
Rama: Dyfishuam mbështetjen ekonomike për 11 mijë të rinj me aftësi të kufizuara
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 11 mijë fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara përfitojnë nga vendimi i qeverisë për dyfishimin e mbështetjes ekonomike.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 11 mijë fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara përfitojnë nga vendimi i qeverisë për dyfishimin e mbështetjes ekonomike.
Bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim në Qendrën Sociale “Jonathan”, mbi dyfishimin e mbështetjes ekonomike të fëmijëve e të rinjve me aftësi të kufizuar, si dhe për garancitë e reja shëndetësore e shoqërore për kujdestarët e tyre.
“Me shumë dashuri dhe shpresë zgjodhëm këtë vend për të folur pak më gjerë për vendimin e marrë para pak javësh, kur qeveria realizoi dyfishimin e mbështetjes për të gjithë fëmijët që janë me aftësi të veçanta”, tha Rama.
Sipas tij, “prej një kohe të gjatë mbështetja për këta fëmijë ishte bërë realisht e pamjaftueshme”.
“Jo se është e mjaftueshme, por ishte bërë realisht e pamjaftueshme duke pasur parasysh dhe kostot e jetesës dhe vështirësitë e tjera. Ne premtuan dyfishimin e mbështetjes për ta dhe sot është realitet”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te vendimi për pagesën e sigurimeve shëndetësore e shoqërore për kujdestarët e tyre.
“Një nënë që i përkushtohet një fëmije me aftësi të veçanta e ka të pamundur të punojë normalisht. Duke qenë se nuk shkon dot në punë përballet me problemin e mungesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjë që e cenon padrejtësisht edhe mundësinë për të marrë një pension të merituar nesër, apo për të pasur akses në sistemin shëndetësor ashtu si duhet”, tha Rama.
Ndaj, kryeministri theksoi se buxheti i shtetit do të paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për të gjitha nënat, njësoj sikur ato të ishin në punë.
“Është e rëndësishme të kuptohet se ne nuk jemi jashtë realitetit asnjëherë, dhe nuk jemi të pavëmendshëm për kërkesat e vazhdueshme që vijnë nga grupet shoqërore. Jemi këtu për të bërë më shumë dhe jo për të fjetur mbi dafinat e arritjeve dhe sukseseve të pamohueshme në shumë drejtime”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se Shqipëria ka një sistem të besueshëm të mbrojtjes shoqërore sepse tashmë është më funksional, më efikas dhe më i shpejtë.
“Çfarë arrihet është diçka që bëhet shkuar dhe e ardhmja nuk është në funksion të së shkuarës. Na duhet e shkuara për të mos harruar nga jemi nisur, sepse kush nuk e ka para syve nga është nisur e ka të pamundur të arrijë aty ku do. Por nga ana tjetër jetojmë në një kohë kur gjithmonë e më shumë njerëzit në këtë fazë të re zhvillimi kanë pritshmëri dhe ballafaqohen me to”, shtoi Rama.
Burimi ATSH



















