
Rama: “Revolucioni i Flamingove” tregon pritshmëritë e larta që kanë krijuar qytetarët
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Revolucioni i Flamingove” është revolucioni i pritshmërive të larta që kanë krijuar qytetarët për qeverisjen e vendit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Revolucioni i Flamingove” është revolucioni i pritshmërive të larta që kanë krijuar qytetarët për qeverisjen e vendit.
Në një intervistë për podkastin “Flasim shqip” me gazetaren Rudina Xhunga, Rama tregoi se fillimisht nuk e kishte kuptuar menjëherë qëllimin e protestës.
“Nuk e prisja, nuk e kuptova menjëherë. M’u desh të filloj të ndjek shenjat, të analizoj, edhe ka pasur disa momente që më kanë ndihmuar shumë për ta kuptuar deri në fund dhe pastaj, sigurisht, e kam shoqëruar edhe me lexim dhe, faktikisht, kam kuptuar që jemi në këtë fazë. Është diçka shumë e mirë, sepse është, si të thuash, një ndryshim, një ndryshim zyrtar ose i vulosur nga njerëzit i stinës së Shqipërisë, por është diçka shumë sfiduese, sepse padurimi është i madh”, tha Rama.
Por sipas tij, “sa më shumë vendi ecën, aq më shumë qytetari nuk është i prirur të shohë çfarë u bë, po është i prirur të kërkojë më tepër.
“Është paradoksi i suksesit”, tha Rama, ndërsa u shpreh se ky është një kapërcim shumë i madh.
Rama foli edhe për ndikimin e algoritmit në protestë, ndërsa u shpreh se ishte një narrativë e krijuar dhe e nxitur nga një ushtri ushtarësh jo realë, të rritur në laboratorët e teknologjisë. “Mbas tyre janë operatorët, janë forcat që i hedhin në luftë”, shtoi ai.
Marrë nga ATSH



















