
Në lidhje me sistemin e drejtësisë, Gogu tha se teknologjia mund të përdoret për administrimin e gjykatave, menaxhimin e çështjeve dhe informacionit, por vendimmarrja gjyqësore mbetet përgjegjësi e gjyqtarit.
“Gjyqtari është ai që do të marrë vendimin gjyqësor. Pra, në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësohet nga IA, por pavarësia dhe përgjegjësia e gjyqtarit nuk do t’i delegohen ndonjë sistemi automatik”, u shpreh ministri.
Gogu theksoi se Shqipëria nuk ka nevojë të zgjedhë mes modernizimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por mund t’i zhvillojë paralelisht të dyja proceset.
“Shqipëria do të vazhdojë digjitalizimin e shtetit, do të vazhdojë ta përdorë teknologjinë për të ulur burokracinë, për të përmirësuar shërbimet dhe për ta bërë administratën më efikase”, deklaroi ai.
Në përfundim, ministri Gogu nënvizoi se shërbimet digjitale duhet të jenë të aksesueshme edhe për qytetarët me më pak aftësi digjitale, ndërsa mekanizmat e mbikëqyrjes të parashikuara nga konventa duhet të jenë efektivë dhe të paanshëm.
/Burimi ATSH



















