
“Euronews”: Tirana shpallet qyteti më ekonomik për pushime në Evropë
Tirana renditet në vendin e parë si destinacioni më ekonomik për një udhëtim në qytet në Evropë, me një kosto mesatare prej rreth 59 eurosh në ditë për person, shkruan Dianne Apen-Sadler në një artikull të botuar në “Euronews”.

Tirana renditet në vendin e parë si destinacioni më ekonomik për një udhëtim në qytet në Evropë, me një kosto mesatare prej rreth 59 eurosh në ditë për person, shkruan Dianne Apen-Sadler në një artikull të botuar në “Euronews”.
Ndryshimi i çmimeve të udhëtimeve dhe rritja e kostove të fluturimeve kanë bërë që shumë turistë të kërkojnë destinacione më të përballueshme.
Për ata që planifikojnë të udhëtojnë në Evropë gjatë shtatorit, një analizë e kompanisë britanike të udhëtimit dhe turizmit “Thomas Cook”, ka identifikuar 13 qytete ku shpenzimet ditore janë nën 100 euro për person.
Për renditjen, agjencia ka analizuar më shumë se 50 destinacione të njohura, duke llogaritur çmimet mesatare të një nate në hotel me tre yje, një vakti në një restorant ekonomik, një kafeje, transportit publik ditor dhe biletave për atraksionet turistike.
Tirana, destinacioni evropian më ekonomik
Sipas analizës, Tirana është qyteti më ekonomik në Evropë, me një kosto mesatare prej rreth 59 eurosh në ditë për person.
Qëndrimi në një hotel me tre yje, kushton mesatarisht 32 euro për person në natë, ndërsa një vakt në një restorant ekonomik rreth 8,50 euro.
Një birrë vendase kushton rreth 1,50 euro.
Në vendin e dytë renditet Bukureshti i Rumanisë, me rreth 66 euro në ditë për person.
Në pesëshen e parë janë edhe Antalia në Turqi dhe Varshava në Poloni, me nga 78 euro, ndërsa Stambolli renditet i pesti, me rreth 82 euro në ditë.
Sipas Nicholas Smith, drejtor i paketave dinamike në kompaninë britanike “Thomas Cook”, qytetet e Evropës Lindore dhe destinacionet turke vazhdojnë të ofrojnë çmime të përballueshme, por me rritjen e numrit të turistëve, ato mund të bëhen gjithnjë e më njohura dhe të kërkuara.
Qytetet evropiane me koston më të ulët ditore
Tiranë, Shqipëri – 59 €
Bukuresht, Rumani – 66 €
Antalia, Turqi – 78 €
Varshavë, Poloni – 78 €
Stamboll, Turqi – 82 €
Muğla, Turqi – 87 €
Krakovë, Poloni – 87 €
Vilnius, Lituani – 90 €
Frankfurt, Gjermani – 90 €
Lion, Francë – 91 €
Talinn, Estoni – 93 €
Heraklion, Greqi – 99 €
Porto, Portugali – 100 €
Marrë nga ATSH



















