
Komisioni i Ligjeve miraton projektligjin për pagat e magjistratëve
Komisioni i Ligjeve për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, si komision përgjegjës, pas diskutimeve, miratoi sot ndryshimet ligjore të propozuara nga dy deputetë të Partisë Socialiste, Admir Kodeli dhe Aulona Bylykbashi.

Komisioni i Ligjeve për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, si komision përgjegjës, pas diskutimeve, miratoi sot ndryshimet ligjore të propozuara nga dy deputetë të Partisë Socialiste, Admir Kodeli dhe Aulona Bylykbashi.
Projektligji i depozituar në Kuvend, pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese mori 8 vota pro dhe 3 kundër (të opozitës).
Gjatë diskutimeve të zhvilluara gjatë paradites së sotme, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë kundërshtuar formulën e propozuar nga mazhoranca për ndryshimin e pagave të magjistratëve, duke argumentuar se rritja e parashikuar nuk përmbush standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i pranishëm në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike u shpreh se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, por njëkohësisht duhet të respektohet edhe rendi kushtetues mbi të cilin ajo ka vepruar.
Sipas Gogut, çështja thelbësore është se kush duhet të përcaktojë formulën e pagës dhe masën e çdo page në Republikën e Shqipërisë, duke theksuar se Kushtetuta përcakton se kjo kompetencë i takon Kuvendit përmes ligjit.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që kërkon ndërhyrjen e ligjvënësit meriton vetëm ligj. Mosveprimi i Kuvendit nuk mund të zgjidhet me marrjen e kompetencave dhe me marrjen e të tjera kompetencave të ndryshme nga ligji”, u shpreh Gogu.
Drafti parashikon që paga referuese e magjistratëve të jetë sa 0,38 e pagës së Presidentit të Republikës, nga 0,36 që ishte më parë.
Formula e propozuar nga socialistët është kundërshtuar nga përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe shoqatat e magjistratëve. Ndryshe nga drafti i PS që parashikon një rritje me rreth 8500 lekë për rrogën referuese të magjistratëve, pretendimi i tyre, i miratuar edhe nga KLGJ e KLP, është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më e lartë.
Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, projektligji pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 17 shtatorit.
Burimi ATSH



















