
Sejko: Ekonomia shqiptare u rrit me 3,8% në 2025, forcim i stabilitetit financiar
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko raportoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat lidhur me raportin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025, ku theksoi “ekonomia shqiptare pati një ecuri pozitive gjatë vitit që lamë pas”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko raportoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat lidhur me raportin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025, ku theksoi “ekonomia shqiptare pati një ecuri pozitive gjatë vitit që lamë pas”.
Në fjalën e tij Sejko theksoi se “vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3,8%, i mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, klima pozitive e besimit, rritja e të ardhurave nga turizmi, kushtet e favorshme financiare dhe rritja e kreditimit”.
“Këta faktorë ushqyen rritjen e konsumit, të investimeve dhe të eksportit të shërbimeve, ndërkohë që politika fiskale pati një natyrë konsoliduese dhe eksportet e mallrave u reduktuan. Në aspektin sektorial, rritja ekonomike mori formën e zgjerimit të aktivitetit në sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërsa prodhimi bujqësor dhe aktiviteti industrial vijuan të tkurren. Rritja e kërkesës për mallra e shërbime u pasqyrua në përmirësimin e mëtejshëm të treguesve të tregut të punës gjatë vitit 2025”, nënvizoi Sejko.
Sipas tij, punësimi dhe pagat në sektorin privat jobujqësor shënuan rritje, respektivisht me 5,7% dhe 8,5%, ndërsa norma e papunësisë qëndroi pranë niveleve minimale të tre dekadave të fundit.
“Paralelisht me këto zhvillime, inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2,2%, nivel ky i njëjtë me atë të një viti më parë. Në tërësi, niveli i inflacionit gjatë dy viteve të fundit ka qenë i ulët, i qëndrueshëm dhe poshtë, por pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Nga këndvështrimi i shportës së konsumit, ecuria e tij gjatë vitit 2025 ka pasqyruar inflacionin e ulët dhe të qëndrueshëm të artikujve ushqimorë, rritjen e inflacionit të qirave dhe të shërbimeve, si dhe reduktimin e inflacionit të mallrave joushqimore dhe të mallrave afatgjata. Nga këndvështrimi makroekonomik, ecuria e tij ka pasqyruar nivelet e ulëta dhe në rënie të inflacionit jobazë dhe atij të importuar, ecuri kjo e diktuar nga forcimi i kursit të këmbimit dhe rënia e çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare”, tha Sejko.
Nga ana tjetër, shtoi Sejko, presionet nga ekonomia e brendshme kanë shfaqur një rritje të lehtë, por vlerësohen të jenë në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, duke reflektuar një balancim më të mirë të kërkesës dhe ofertës në tregun e produkteve dhe atë të punës, si dhe një ankorim të mirë të pritjeve për inflacionin.
“Qëndrueshmëria e çmimeve në përputhje me objektivin është treguesi më esencial i stabilitetit të përgjithshëm ekonomik të vendit. Ky stabilitet ka shënuar përmirësim të mëtejshëm, në thuajse të gjitha dimensionet e tjera të tij, gjatë vitit 2025”, tha Sejko.
Sejko u shpreh se “së pari, pozicioni i jashtëm i vendit është forcuar më tej. Vëllimi i eksporteve shqiptare arriti nivelin e 10 miliardë eurove gjatë vitit 2025, duke regjistruar një rritje prej 10,5% krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa raporti i tyre ndaj PBB-së shënoi nivelin më të lartë të periudhës post-tranzicion. Paralelisht me të, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 0,7% të PBB-së, borxhi i huaj zbriti në 38% të PBB-së, ndërsa rezervat valutore të vendit shënuan 7,3 miliardë euro. Këto zhvillime nënkuptojnë jo vetëm një ekonomi më konkurruese në arenën ndërkombëtare, por edhe më rezistente ndaj goditjeve të huaja”.
Duke u ndalur më gjatë në këtë pikë, Sejko tha se “përmirësimi strukturor i pozicionit të jashtëm të ekonomisë gjatë viteve të fundit është pasqyruar në mbiçmimin relativisht të shpejtë e të vazhduar të kursit të këmbimit të lekut. Ndonëse me një ritëm më të zbutur, ky trend ishte i pranishëm edhe gjatë vitit 2025”.
Së dyti, vijoi ai, pozicioni fiskal i vendit shënoi, po ashtu, përmirësim.
