
Malaj: Marrëveshja me SHBA-në, me kushte që garantojnë administrim të kujdesshëm të financave publike
Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), duke i hapur rrugë një investimi prej 302 milionë dollarësh për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), duke i hapur rrugë një investimi prej 302 milionë dollarësh për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.
Kështu bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili theksoi se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Malaj tha se procedura e përshpejtuar ishte e lidhur me natyrën e ndjeshme të dokumentit dhe detyrimet që burojnë nga bashkëpunimi me SHBA-në dhe NATO-n. Ai deklaroi se dokumentacioni i plotë i marrëveshjes ishte i aksesueshëm vetëm për deputetët që pranuan të respektonin rregullat e konfidencialitetit.
“Edhe pse gjatë seancës pati debate mbi procedurën e shqyrtimit, askush nuk e vuri në diskutim rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për sigurinë kombëtare. Procedura e përshpejtuar u diktua nga natyra e ndjeshme e marrëveshjes dhe detyrimet që burojnë nga partneriteti ynë strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe Aleanca e NATO-s. Për këtë arsye, dokumentacioni i plotë ishte i aksesueshëm vetëm për deputetët që pranuan të respektonin rregullat e konfidencialitetit”, tha ai.
Sipas tij, marrëveshja është negociuar me kushte që synojnë një administrim të kontrolluar të financave publike.
“Si Ministri e Financave, kemi negociuar një marrëveshje me kushte që garantojnë administrim të kujdesshëm të financave publike: disbursim vetëm sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes, fleksibilitet në administrimin e huasë dhe monitorim të plotë nga autoritetet amerikane”, shkruan Malaj.
Malaj shtoi se “siguria nuk është çështje retorike. Është përgjegjësi. Sot Shqipëria hodhi një tjetër hap të rëndësishëm që forcon partneritetin strategjik me aleatin tonë më të madh, SHBA-në, dhe konfirmon besimin që partnerët tanë kanë tek Shqipëria si një faktor stabiliteti dhe një aleate e denjë në NATO”.
/Marrë nga ATSH


















