
Hoxha: Kosova realitet i pakthyeshëm ndërkombëtar, kush nuk e ka kuptuar jeton në kohë tjetër
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka reaguar ndaj nismave politike në Mal të Zi që synojnë çnjohjen e Republikës së Kosovës, duke i cilësuar ato si qasje të tejkaluara dhe në kundërshtim me realitetin politik e ndërkombëtar të rajonit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka reaguar ndaj nismave politike në Mal të Zi që synojnë çnjohjen e Republikës së Kosovës, duke i cilësuar ato si qasje të tejkaluara dhe në kundërshtim me realitetin politik e ndërkombëtar të rajonit.
I pyetur në Prishtinë mbi këtë zhvillim, Hoxha tha se ka ndjekur deklarimet e aktorëve politikë në rajon që artikulojnë ide për kthimin e njohjes së Kosovës, por theksoi se nisma të tilla kanë mbështetje të kufizuar dhe i përkasin një kohe të kaluar.
“Çdo ide apo përpjekje për të vënë në dyshim realitetin e Republikës së Kosovës, përveçse jo realiste, bie ndesh me frymën e bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes evropiane të rajonit tonë”, deklaroi Hoxha.
Ai e cilësoi Kosovën si “realitet të pakthyeshëm politik, juridik dhe ndërkombëtar”, si dhe një investim të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe pajtimin në Ballkanin Perëndimor.
“Kush nuk e ka kuptuar ende këtë realitet jeton në një kohë tjetër, sheh ëndrra me sy hapur dhe do t’i quaja thjesht somnambul politik”, u shpreh ministri shqiptar.
Sipas tij, çdo nismë që synon të minojë këtë realitet dëmton bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Hoxha theksoi se rajoni ka nevojë për më shumë dialog, fqinjësi të mirë dhe ndërtim urash bashkëpunimi, dhe jo për rikthim në narrativa të së kaluarës që kanë prodhuar ndarje dhe tensione.
“Shqipëria do të vijojë të mbështesë pa asnjë rezervë Republikën e Kosovës dhe të investojë pandalshëm në forcimin e saj ndërkombëtar”, shtoi ai.
Ministri nënvizoi se e ardhmja e rajonit duhet të ndërtohet mbi respektin reciprok, bashkëpunimin dhe integrimin evropian, duke theksuar se “shqiptarët kanë zgjedhur Bashkimin Evropian dhe nuk ka rrugë tjetër”.
/Burimi ATSH



















