
Procedura të reja për financimin e projekteve artistike dhe kulturore
Qeveria miratoi sot një sërë procedurash të reja që do të udhëheqin financimin e projekteve dhe veprimtarive artistike e kulturore në vend.

Qeveria miratoi sot një sërë procedurash të reja që do të udhëheqin financimin e projekteve dhe veprimtarive artistike e kulturore në vend.
Përmes një vendimi të ri, i cili shfuqizon rregulloren e vitit 2022, qeveria synon të rrisë transparencën, eficiencën dhe cilësinë e mbështetjes shtetërore për artin, nën menaxhimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Sipas vendimit të ri, mbështetja financiare nuk do të jetë e pakushtëzuar. Çdo projekt që kërkon financim nga buxheti i shtetit duhet të përmbushë kritere specifike që i shërbejnë pasurimit të jetës artistike dhe kulturore.
Në dokumentin zyrtar sanksionohet se projektet duhet patjetër “të promovojnë artin dhe kulturën; të nxisin krijimtarinë dhe inovacionin artistik; të mbështesin zhvillimin dhe shpërndarjen e veprimtarive kulturore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar; të kontribuojnë në ruajtjen dhe pasurimin e paketës kulturore brenda vendit”.
Financimi do të mbulojë vetëm shpenzimet që lidhen drejtpërdrejt me konceptimin, prodhimin dhe realizimin e veprës, duke zbatuar rreptësisht parimin e eficiencës ekonomike dhe përdorimit të drejtë të fondeve publike.
Vendimi përcakton një mekanizëm të qartë me dy drejtime për shpërndarjen e fondeve, i cili do të kalojë në filtrat e një “Kolegjiumi” të posaçëm të ngritur nga ministria për ngjarjet me të drejta ekskluzive.
Kur bëhet fjalë për entitete kombëtare ose ndërkombëtare që kanë ekskluzivitetin e një projekti madhor, Ministria nis një shprehje interesi. Kolegjiumi vlerëson ofertën duke peshuar raportin mes cilësisë artistike dhe kostos financiare. Nëse miratohet, ministri nënshkruan kontratën brenda 10 ditëve dhe pagesat kalojnë direkt përmes thesarit.
Për ofruesit e shërbimeve e produkteve kulturore ftesa u dërgohet të paktën 3 subjekteve konkurruese.
Pas një afati 7-ditor për dorëzimin e propozimeve, Kolegjiumi ka vetëm 3 ditë kohë për të vlerësuar dokumentacionin dhe për të shpallur subjektin fitues.
Për projektet që kapërcejnë kufijtë e vendit, financimi nuk do t’i lihet vetëm Kolegjiumit, por do të ketë një hapësirë më të gjerë vlerësimi përmes thirrjeve publike.
Sipas vendimit vlerësimi kryhet nga Kolegjiumi si dhe nga një juri e përbërë nga ekspertë të fushës, vendës ose të huaj, me jo më pak se 3 anëtarë.
Gjithashtu, ligjvënësi ka menduar edhe për profilin e artistit të pavarur. Kur projekti kërkon përfshirjen e individëve me profil të veçantë artistik (si kuratorë, drejtues artistikë apo staf krijues), përzgjedhja do të bëhet përmes thirrjeve publike dhe negocimit. Ky negocim do të bazohet thelbësisht në portofolin e artistit, përshtatshmërinë e tij me konceptin e projektit dhe kontributin në vepra të ngjashme.
Për të garantuar që fondet shkojnë në destinacionin e duhur dhe projekti vihet në jetë siç është premtuar, vendimi parashikon ngritjen e një trupe monitoruese. Përfaqësues të posaçëm, të caktuar nga ministri, do të mbikëqyrin zbatimin e kontratave në terren.
/Marrë nga ATSH



















