Kumbaro: Përzgjedhja e shkollave për testin PISA, sipas metodologjisë së OECD-së

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në interpelancën lidhur me rezultatet e PISA 2025, theksoi se vlerësimi ndërkombëtar PISA zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara nga OECD dhe konsorciumi ndërkombëtar që administron procesin.


Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në interpelancën lidhur me rezultatet e PISA 2025, theksoi se vlerësimi ndërkombëtar PISA zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara nga OECD dhe konsorciumi ndërkombëtar që administron procesin.

Kumbaro tha se PISA nuk është një provim që organizohet sipas dëshirës së Ministrisë së Arsimit dhe as një listë shkollash që mund të ndryshohet në mënyrë arbitrare nga zyrtarë të caktuar.

Përzgjedhja e pjesëmarrësve bëhet përmes procedurave të standardizuara të kampionimit, të cilat synojnë të sigurojnë përfaqësimin statistikor të sistemit arsimor parauniversitar.

“PISA nuk është një provim që Ministria e Arsimit e organizon sipas dëshirës së vet, ashtu siç nuk është as një listë shkollash që një zyrtar shqiptar mund ta shkurtojë apo ta zgjerojë sipas interesit politik të momentit. Është një vlerësim ndërkombëtar, me rregulla kampionimi të përcaktuara nga OECD-ja dhe nga konsorciumi ndërkombëtar që e drejton këtë proces në më shumë se 90 vende të botës, dhe këto rregulla zbatohen njësoj, pavarësisht se cila qeveri qëndron në pushtet kur zhvillohet testimi”, nënvizoi Kumbaro.

Prandaj, vijoi ministrja, kur dëgjoj të thuhet se “dikush ka vendosur të përjashtojë shkolla” nga ky proces, në mos qoftë dezinformim me dashakeqësi që s’dua ta besoj, e kuptoj menjëherë se po ngatërrohen dy gjëra thelbësisht të ndryshme; një procedurë statistikore ndërkombëtare, e vendosur shumë kohë para se testimi të fillojë, dhe një supozim politik për ndërhyrje të qëllimshme.

“Më vjen shumë keq për banalizimin e këtij diskutimi, ku respektin për një testim të OECD – për të cilin tanimë po flet e gjithë bota, sepse të gjitha sistemet arsimore marrin mësimet e tyre nga këto rezultate – e nëpërkëmbni me dritshkurtësinë e allishverishteve tuaja politike a thua se bëhet fjalë për rezultatet e zgjedhjeve në godinën e SHQUP-it ku i plotësoni shifrat me rrumbullakosje sipas direktivave nga lart-poshtë”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro sqaroi se për testimin e PISA, pjesëmarrja e nxënësve në shkollat e përzgjedhura ishte 97.37%, mbi standardin prej 80% që kërkohet nga OECD. Të dhënat tregojnë gjithashtu se përzgjedhja e shkollave nuk ka ndjekur ndarjen qytet-fshat, por është bërë sipas metodologjisë statistikore ndërkombëtare.

“Standardi teknik i OECD-së kërkon që pjesëmarrja e shkollave në kampion të jetë të paktën 85%; Shqipëria arriti rreth 80%, dhe ky është fakt që nuk e kemi fshehur asnjë ditë është pjesë e vetë materialit teknik që shoqëron testimin. Por standardi tjetër, po aq i rëndësishëm, kërkon që brenda shkollave të përzgjedhura nga organizata dhe jo nga ne, pjesëmarrja e vetë nxënësve të jetë të paktën 80%; Shqipëria arriti 97,37%. Dhe kjo shifër e dytë është ajo që rrëzon vetë themelin e akuzës për manipulim: sepse nëse dikush do të kishte dashur të “përzgjidhte” cilët nxënës të dalin mirë në test, do ta kishte bërë pikërisht këtu, duke lënë jashtë testimit nxënës të caktuar brenda shkollave që tashmë ishin pjesë e kampionit. Kjo nuk ka ndodhur”, tha Kumbaro.

Sipas saj, gati çdo nxënës i thirrur u paraqit, u testua, dhe rezultati i tij u regjistrua ashtu siç ishte.

Sa i përket vetë shkollave që nuk hynë në kampion Kumbaro tha se “edhe këtu kemi shifra dhe jo hamendësime: Është krijuar me dashakeqësi përshtypja se kjo qenka një histori “fshati rri jashtë, qyteti futet brenda”.

Më tej Kumbaro tha se “në ciklin e vitit 2022 morën pjesë rreth 6 mijë nxënës; në atë të vitit 2025 morën pjesë 5.959 Pra numri dhe shpërndarja demografike e nxënësve të testuar mbetet praktikisht e njëjtë nga një cikël në tjetrin”.

Nxënësit shqiptarë në testin ndërkombëtar PISA, u renditën me: 433 pikë në matematikë, përpara nxënësve të Greqisë, Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut e Kosovës; 435 pikë në shkencë, së bashku me Malin e Zi, duke lënë pas nxënësit e Greqisë, Rumanisë, Serbisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut e Kosovës.

“408 pikë në lexim, në një renditje ne mes të tabelës të vendeve të Ballkanit; dhe ku po, patjetër duhet të përmirësohemi edhe më tej, si edhe në dy fushat më sipër. Ndërsa është matur edhe një komponent tjetër, që është Zgjidhja Kompjuterike e Problemeve, ku Shqipëria është renditur sërish më lart se disa vende rrotull saj, si Mali i Zi, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. E nëse krahasohemi me veten, me vitin 2022, Shqipëria arriti: +65 pikë në matematikë; +59 pikë në shkencë; +50 pikë në lexim”, u shpreh Kumbaro në interpelancën në Kuvend.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Kumbaro: Përzgjedhja e shkollave për testin PISA, sipas metodologjisë së OECD-së

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në interpelancën lidhur me rezultatet e PISA 2025, theksoi se vlerësimi ndërkombëtar PISA zhvillohet sipas…

Global 360

Haxhiu: Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë përpjekjeve për ta shtrembëruar historinë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kazakistani votoi për Kurultain: një arkitekturë e re politike merr mandatin e saj të parë

Zgjedhjet e 23 gushtit për Kurultain përbëjnë një moment themelor në institucionalizimin e rendit të ri kushtetues të Kazakistanit.

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Kumbaro: Përzgjedhja e shkollave për testin PISA, sipas metodologjisë së OECD-së

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në interpelancën lidhur me rezultatet e PISA 2025, theksoi se vlerësimi ndërkombëtar PISA zhvillohet sipas…