Kumbaro uron nxënësit në ditën e parë të shkollës: Më shumë kushte bashkëkohore dhe siguri

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro,u është drejtuar me një videomesazh të gjithë nxënësve në arsimin parauniversitar, duke u uruar suksese dhe një vit të mbarë shkollor.


Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro,u është drejtuar me një videomesazh të gjithë nxënësve në arsimin parauniversitar, duke u uruar suksese dhe një vit të mbarë shkollor.

Përmirësimi i infrastrukturës, rritja e masave të sigurisë dhe zgjerimi i aktiviteteve pas shkolle, shënojnë nisjen e vitit të ri shkollor 2026–2027.

Kumbaro nënvizon punën e Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve arsimore për sigurimin e kushteve më të mira të mësimdhënies dhe për krijimin e mjedisit të ngrohtë e nxitës në shkolla, veçanërisht për rreth 25 mijë fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

“Kjo do të jetë një ditë që do ta mbani mend gjatë, ndoshta gjatë gjithë jetës suaj, prandaj ne të rriturit, mësuesit, drejtori i shkollës suaj, jemi kujdesur që kjo të jetë një ditë e bukur, e gëzueshme dhe ju të ruani kujtime të bukura prej saj. Ju sot do të njihni shkollën tuaj, do të mësoni ku do të jetë klasa juaj, do të mësoni ku është palestra ku do të luani, oborri ku do të pushoni, laboratori inteligjent i shkollës ku do të mësoni të bëni gjëra të bukura, do të mësoni emrat e shokëve dhe shoqeve tuaj. Ne sot jemi së bashku dhe do të jemi së bashku kështu e çdo ditë të vitit shkollor”, shprehet Kumbaro.

Ministrja thekson se “ne do të punojmë çdo ditë këtë vit që ju të keni kushte sa më të mira ku mësoni, laboratore, smartlabe dhe projekte ku ju mund të mësoni e shkëlqeni siç është festivali i shkencës, siç janë olimpiadat, siç është konkursi i gjuhës, apo konkursi i zërave të bardhë nëpër kore”.

Ajo sjell në vëmendje edhe ndalimin e celularit në shkolla.

“Dhe mos u mërzisni nëse mësuesja ju kërkon të fusni celularin në kuti para se të futeni në mësim. Mos e quani një urdhër – ndalim. Është shumë e rëndësishme që e gjithë vëmendja dhe fokusi juaj të jetë në mësim. Suksesi dhe profesioni që do të keni nesër varet nga sa do të mësoni SOT! – veçanërisht ju maturantë të dashur që keni një vit plot sfida përpara dhe vetëm të mësuarit do të mund t’ju nxjerrë faqebardhë”, shprehet Kumbaro.

Ky vit shkollor sjell edhe një sërë zhvillimesh të rëndësishme për nxënësit, mësuesit dhe familjet.

53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert këtë vit shkollor, ndërsa më herët ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka bërë të ditur se janë miratuar edhe 39 projekte të tjera për rikonstruksionin e shkollave.

Me fokusin për sigurinë në shkolla, këtë vit do të jenë në shërbim të nxënësve mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara.

Paralelisht është fuqizuar edhe shërbimi psiko-social, me 900 psikologë dhe punonjës socialë që do të jenë të pranishëm në shkollat e vendit gjatë vitit shkollor 2026–2027, për t’iu përgjigjur nevojave sociale dhe emocionale të nxënësve.

20 shkolla të Tiranës janë pjesë e projektit pilot “Smart City”, me kushte të shtuara sigurie përmes kamerave inteligjente.

Një prej risive të këtij viti është programi “Pas Shkolle”, i cili pas fazës pilot në Tiranë gjatë vitit të kaluar, shtrihet tashmë në 408 shkolla në të gjithë Shqipërinë.

Në javët e para të vitit shkollor, nxënësit dhe prindërit do të informohen mbi funksionimin e programit dhe do të kenë mundësinë të zgjedhin klubet ku dëshirojnë të marrin pjesë, nga arti e muzika te teatri, sporti, zejet dhe aktivitete të tjera.

Për organizimin e tyre, aktualisht është e hapur edhe thirrja për trajnerët, ku mund të aplikojnë mësues, mësues në pension, artistë, artizanë dhe profesionistë të fushave përkatëse.

Ndërkohë, nga të dhënat paraprake nga Ministria e Arsimit për këtë vit shkollor, janë rreth 1200 nxënës që janë transferuar nga shkollat jo-publike në shkollat publike, një prirje që tregon besimin në rritje të familjeve te cilësia dhe mundësitë që ofron sistemi publik i arsimit.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Rama: Shkollat e rilindura me kushte dhe standarde të reja

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot për një vit të mbarë shkollor nxënësit mësuesit, drejtuesit e shkollave, por edhe vetë…

Global 360

Kosova me Qeveri të re, Kurti zgjidhet kryeministër për herë të katërt

Kuvendi i Kosovës e ka votuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kazakistani votoi për Kurultain: një arkitekturë e re politike merr mandatin e saj të parë

Zgjedhjet e 23 gushtit për Kurultain përbëjnë një moment themelor në institucionalizimin e rendit të ri kushtetues të Kazakistanit.

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama: Shkollat e rilindura me kushte dhe standarde të reja

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot për një vit të mbarë shkollor nxënësit mësuesit, drejtuesit e shkollave, por edhe vetë…