
AAPSK financoi 104,2 milionë lekë për rikonstruksionin e ambienteve të GJKKO-së
Ambientet e reja të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), të inauguruara ditën e hënë, u realizuan falë mbështetjes financiare të dhënë nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK)

Ambientet e reja të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), të inauguruara ditën e hënë, u realizuan falë mbështetjes financiare të dhënë nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), në kuadër të përdorimit të të ardhurave nga asetet e sekuestruara dhe konfiskuara për forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
AAPSK vuri në dispozicion gjatë vitit 2025 përmes disa vendimeve të Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar financime me vlerë 104,2 milionë lekë.
Kështu, AAPSK financoi projektin për rikonstruksionin e sallave të gjykimit dhe ambienteve të brendshme të GJKKO-së me një fond total prej rreth 72 milionë lekësh.
Financimi përfshiu rikonstruksionin e katër sallave të gjykimit, ambienteve të përbashkëta, si edhe investime për sigurinë dhe infrastrukturën e institucionit.
Në kuadër të këtij projekti u kryen edhe pagesa specifike për rikonstruksionin e zyrave të gjyqtarëve dhe kryesekretarisë, si edhe hartimin e projektit për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta në katet 0, 1, 2 dhe 3, me vlerë 27,2 milionë lekë, si edhe për blerjen dhe instalimin e disa pajisjeve për sigurinë dhe përmirësimin e infrastrukturës së ndërtesës me vlerë 5 milionë lekë.
GJKKO, theksoi se mbështetja financiare e ofruar gjatë vitit 2025 ka qenë “thelbësore për përmirësimin e kushteve të punës në gjykatë dhe për krijimin e ambienteve më të përshtatshme dhe më dinjitoze”.
Sipas gjykatës, kjo mbështetje ndihmoi drejtpërdrejt në krijimin e kushteve bashkëkohore të punës dhe sigurisë për një institucion ku trajtohen çështje me rëndësi të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Burimi ATSH



















