Rama me fituesit olimpiadave: Jeni shembulli se si Shqipëria duhet të mendojë e të ngjitet sa më lart

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me nxënësit fitues të olimpiadave ku vlerësoi përkushtimin dhe rezultatet e tyre si dhe i cilësoi ata si një shembull frymëzues për të gjithë të rinjtë shqiptarë.


Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me nxënësit fitues të olimpiadave ku vlerësoi përkushtimin dhe rezultatet e tyre si dhe i cilësoi ata si një shembull frymëzues për të gjithë të rinjtë shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te vështirësitë me të cilat mund të përballen nxënësit në jetën e përditshme, duke theksuar se suksesi nuk përcaktohet vetëm nga kushtet sociale apo ekonomike.

“Ju jeni fëmijë që vini nga shkolla të ndryshme, vini nga familje me status të ndryshëm social, vini nga territore të ndryshme të Shqipërisë dhe do përsëris diçka që e them gjithmonë kur takohem me nxënësit në atë ceremoninë e medaljeve që ne bëjmë çdo vit. Jam i bindur që edhe mes jush ka fëmijë që kanë probleme në familje, që kanë prindër të cilët mund të mos jenë në gjendje të mirë sociale apo ekonomike, që kanë kushte jo të lehta për të qenë plotësisht të fokusuar tek puna e tyre e përditshme që është mësimi”, tha ai.

Rama i cilësoi nxënësit fitues si “absolutisht të jashtëzakonshëm në forcën e shembullit të tyre”, duke nënvizuar se kapërcimi i pengesave dhe arritja e rezultateve të larta përbën një formë heroizmi.

Rama shtoi se “ju jeni shembulli se si Shqipëria e gjitha duhet të mendojë në fakt, që pavarësisht vështirësive, pavarësisht prapambetjes në disa aspekte ende objektive për shkak të historisë, pavarësisht përmasës vetë të vogël, pavarësisht, pavarësisht, pavarësisht, të guxojë, të synojë, të ngjitet sa më lart dhe të ngjitet sa më shpejt. Dhe ju e bëni këtë pikërisht. Forca e shembullit tuaj është heroike në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse të jesh hero nuk do të thotë t’ja hapësh jetën në luftë me një armik, thjesht dhe kaq që patjetër është një akt sublim. Të jesh hero do të thotë që të kapërcesh të gjitha pengesat që të tjerë në të njëjtat kushte nuk do guxonin as të mendonin se mund t’i kapërcejnë dhe jo më t’i kapërcejnë”.

Ai foli gjithashtu për sfidat që mund të sjellë suksesi, përfshirë paragjykimet dhe smirën nga të tjerët. Duke iu referuar shkrimtarit Faik Konica, Rama tha se shqiptarët shpesh e kanë të vështirë të pranojnë suksesin e tjetrit.

Në vijim, kryeministri i cilësoi nxënësit fitues si një burim frymëzimi edhe për të, duke theksuar se shembujt e njerëzve që arrijnë sukses pavarësisht vështirësive janë të rëndësishëm për shoqërinë.

“Dhe nga ana tjetër të rrezatosh me shembullin tënd tek të tjerët. Unë e di që ju keni mbase edhe problemin tjetër që jeni shumë të mirë, jeni shumë të shkëlqyer për të qenë idhuj të klasës. E jam i bindur që disa prej jush vuajnë nga zërat dhe nga fjalët që ju thuhen për shkak të smirës që është krejt njerëzore, por fakti që ju jeni këtu tregon që juve nuk dëgjoni fare nga ai vesh dhe është mirë që mos dëgjoni fare nga ai vesh. Sa më shumë të bëni sukses, aq më të fortë do jenë zërat që do të përpiqen t’ju thonë se suksesi juaj nuk është i vërtetë, se ju jeni të tillë ose të atillë, se vlerësimi që ju është bërë nuk është i merituar e të tjerë, e të tjerë.

“Dhe mos harroni që ne jemi të gjithë shqiptarë. Dhe siç thoshte Faik Konica, “Ne jemi shumë të mirë dhe falim çdo gjë përveç suksesit të tjetrit. Ne nuk e falim suksesin e tjetrit”. Gjë që e bën suksesin akoma më të vështirë për t’u arritur në këto kushte. Por ju e keni arritur”, tha Rama.

Rama shtoi se “ajo që unë dua t’ju them sot është, së pari, për mua personalisht ju jeni frymëzim, sepse në punën që unë bëj kam nevojë që të frymëzohem nga shembuj njerëzish që në kushte që nuk janë kushte ideale për të bërë sukses, bëjnë sukses.

“Dhe kur kam parasysh ata ndër ju që, siç thashë, jetojnë në vështirësi të caktuara për shkak të statusit social të familjes, atëherë për mua ky është inspirim. Kur e bëni ju, atëherë unë patjetër që duhet ta bëj”.

Rama u bëri thirrje të rinjve të besojnë te vetja dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre.

“Besojini, symbyllur, ëndrrës që shikoni me sy hapur. Nëse ju ëndërroni me sy hapur që doni ta arrini një majë, atëherë mos dëgjoni askënd që ju thotë: kjo nuk arrihet”, tha Rama.

Ai theksoi se rrugëtimi drejt suksesit nuk do të jetë gjithmonë i lehtë dhe se të rinjtë do të përballen me humbje, dështime dhe vështirësi, por ajo që ka rëndësi është të mos humbasin besimin te qëllimi i tyre.

“Edhe përballë mjegullës më të madhe dhe nën renë më të zezë, juve symbyllur të besoni që ajo majë që ju keni parë me sy hapur është e juaja dhe vetëm ju mund ta arrini dhe ju do ta arrini”, përfundoi kryeministri.

/Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Rama: “Pasqyra”, sistem i ri ligjor për ankesat, kërkesat dhe problematikat e qytetarëve

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se synohet që “Pasqyra” të formalizohet përmes një ligji të ri, ndërsa “Shkalla e meritës”…

Global 360

Rosolen: Porti i Triestes kërkon integrimin ekonomik të Ballkanit

Porti i Triestes kërkon integrimin e Ballkanit në projektet e zhvillimit ekonomik. Në një skenar krize ndërkombëtare, integrimi i pjesës…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kazakistani votoi për Kurultain: një arkitekturë e re politike merr mandatin e saj të parë

Zgjedhjet e 23 gushtit për Kurultain përbëjnë një moment themelor në institucionalizimin e rendit të ri kushtetues të Kazakistanit.

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama: “Pasqyra”, sistem i ri ligjor për ankesat, kërkesat dhe problematikat e qytetarëve

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se synohet që “Pasqyra” të formalizohet përmes një ligji të ri, ndërsa “Shkalla e meritës”…