
Malaj: Xhiroja e deklaruar e bizneseve u rrit me 11% në 4-mujorin e parë të vitit
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se treguesit makroekonomikë dhe fiskalë të katërmujorit të parë të vitit 2026 konfirmojnë vijimin e tendencës pozitive të rritjes ekonomike në vend.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se treguesit makroekonomikë dhe fiskalë të katërmujorit të parë të vitit 2026 konfirmojnë vijimin e tendencës pozitive të rritjes ekonomike në vend, të shoqëruar me rritjen e të ardhurave, përmirësimin e administrimit fiskal, formalizimin e ekonomisë dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik.
Gjatë një konference për shtyp mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, Malaj theksoi se të dhënat fiskale tregojnë një zhvillim pozitiv të ekonomisë shqiptare.
“Treguesit fiskalë konfirmojnë vijimin e tendencës pozitive të rritjes ekonomike, të rritjes së të ardhurave, të përmirësimit të administrimit fiskal, si dhe formalizimit më të lartë të ekonomisë dhe rritjes së aktivitetit ekonomik”, u shpreh ministri.
Duke u ndalur te qarkullimi i deklaruar i biznesit, Malaj bëri të ditur se gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026 është regjistruar një rritje dyshifrore krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Po të bëjmë një krahasim të xhiros së deklaruar përgjatë katërmujorit të parë të vitit 2026 me të njëjtën periudhë të vitit 2025, rezulton se kemi një rritje dyshifrore me 11%. E thënë në terma monetarë, rritja është 133 miliardë lekë, ose rreth 1,4 miliardë euro më shumë xhiro e deklaruar sesa në katërmujorin e parë të një viti më parë”, tha ai.
Sipas ministrit, kjo rritje është mbështetur kryesisht nga tre sektorë të ekonomisë, me kontributin më të madh nga sektori i shërbimeve.
“Kjo rritje është e mbështetur nga tre sektorë, kryesisht nga sektori i shërbimeve, i cili ka shënuar një rritje më të lartë me 24,5%. Kjo tregon në fakt zgjerimin e aktivitetit ekonomik në sektorë të lidhur me turizmin, por edhe sektorë të tjerë të ndërlidhur”, deklaroi Malaj.
Ai shtoi se rritja e qarkullimit është ndjekur edhe nga performanca pozitive e sektorit të ndërtimit dhe tregtisë.
“Kjo rritje pasohet edhe nga sektori i ndërtimit, i cili ka regjistruar një rritje me 13,2%, e pasuar më tej nga sektori i tregtisë me një rritje prej 10,4%”, tha ministri.
Malaj vlerësoi se rritja e qarkullimit të biznesit është rezultat i një kombinimi faktorësh ekonomikë dhe fiskalë.
“Rritja e qarkullimit të biznesit në fakt vjen si kombinim i disa faktorëve, siç janë rritja ekonomike, formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë, por nga ana tjetër edhe një rritje e konsumit të brendshëm, i cili mbështetet si nga zgjerimi i punësimit, ashtu edhe nga rritja e të ardhurave”, nënvizoi ai.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se gjatë katërmujorit të parë është rritur edhe numri i bizneseve të reja të regjistruara në vend.
“Përveç rritjes së qarkullimit, kemi gjithashtu një rritje të numrit të bizneseve të reja përgjatë këtij katërmujori. Kemi 8,070 biznese të reja të regjistruara. Edhe këtu kemi rritje me 11%, ku në total, në fund të muajit prill, numri total i bizneseve të regjistruara pranë administratës tatimore është 144,940 subjekte”, tha Malaj.
Sipas tij, ritmi i rritjes së numrit të bizneseve pasqyron përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe rritjen e besimit të sipërmarrjes në ekonominë shqiptare.
“Ritmi i rritjes së numrit të bizneseve reflekton klimën e të bërit biznes në Shqipëri, rritjen e besimit të sipërmarrjes për sa i përket zgjerimit ekonomik të tyre, sidomos në sektorë si sektori i shërbimeve, por edhe në sektorin e transportit”, përfundoi ministri i Financave, Petrit Malaj.
Burimi ATSH



















