Kashta: Shqipëria tejkalon disa vende të BE-së në prokurimin publik, me 70,3 pikë

Negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, në konferencën për medie me kryeministrin Edi Rama mbi zhvillimet në fushën e prokurimit publik, theksoi rëndësinë e këtij kapitulli në procesin e integrimit europian dhe ecurinë e Shqipërisë në negociata.


Negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, në konferencën për medie me kryeministrin Edi Rama mbi zhvillimet në fushën e prokurimit publik, theksoi rëndësinë e këtij kapitulli në procesin e integrimit europian dhe ecurinë e Shqipërisë në negociata.

Prokurimi publik është një kapitull i posaçëm në procesin e integrimit europian dhe pjesë e grup-kapitujve themelorë të metodologjisë së re të Bashkimit Europian.

“Prokurimi publik është një kapitull i posaçëm në procesin e integrimit europian dhe është vendosur në metodologjinë e re të Bashkimit Europian tek grup-kapitujt themelorë, duke i dhënë këtij kapitulli një rol shumë të rëndësishëm, sepse të gjithë e dimë që grup-kapitujt themelorë hapen të parët dhe mbyllen të fundit, dhe konsiderohen si pasqyrë e funksionimit të një shteti. Në këtë kuptim, ky kapitull merr një rol dhe rëndësi shumë të madhe dhe na ngarkon me përgjegjësi edhe më të madhe”, u shpreh Kashta.

Ajo bëri të ditur se Shqipëria po zhvillon negociatat në dy drejtime: në Kapitullin 5, të prokurimit publik dhe në procesin e aderimit në Marrëveshjen e Prokurimit Publik (GPA) pranë Organizatës Botërore të Tregtisë, në koordinim me Bashkimin Europian.

Sipas saj, për Kapitullin 5 nuk janë vendosur kushte të ndërmjetme për hapje, por vetëm kushte mbyllëse, çka tregon nivel të mirë përgatitjeje të sistemit shqiptar të prokurimit publik.

Kashta sqaroi se kushtet mbyllëse të kapitullit janë tre: përafrimi i plotë i kuadrit ligjor me acquis të BE-së, ngritja e kapaciteteve institucionale dhe administrative në të gjitha nivelet, si dhe demonstrimi i të dhënave të qëndrueshme të performancës.

Kashta nënvizoi se po vijon puna për përfundimin e ndryshimeve ligjore, përgatitjen e materialeve shpjeguese mbi kuadrin institucional dhe kapacitetet, si dhe përgatitjen e të dhënave për periudhën 2022-2025 për Komisionin Europian.

Në lidhje me Marrëveshjen e Prokurimit Publik (GPA), Kashta u shpreh se Shqipëria ka marrë vlerësim pozitiv nga Bashkimi Europian, i cili e ka konsideruar sistemin shqiptar të gatshëm për këtë marrëveshje ndërqeveritare, duke i kërkuar palëve të tjera shprehjen e gatishmërisë për pranimin e Shqipërisë në proces.

Ajo solli në vëmendje edhe vlerësimet ndërkombëtare për sistemin e prokurimit publik në Shqipëri gjatë vitit 2025.

Sipas saj, raporti SIGMA për Ballkanin Perëndimor, raporti PEFA i Bankës Botërore dhe vlerësimi i Open Tender EU e rendisin Shqipërinë me performancë të mirë dhe në disa indikatorë në nivele të krahasueshme ose më të larta se disa vende të Bashkimit Europian dhe rajonit.

Duke u ndalur te vlerësimet ndërkombëtare, Kashta deklaroi se raporti i SIGMA e rendit Shqipërinë ndër vendet me performancë të lartë në disa tregues kryesorë të prokurimit publik.

“Shqipëria është renditur në vend të parë krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor në disa indikatorë si cilësia e kuadrit ligjor, institucionet, eficienca ekonomike, konkurrenca, aksesin në informacion dhe sistemi i rishikimit administrativ”, u shpreh ajo.

Sipas saj, edhe raporti PEFA i Bankës Botërore tregon përmirësim të ndjeshëm të sistemit, ku Shqipëria ka kaluar “nga vlerësime B dhe B+ në vlerësimin maksimal A në të gjithë treguesit kryesorë”, përfshirë monitorimin e prokurimit, metodat e prokurimit, aksesin në informacion dhe menaxhimin e ankesave.

Kashta iu referua edhe vlerësimit të Open Tender EU, ku Shqipëria renditet me rezultate pozitive në integritet dhe transparencë.

“Në treguesin e integritetit Shqipëria ka 70,3, duke lënë pas të paktën 16 shtete të Bashkimit Europian”, tha ajo, ndërsa shtoi se në transparencë vendi renditet më mirë se rreth shtatë vende të BE-së.

Ajo deklaroi gjithashtu se në vitin 2025 është vendosur për herë të parë sistemi i detyrueshëm i certifikimit për punonjësit e prokurimit publik në katër nivele, duke bërë të ditur se janë trajnuar 777 punonjës dhe se synimi është që deri në gusht të certifikohet të paktën një përfaqësues për çdo autoritet kontraktor.

Kashta shtoi se është miratuar edhe metodologjia e vlerësimit të riskut të korrupsionit në prokurimin publik, në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare, e cila do të zbatohet në nivel makro dhe mikro institucional.

Ajo vuri në dukje përmirësimet kryesore në treguesit e sistemit, duke deklaruar se procedurat me negocim pa shpallje janë ulur në 2,4% në vitin 2025, krahasuar me mesataren e BE-së prej 5,6%. Po ashtu, numri mesatar i ofertave është rritur në 3,7 nga 2 në vitin 2021, dhe procedurat me një ofertues janë 2,35% krahasuar me 32,2% që është mesatarja e Bashkimit Europian.

Kashta shtoi gjithashtu se pjesëmarrja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në prokurime ka arritur në 94,6% në vitin 2024 dhe 93,3% në vitin 2025, si rezultat i reformave që kanë rritur konkurrencën dhe aksesin në procedurat publike.

“Na rezulton që niveli i pjesëmarrjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është në nivele maksimale, qoftë kur hyjnë si operatorë të vetëm apo bashkim operatorësh midis tyre, qoftë kur hyjnë në masë në bashkim operatorësh me biznese të tjera që janë të mëdhaja. Krahasuar dhe me vendet e BE-së, niveli është shumë i kënaqshëm. Kjo mund të vijë edhe nga struktura ekonomike e bizneseve tona, por vjen edhe për shkak të reformave që ne kemi ndërmarrë, si ulja e kritereve për procedura relativisht të vogla për të nxitur pjesëmarrjen e biznese të vogla dhe nxitja e ndarjes së procedurave më lote për të dhënë mundësi bizneseve të vogla të arrijnë të konkurrojnë në këto lloj procedurash. Rezultatet janë shumë të kënaqshme në këtë drejtim. Janë rezultate që i raportojmë edhe në OECD edhe në Bashkimin Europian”, deklaroi Kashta.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Hoxha takim me homologen rumune: Intensifikim i bashkëpunimit për të ardhmen e përbashkët evropiane

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha gjatë vizitës në Bruksel zhvilloi një takim me homologen rumune, Oana-Silvia…

Global 360

Tre kongresistë paraqesin rezolutë në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për…

Diplovista

Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Hoxha takim me homologen rumune: Intensifikim i bashkëpunimit për të ardhmen e përbashkët evropiane

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha gjatë vizitës në Bruksel zhvilloi një takim me homologen rumune, Oana-Silvia…