
Kos: Shqipëria tashmë pjesë e familjes europiane në tri fusha
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cilësoi mbylljen e tre kapitujve të parë negociatorë me Shqipërinë si një moment të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit.

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cilësoi mbylljen e tre kapitujve të parë negociatorë me Shqipërinë si një moment të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Thomas Byrne, ministër i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen i Irlandës, dhe Kryeministrin Edi Rama, pas Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Kos u shpreh se kjo është një arritje e rëndësishme për Shqipërinë dhe për procesin e zgjerimit.
“Sot mbyllëm tre kapitujt e parë me Shqipërinë. Është një moment i madh për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Është një super e martë për zgjerimin dhe Shqipëria është pjesë e saj”, deklaroi Kos.
Ajo bëri të ditur se kapitujt e mbyllur lidhen me kërkimin shkencor, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë.
“I mbyllëm kapituj për kërkimin shkencor, për arsimin, kulturën dhe po kështu për marrëdhëniet e jashtme. Tre përfunduan, kanë mbetur edhe 30 të tjera”, tha Komisionerja për Zgjerimin.
Sipas saj, në këto fusha Shqipëria tashmë është pjesë e familjes europiane praktikisht.
“Shqipëria ka qenë në përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së për shumë vite tashmë. Universitetet shqiptare janë pjesë e rrjetit europian të kërkimit dhe inovacionit. Vendet që marrin pjesë në Horizon Europe dhe më shumë se 50 mijë studentë shqiptarë kanë marrë pjesë në Erasmus+ që prej nisjes së programit në vitin 2014”, u shpreh Kos.
Komisionerja për Zgjerimin përgëzoi autoritetet shqiptare për këtë arritje, duke theksuar se progresi u bë i mundur pas përmbushjes së piketave të ndërmjetme për sundimin e ligjit.
“Kjo u bë e mundur se Shqipëria ka përmbushur piketat e ndërmjetme për sundimin e ligjit muajin e kaluar. Piketat e ndërmjetme janë një portë hyrëse që çdo vend kandidat duhet të kalojë përpara se të nisë të mbyllë kapitujt e negociatave”, deklaroi ajo.
Kos nënvizoi se reformat duhet të vijojnë dhe të thellohen, veçanërisht në fushat themelore të procesit të integrimit.
“Ky është një hap i rëndësishëm që do të thotë se reformat në këtë fushë duhet të vazhdojnë dhe të thellohen. Lidhja midis progresit në anëtarësim dhe përputhshmërisë me kapitujt themelorë do të jetë parimi udhëzues ndërkohë që Shqipëria ecën përpara drejt objektivit të saj ambicioz për të mbyllur kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027”, tha ajo.
Komisionerja inkurajoi vijimin e progresit në sundimin e ligjit, të drejtat themelore, sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ne jemi tashmë në mbështetje të Shqipërisë për të vazhduar dhe për të këmbëngulur tek reformat thelbësore dhe për të mbajtur këto vendime në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse. Kjo do të përfshijë të gjitha forcat politike, shoqërinë civile dhe publikun e përgjithshëm”, u shpreh Kos.
Ajo iu referua gjithashtu rezultateve të sondazheve të perceptimit për mbështetjen e qytetarëve shqiptarë ndaj integrimit europian.
“Në Shqipëri, 92% e qytetarëve janë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. 94% e qytetarëve mendojnë se anëtarësimi do të sjellë më shumë avantazhe. 93% i besojnë BE-së. Ky është rezultati më i mirë nga të gjitha vendet kandidate”, deklaroi Kos.
Sipas saj, reformat mund të kenë sukses vetëm nëse përfshijnë të gjithë aktorët e shoqërisë.
“Reformat që i shërbejnë Shqipërisë mund të kenë sukses vetëm nëse të gjithë ata që janë të prekur kanë shansin të dëgjohen dhe të përfshihen. Kështu anëtarësimi në BE shndërrohet në një proces transformues për kandidatët”, tha ajo.
Në përfundim, Komisionerja për Zgjerimin theksoi se mbështetja politike dhe publike për integrimin europian janë elementë të rëndësishëm për suksesin.
“Udhëheqja politike dhe mbështetja publike në favor të anëtarësimit në BE janë përtej dyshimit një recetë shumë e fortë për sukses. Është në duart tuaja që të jepni rezultate për pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, duke intensifikuar harmonizimin me rregullat e BE-së dhe duke dhënë rezultate në reformat që kanë më shumë rëndësi për ta”, përfundoi Marta Kos.
Burimi ATSH


















