
Rama: Shpërblim i menjëhershëm për punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes që angazhohen kundër zjarreve
Kryeministri Edi Rama informoi sot se ka propozuar që punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, që angazhohen në punën për shuarjen e zjarreve të shpërblehen menjëherë me një pagë ekstra, ndërsa u bëri thirrje të gjithë bashkive të veprojnë njësoj, edhe me forcat e tyre zjarrfikëse.

Kryeministri Edi Rama informoi sot se ka propozuar që punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, që angazhohen në punën për shuarjen e zjarreve të shpërblehen menjëherë me një pagë ekstra, ndërsa u bëri thirrje të gjithë bashkive të veprojnë njësoj, edhe me forcat e tyre zjarrfikëse.
Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim në Bazën Ajrore të Farkës me zjarrfikësit dhe trupat e Emergjencave Civile, lidhur me sfidës e riskut të zjarreve nga temperaturat e larta.
“Kam propozuar, që gjitha forcat që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes dhe do përfshihen në këtë proces të shpërblehen menjëherë me një pagë ekstra dhe në ndërkohë i bëj thirrje bashkive të bëjnë të njëjtën gjë për trupat e tyre në terren dhe ta bëjnë këtë menjëherë”, tha Kryeministri Rama.
Rama theksoi se pavarësisht investimeve në infrastrukturë e pajisje në qendër të kësaj përpjekje janë njerëzit që veshin uniformën dhe dalin në terren pa pyetur për orarin, për temperaturat apo dhe për rrezikun.
“Ne ju jemi shumë mirënjohës dhe një Shqipëri e tërë ju falenderon parapraktisht duke ditur që ju përsëri do të jeni heronjtë e sezonit veror”, u shpreh Rama, duke iu drejtuar forcave zjarrfikëse.
Kryeministri theksoi se kapaciteti zjarrëfikës është rritur dhe do vazhdojë të rritet duke investuar në logjistikë, pajisje, në trajnim dhe në koordinim.
Rama siguroi se qeveria do të vazhdojë të investojë në modernizimin e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit, për kushte më të mira, për forcimin e bashkëpunimit me partnerët dhe sigurisht edhe për pagën.
Kryeministri nënvizoi po ashtu rëndësinë e punës parandaluese në territor.
“Kam një thirrje për njerëzit, që të bëjnë kujdes. Zjarret nisin nga gjëra të vogla, zjarret nisin nga një cigare hedhur nga makina, zjarret nisen nga një hi që nuk është shuar pas një pikniku etj”, tha ai.
Burimi ATSH



















