
Rama: “The Albanian Files” botim i pavarur, nën shënjestrën e inkuizicionit revolucionar të protestës
Kryeministri Edi Rama hapi episodin e radhës të podcast-it të tij “Flasim” me librin “The Albanian Files” në dorë, duke reaguar ndaj kritikave që, sipas tij, janë adresuar ndaj këtij botimi.

Kryeministri Edi Rama hapi episodin e radhës të podcast-it të tij “Flasim” me librin “The Albanian Files” në dorë, duke reaguar ndaj kritikave që, sipas tij, janë adresuar ndaj këtij botimi.
Ai e cilësoi librin si një projekt editorial tërësisht të pavarur, që përmbledh kontributet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion ndërkombëtar, të cilët kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.
Rama tha se ndaj librit ka nisur një “inkuizicion” që, sipas tij, buron nga protesta e nisur për mbrojtjen e natyrës, duke shtuar se sulmet janë përqendruar padrejtësisht ndaj një botimi që promovon arkitekturën dhe zhvillimin urban të vendit.
“Është një botim i ri që ka brenda punët, projektet, idetë dhe shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar që i lidh së bashku Shqipëria. Nuk dua të flas për librin, por për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se libri nuk është botuar prej tij dhe se kontributi i vetëm personal ka qenë shkrimi i parathënies, me ftesë të botuesve.
“‘The Albanian Files’ është vendosur nën shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe as i botuar prej meje. Unë thjesht kam dhënë aty një tekst parathënës dhe është krenari që si kryeministër i Shqipërisë isha i ftuar ta shkruaja”, deklaroi ai.
Rama u ndal edhe te polemikat që kanë shoqëruar një tekst të përfshirë në libër, duke sqaruar se bëhet fjalë për një shënim me karakter autoironik të një arkitekti dhe jo për një thirrje reale politike.
Sipas tij, interpretimi i këtij teksti si një nxitje për t’u shpallur “mbret” është i pavend dhe dëshmon se botimi është i lirë dhe i pakontrolluar nga autoritetet.
“Është një letër autoironike drejtuar meje, që natyrisht nuk më ka ardhur kurrë. Të kapesh pas një teksti të tillë dhe ta kthesh në akuzë është kulmi. Në fakt, kjo tregon se libri është tërësisht i lirë dhe i pakontrolluar”, theksoi Rama.
Burimi ATSH



















