
“Dantedi”, ekspozita bibliografike kushtuar poetit dhe filozofit italian Dante Alighieri
Në Qendrën “Sotir Kolea”, u çel ekspozita bibliografike kushtuar poetit të pavdekshëm Dante Alighieri

Në Qendrën “Sotir Kolea”, u çel ekspozita bibliografike kushtuar poetit të pavdekshëm Dante Alighieri, në kuadër të Dantedì, një ditë përkujtimore kombëtare kushtuar poetit italian, e cila kremtohet në Itali çdo 25 mars.


Aktiviteti u çel në praninë e studiueses prof. Irena Ndoci, përkthyesit Meritan Spahija, studiuesve, dashamirësve të letërsisë danteske si dhe studentëve të gjuhës italiane. Studentët u njohën nga afër me dimensionin historik, kulturor dhe bibliografik të botimeve të Dante Alighieri-t në gjuhën italiane dhe në gjuhë të tjera, pjesë e koleksioneve të vyera të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.



Ekspozita sjell për publikun botime të veçanta të “Komedisë Hyjnore”, vepra të tjera të autorit dhe studime që ndriçojnë universin poetik dantesk, duke e kthyer vizitën në një udhëtim estetik dhe shpirtëror përtej kohës.
Ekspozita vijon të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit për vizitorët në Sallën Italiane të Leximit, pranë Qendrës “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
























