
Rama: Mes Shqipërisë dhe Italisë, një histori e gjatë afërsie dhe aleance
Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë një prononcimi për mediat italiane, se Shqipëria dhe Italia kanë një histori të gjatë afërsie dhe aleance, si dhe se Italia është përfaqësuesja më e mirë e interesave të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë një prononcimi për mediat italiane, se Shqipëria dhe Italia kanë një histori të gjatë afërsie dhe aleance, si dhe se Italia është përfaqësuesja më e mirë e interesave të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Kur thashë se Italia është alter egoja evropiane e Shqipërisë, doja të thoja atë që është e shenjtë: një histori shumë e gjatë, e cila ka qenë gjithmonë plot me episode shumë të rëndësishme, me humanizëm, afërsi dhe aleancë, dhe që duhet të vazhdojë”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria po ecën përpara me negociatat dhe se “është një rrugëtim jo i lehtë, sepse duhet t’ia dalim të bëjmë mirë “detyrat e shtëpisë”, të cilat janë të duhura dhe e ndihmojnë vendin të rritet nga pikëpamja institucionale”.
I pyetur nëse ka besim te ecuria pozitive e negociatave, Rama tha se është “si napolitanët: gjithmonë besues, kurrë pesimist”.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Itali për ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Napoli.
Pjesë e agjendës ishte edhe vizita te Katedralja e Gjuhës Shqipe në Universitetin “L’Orientale”, si dhe Universitetin “Parthenope”, ku do të marrë pjesë në pritjen me temë “Napoli, një urë miqësie, bashkëpunimi dhe zhvillimi mes Italisë dhe Shqipërisë”.
Vizita në Itali do të përmbyllet me një takim me rektorët e universiteteve të Napolit, ku së bashku me ministren Kumbaro kreu i qeverisë do të diskutojë për mundësitë e sinergjive me universitetet tona në kuadrin e ndërkombëtarizimit.
/Burimi ATSH



















