Ambasadorët e akredituar në Shqipëri zbulojnë nga afër magjinë e veriut

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi një vizitë të dedikuar për ambasadorët e akredituar në Republikën e Shqipërisë, në Shkodër, Tamarë, Lepushë, Razmë dhe Lezhë.


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi një vizitë të dedikuar për ambasadorët e akredituar në Republikën e Shqipërisë, në Shkodër, Tamarë, Lepushë, Razmë dhe Lezhë.

Gjatë vizitës ata patën mundësinë të zbulojnë nga afër magjinë e veriut shqiptar, bukurinë e rrallë të Alpeve dhe potencialin e jashtëzakonshëm që këto zona ofrojnë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe turizmin malor.

Përfaqësuesit diplomatikë vizituan peizazhet spektakolare, livadhet alpine, historinë, traditat dhe mikpritjen karakteristike të Malësisë së Madhe, Shkodrës dhe Lezhës, rajone që mishërojnë një ndërthurje unike të natyrës, kulturës dhe trashëgimisë njerëzore.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha në një postim në rrjetet sociale tha se “ambasadorët u njohën gjithashtu me pasurinë e jashtëzakonshme kulturore të kësaj treve, me folklorin, muzikën, vallet tradicionale, mjeshtërinë e artizanatit, si dhe me hijeshinë dhe elegancën e kostumeve popullore, të cilat mbeten ndër shprehjet më autentike të identitetit dhe shpirtit krijues të shqiptarëve”.

Vizita shërbeu gjithashtu si një rast për të vlerësuar përpjekjet e autoriteteve dhe komuniteteve lokale për të promovuar një model zhvillimi që respekton mjedisin, ruan identitetin kulturor dhe krijon mundësi të reja ekonomike për banorët e zonës.

“Në një kohë kur Shqipëria po afirmohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik me katër stinë, vëmendja ndaj rajoneve malore merr një rëndësi të veçantë. Veriu i vendit, me pasuritë e tij natyrore dhe njerëzore, përfaqëson një shembull të shkëlqyer të potencialit që ofron turizmi i qëndrueshëm për të nxitur zhvillimin lokal dhe për të harmonizuar traditën me modernitetin”, tha Hoxha.

Nga kalldrëmet dhe historia mijëravjeçare e Shkodrës, te luginat e Tamarës, livadhet e Lepushës, qetësia e Razmës dhe trashëgimia e pasur historike e Lezhës, ambasadorët përjetuan nga afër një Shqipëri autentike, mikpritëse dhe plot potencial për të ardhmen.

“Diplomacia ndërtohet jo vetëm në tryezat e negociatave, por edhe përmes njohjes së ndërsjellë, dialogut të sinqertë dhe përvojave të përbashkëta”, tha Hoxha.

Ministri Hoxha vuri në dukje se “në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar, ndërtimi i urave të besimit dhe miqësisë mbetet investimi më i qëndrueshëm në shërbim të paqes, bashkëpunimit dhe partneritetit afatgjatë, duke forcuar lidhjet mes njerëzve, vendeve dhe popujve”.

“E duam Shqipërinë tonë të bukur, të ruajtur dhe të zhvilluar njëkohësisht, në harmoni të plotë mes njeriut dhe natyrës, për sot dhe për mot, për fëmijët tanë dhe brezat që do të vijnë. Shqipëria do të bëhet si gjithë Evropa vetëm përmes punës e përpjekjeve, dhe do të jetësohet kur të jetë në tavolinën e madhe evropiane”, tha Hoxha.

Ministri Hoxha falënderoi kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, atë të Malësisë së Madhe, Tonin Marina, kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu, si edhe të gjithë ata që, sipas tij, “me përkushtim dhe bashkëpunim të ngushtë, bënë të mundur që mikpritja tradicionale e kësaj treve të shpalosej në mënyrën më të bukur, me përulsi e dinjitet, si një nga pasuritë më të çmuara të Shqipërisë”.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Hoxha takim me ministrin e Ekonomisë dhe Digjitalizimit në Rumani: Angazhim për rritjen e shkëmbimeve tregtare

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha u takua në Bukuresht me Daniel-Cătălin Zamfir, ministrin e Ekonomisë, Digjitalizimit,…

Global 360

Herzog mandaton Gadi Eisenkot për formimin e qeverisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, pritet t’i japë politikanit të opozitës, Gadi Eisenkot, mandatin për formimin e qeverisë së re

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Hoxha takim me ministrin e Ekonomisë dhe Digjitalizimit në Rumani: Angazhim për rritjen e shkëmbimeve tregtare

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha u takua në Bukuresht me Daniel-Cătălin Zamfir, ministrin e Ekonomisë, Digjitalizimit,…