
Jaupaj sjell shembullin e “1998 Studio” në Shkodër: Ripërdorimi i materialeve, model i ekonomisë qarkulluese
Ekonomia qarkulluese po gjen zbatim edhe përmes sipërmarrjeve të reja që synojnë ripërdorimin e materialeve dhe reduktimin e mbetjeve, ndërsa ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ka sjellë në vëmendje shembullin e një biznesi të ri në Shkodër.

Ekonomia qarkulluese po gjen zbatim edhe përmes sipërmarrjeve të reja që synojnë ripërdorimin e materialeve dhe reduktimin e mbetjeve, ndërsa ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ka sjellë në vëmendje shembullin e një biznesi të ri në Shkodër.
Jaupaj ndau në rrjetet sociale historinë e të riut Enio Marku dhe aktivitetin e tij “1998 Studio”, që merret me konfeksione të përdorura, të cilat përpunohen, rikonstruktohen dhe marrin një tjetër formë e funksion.
“Në zemër të Shkodrës, 1998 Studio e kthen këtë ide të thjeshtë në praktikë çdo ditë. Rrobat marrin një jetë të dytë, reduktohen mbetjet dhe konsumi bëhet më i përgjegjshëm. Kjo është ekonomia qarkulluese: të përdorim më gjatë atë që kemi, në vend që ta hedhim e ta zëvendësojmë. Një biznes i vogël, por një shembull i mirë se ekonomia dhe kujdesi për mjedisin mund të ecin shumë mirë bashkë”, u shpreh ministri.
Një prej produkteve të realizuara nga studioja është një xhaketë për meshkuj, e krijuar nga një qilim i vjetër me motive shqiptare, duke e shndërruar materialin në një veshje me dizajn të veçantë.
Përmes mbështetjes financiare nga një projekt i huaj dhe të qeverisë shqiptare, Marku ka zgjeruar aktivitetin me hapjen e një hapësire të dytë rrobaqepësie, të dedikuar edhe për riciklimin dhe ripërdorimin e materialeve tekstile. Në kuadër të kësaj mbështetjeje ai ka siguruar pesë makineri dhe ka angazhuar gjashtë punonjës me kohë të plotë për gjashtë muaj.
“Për ne, veshjet bartin histori dhe cilësi. Ne nuk krijojmë veshje të reja, por një koncept të ri konsumimi”, shprehet Marku.
Jaupaj theksoi se raste të tilla dëshmojnë se aktiviteti ekonomik mund të zhvillohet në të njëjtën kohë me kujdesin ndaj mjedisit, përmes zgjatjes së ciklit të përdorimit të produkteve dhe reduktimit të mbetjeve.
Ministri vlerësoi nismat që promovojnë ripërdorimin e materialeve dhe modele më të qëndrueshme konsumi, si pjesë e zhvillimit të ekonomisë qarkulluese në vend.
Burimi ATSH


















