
Kuvendi, aktivitet kushtuar kontributit të grave në shoqërinë shqiptare
Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në Pallatin e Brigadave u organizua një mbrëmje e veçantë me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kushtuar vlerësimit të rolit dhe kontributit të grave në shoqërinë shqiptare.

Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në Pallatin e Brigadave u organizua një mbrëmje e veçantë me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kushtuar vlerësimit të rolit dhe kontributit të grave në shoqërinë shqiptare.
Në aktivitet morën pjesë deputete të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuese të shoqërisë civile, si dhe zonja të spikatura nga fusha të ndryshme të jetës publike.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, theksoi se 8 Marsi është një ditë reflektimi dhe angazhimi për të çuar përpara barazinë gjinore dhe për të vlerësuar kontributin e grave në zhvillimin e shoqërisë.
Ajo u shpreh se 8 Marsi është historia e guximit të grave që ngritën zërin për të drejtat e tyre. “8 Marsi është historia e sakrificës dhe e përpjekjeve të palodhura për arsim, përfaqësim, punë të ndershme dhe trajtim të barabartë”, tha Spahiu.
Gjatë mbrëmjes u ndanë histori frymëzuese dhe përvoja nga gra që janë dalluar në fusha të ndryshme të jetës publike. Të pranishme në aktivitet ishin juristja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Edlira Çepani, drejtuesja e Fondacionit “Së bashku” dhe aktivistja për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara Suela Lala, kryeinfermierja e Shërbimit të Terapisë Intensive Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Kristina Marku, aktorja Ema Andrea, mësuesja e matematikës nga shkolla “7 Marsi” në Cërrik, Flutura Hoxholli, si dhe drejtoresha e Burimeve Njerëzore në Kuvendin e Shqipërisë, Merita Fanku.
Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho iu bashkua simbolikisht aktivitetit përmes një videomesazhi, duke përcjellë përshëndetjen dhe mesazhin e saj për gratë dhe vajzat shqiptare.
Mbrëmja u moderua nga prezantuesja dhe këngëtarja Enxhi Nasufi, e cila solli në qendër të vëmendjes historitë dhe kontributet e grave të ftuara, duke i dhënë aktivitetit një atmosferë të veçantë reflektimi dhe frymëzimi.
Përmes këtij organizimi, Kuvendi i Shqipërisë përcolli mesazhin e rëndësisë së fuqizimit të grave dhe vajzave, si një faktor kyç për zhvillimin demokratik.
Burimi ATSH



















