
Marrëveshja me SHBA, Vengu: 302 milionë dollarë për një Shqipëri më të sigurt
Ish-ministri i Mbrojtjes, deputeti i Partisë Socialiste Pirro Vengu, deklaroi se marrëveshja e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është marrëveshja më e madhe e financimit në historinë e mbrojtjes së vendit, që mundëson blerjen e sistemeve, pajisjeve dhe armatimit amerikan.

Ish-ministri i Mbrojtjes, deputeti i Partisë Socialiste Pirro Vengu, deklaroi se marrëveshja e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është marrëveshja më e madhe e financimit në historinë e mbrojtjes së vendit, që mundëson blerjen e sistemeve, pajisjeve dhe armatimit amerikan.
Në një intervistë televizive, Vengu u shpreh se falë kësaj marrëveshjeje, 302 milionë dollarë shkojnë për një Shqipëri më të sigurt.
Sipas Vengut, “siguria kombëtare është mbi politikën dhe për të duhet gjithmonë konsensus”.
“Gjykoj edhe njëherë që një prej arsyeve pse e bëmë ndoshta me këtë shpejtësi marrëveshjen është sepse bota nuk pret që ne të zgjidhim se kush e do më shumë NATO-n në Kuvendin e Shqipërisë. Bëhet fjalë për një program financimi armatimesh me kredi nga pala amerike. Pra Shqipëria merr kredi amerikane për të bërë blerje armatimesh, pajisjesh, sisteme prodhimi amerikanë”, tha Vengu.
Vengu informoi se ky është një program që është iniciuar para disa vitesh dhe Shqipëria bëhet përfituese për herë të parë si një pjesë e mirë e vendeve aleate në frontin lindor.
“Rumania, Lituania më herët kanë qenë përfituese, Polonia dhe Shqipëria hyri në paketën e dytë bashkë me Ukrainën. Para pak javësh u bë miratimi në Kongresin Amerikan në komisionet përkatëse. Duhet të kuptoni që është një marrëveshje e iniciuar prej më shumë se dy vitesh”, tha ai.
Sipas Vengut kjo është marrëveshja më e madhe nga pikëpamja e përmasave financiare, pasi janë 302 milionë dollarë të dedikuara për blerjen e sistemeve ushtarake, pajisjeve, armatimit të fuqisë së zjarrit.
“Për sa i përket këtyre sistemeve e pajisjeve nuk jam i autorizuar t’i bëj publike, siç është krejt e natyrshme në marrëveshje të tilla. Kushtet që Kongresi Amerikan i ka siguruar Shqipërisë janë shumë preferenciale, madje në krahasim edhe me aleatë të tjerë”, shtoi ai.
Sipas Vengut duhet të ishte një mesazh kombëtar i dhënë një zëri, miratimi i saj.
“Unë besoj se mbrojtja dhe siguria nuk duhet të jenë pjesë e atyre çështjeve, duhet të kenë një kordon sanitar përreth tyre, nga pikëpamja politike dhe duhet të bëjmë konsensus. Shqipëria duhet të lexojë mjedisin gjeopolitik dhe gjeostrategjik ku ne jemi pjesë dhe duhet ta mirëpresë këtë kërkesë. Miratimi ishte një akt marrje përgjegjësie për sa i përket mbrojtjes tonë”, shtoi ai.
Sipas Vengut, demokracitë e forta dhe efikase sot maten me shpejtësinë e veprimit të tyre.


















