
Gonxhja: Rinia, esenca e tërë portofoleve dhe përfituesja e parë e projekteve
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kartës Rinore.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kartës Rinore.
Konferenca e Kartës Rinore bashkon institucione, organizata dhe partnerë evropianë për të diskutuar mbi fuqizimin e të rinjve, lëvizshmërinë, edukimin dhe mundësitë që krijohen përmes Kartës Rinore Evropiane. Ministri e cilësoi këtë, një hap të rëndësishëm për të afruar edhe më shumë të rinjtë me mundësitë evropiane, përmes bashkëpunimit, inovacionit dhe politikave që mbështesin zhvillimin e tyre.
Ne cilësinë e ministrit përgjegjës për Turizmin, Kulturën e Sportin, Blendi Gonxhja tha se, rinia nuk është një agjenci, por esenca e tërë portofoleve dhe përfituesja më e parë e tërë vëmendjes, e projekteve dhe programeve që jetësohen.
“Kam kënaqësinë të përshëndes e të mikpresim për herë të parë Kartën Rinore Evropiane në Shqipëri. Nga “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, sot vetëm një hap larg hyrjes zyrtare në Bashkimin Evropian – kryelartë, jo me standardet e disa dekadave para, përmes një procesi jashtëzakonisht kompleks integrimi të merituar dhe të djersitur në qelizë”, tha Gonxhja.
Duke iu referuar protestave në Tiranë, Gonxhja tha se zëri i protestës është treguesi më legjitim dhe unanim i lirisë së panjohur ndonjëherë më parë këtyre anëve si sot.
“Më dridhet mishi kur rikthej në mendje torturat dhe vuajtjet tona deri vonë, jo larg. Situata aktuale është medalje demokracie për qeverisjen e sotme, sikundër është një mundësi e re për të ritreguar vlerat tona dhe besnikërinë tonë për Shqipërinë”, u shpreh ministri.
Pritja në Shqipëri, për herë të parë, e Konferencës së Kartës Rinore Evropiane përbën një moment të rëndësishëm për vendin si dhe një vlerësim të rolit në rritje që Shqipëria po luan në nismat evropiane të dedikuara për të rinjtë.
Në këtë konferencë marrin pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës nga 30 vende evropiane, duke e shndërruar në një platformë të rëndësishme dialogu, bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash mbi politikat dhe mundësitë për të rinjtë në Evropë. Ministri u shpreh se, organizimi i kësaj konference në Shqipëri është një dëshmi e besimit që partnerët evropianë kanë ndaj institucioneve dhe organizatave shqiptare, si dhe një mundësi për të forcuar më tej lidhjet me rrjetet rinore evropiane.
Gonxhja e cilësoi rininë si një nga asetet më të çmuara të shoqërisë dhe një faktor kyç për emancipimin dhe përparimin e saj.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e konsideron Kartën Rinore Evropiane një instrument të rëndësishëm për fuqizimin e të rinjve dhe zgjerimin e mundësive që ata duhet të kenë në jetën e tyre arsimore, kulturore, sociale dhe profesionale. Përmes saj, të rinjtë përfitojnë akses më të gjerë në shërbime, aktivitete dhe eksperienca që kontribuojnë në zhvillimin e tyre personal dhe në pjesëmarrjen aktive në shoqëri.
Burimi ATSH

















