
Rregullat e reja për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që përcakton rregullat, procedurat, shpenzimet dhe kompensimin financiar për punonjësit e institucioneve publike që dërgohen me shërbim jashtë vendit, duke zëvendësuar kuadrin rregullator në fuqi prej vitit 2011.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që përcakton rregullat, procedurat, shpenzimet dhe kompensimin financiar për punonjësit e institucioneve publike që dërgohen me shërbim jashtë vendit, duke zëvendësuar kuadrin rregullator në fuqi prej vitit 2011.
Vendimi parashikon se punonjësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, përfshirë edhe këshilltarët e jashtëm në administratën qendrore, përfitojnë mbështetje financiare për shpenzimet e udhëtimit kur marrin pjesë në konferenca, takime pune, veprimtari ndërkombëtare apo trajnime afatshkurtra jashtë vendit.
Sipas vendimit, çdo institucion do të hartojë në fillim të vitit programin vjetor të veprimtarive që do të zhvillohen jashtë vendit, në përputhje me fondet buxhetore të disponueshme. Dërgimi me shërbim do të bëhet me urdhër të titullarit të institucionit, ku do të përcaktohen qëllimi i udhëtimit, niveli i përfaqësimit dhe numri i pjesëmarrësve.
Vendimi përcakton se shpenzimet që mbulohen përfshijnë transportin ndërkombëtar dhe vendas, akomodimin në hotel, siguracionin shëndetësor, tarifat e vizës dhe detyrime të tjera të lidhura me udhëtimin, si edhe shpenzimet ushqimore sipas kategorive të funksioneve dhe shteteve pritëse.
Për trajnimet afatshkurtra, me kohëzgjatje deri në një muaj, punonjësit do të përfitojnë 40 euro ose dollarë amerikanë në ditë për ushqim, në rastet kur ky shpenzim nuk mbulohet nga pala pritëse. Kur pala pritëse mbulon vetëm një pjesë të shpenzimit, institucioni do të kompensojë diferencën deri në këtë vlerë.
Vendimi përcakton kriteret për akomodimin në hotel sipas kategorive të funksioneve, duke lejuar, në raste të veçanta, akomodim në struktura me kategori më të lartë kur kjo diktohet nga organizimi i aktivitetit ose rezulton ekonomikisht më i favorshëm.
Në rastet kur aktiviteti financohet pjesërisht nga organizatorët, institucioni mbulon vetëm pjesën e pambuluar të shpenzimeve, ndërsa kur të gjitha kostot mbulohen nga pala pritëse, nuk kryhet asnjë pagesë nga buxheti i institucionit.
Vendimi parashikon edhe procedurat për kompensimin e shpenzimeve. Punonjësit do të marrin paraprakisht paradhënie për shpenzimet e udhëtimit, ndërsa pas kthimit do të bëhet rakordimi mbi bazën e dokumentacionit justifikues. Në rast se janë paguar më shumë fonde se sa shpenzimet faktike, diferenca do të kthehet në buxhet, ndërsa në rast të kundërt institucioni do të likuidojë shumën e mbetur.
Rregullat e reja rekomandohen të zbatohen edhe nga entet publike jobuxhetore, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50% shtetëror.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet vendimi nr. 870, datë 14 dhjetor 2011, “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit”. Vendimi i ri hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Burimi ATSH



