“Deficiti buxhetor regjistroi vlerën 1,8% të PBB-së, ndërsa borxhi publik zbriti në 52,9% të PBB-së. Rënia e ndjeshme e borxhit publik gjatë viteve të fundit ka pasqyruar procesin e konsolidimit fiskal, të materializuar në vlera pozitive të balancës primare, rritjen ekonomike, si dhe forcimin e kursit të këmbimit. Përmirësimi i pozicionit fiskal është një zhvillim i mirëpritur. Ai ul primet e rrezikut në tregjet e brendshme financiare, rrit hapësirat dhe redukton kostot e financimit të sektorit privat, si dhe rrit qëndrueshmërinë e financave publike dhe mundësitë për reagim ndaj goditjeve të mundshme”, theksoi Sejko.
Së treti, tha Guvernatori Sejko, sektori bankar ruajti tregues të lartë kapitalizimi, likuiditeti dhe përfitueshmërie, duke shënuar gjithashtu progres në drejtim të reduktimit të raportit të kredive me probleme.
“Këto zhvillime kanë mbështetur përmirësimin e ofertës së kredisë dhe të shërbimeve bankare, duke mundësuar një ndërmjetësim më efektiv të kursimeve në kredi për sektorin privat. Në një masë të konsiderueshme, kjo tablo ekonomike pasqyron edhe kontributin pozitiv të politikës së kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Kjo politikë ka reaguar në kohën dhe në kahun e duhur, duke përdorur instrumentet më efektive për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”, tha ai.
Duke u ndalur tek mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar, Sejko bëri të ditur se “ecuria e viteve të fundit ka dëshmuar se stabiliteti financiar i vendit nuk është rezultat i rastësisë, por produkt i politikave të kujdesshme, mbikëqyrjes së përgjegjshme dhe reformave të vazhdueshme të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë. Në veçanti, edhe gjatë vitit 2025, sektori bankar shqiptar ruajti një pozicion solid financiar, me tregues të mirë kapitalizimi, likuiditeti dhe përfitueshmërie”.
Më konkretisht, vijoi Sejko, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 20,36%, treguesit e kthimit mbi aktivet dhe kapitalin ishin përkatësisht 1,64% dhe 15,94%, ndërsa likuiditeti i sektorit mbeti ndjeshëm mbi kërkesat minimale rregullatore.
“Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë vijoi të përmirësohet më tej, me raportin e kredive me probleme që zbriti në 3,8%, niveli më i ulët historik që prej vitit 2008. Ky rezultat pasqyron frytet e reformave strukturore të ndërmarra gjatë dekadës së fundit, përmirësimin e disiplinës financiare të vetë industrisë bankare, si dhe efektivitetin e masave tona rregullatore e mbikëqyrëse”, tha Sejko.
Në funksion të konsolidimit të stabilitetit financiar, Sejko informoi se “Banka e Shqipërisë vijoi monitorimin e kujdesshëm të rreziqeve sistemike. Analizat tona evidentuan se këto rreziqe mbeten nën kontroll dhe provat e rezistencës sugjerojnë se sektori bankar ka kapacitete të mjaftueshme për të përballuar goditje. Megjithatë, ne vendosëm kufij të sipërm për ekspozimin e sistemit bankar ndaj luhatjeve potenciale në çmimet e pasurive të paluajtshme rezidenciale, përmes raporteve “kredi ndaj vlerës së kolateralit” dhe “shërbimi i borxhit ndaj të ardhurave””.
Guvernatori Sejko theksoi se “në kuadër të funksionit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, viti 2025 shënoi progres edhe në drejtim të rritjes së aftësisë së bankave për të absorbuar humbje dhe për t’u rikapitalizuar përmes burimeve të brendshme. Në fund të vitit, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arriti në mbi 7 miliardë lekë, duke mbuluar afro 80% të objektivit të synuar për vitin 2027. Këta tregues ilustrojnë forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe rritjen e kapaciteteve për menaxhimin efektiv të situatave të jashtëzakonshme”.
Sejko vuri në dukje se “në të njëjtën kohë, progres i rëndësishëm është shënuar edhe në kuadër të integrimit evropian. Përafrimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor, rregullator dhe statistikor me acquis dhe standardet e Bashkimit Evropian ka forcuar konvergjencën institucionale dhe ka afruar sistemin financiar shqiptar me arkitekturën evropiane”.
Marrë nga ATSH



















