
Gonzato: Forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri, investimi më i sigurt për të ardhmen
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në fjalën e tij me rastin e Ditës së Europës, vuri theksin te vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar projekti europian, sfidat aktuale të sigurisë globale dhe rëndësia e procesit të zgjerimit të BE-së, ku Shqipëria mbetet një vend me rol të rëndësishëm.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në fjalën e tij me rastin e Ditës së Europës, vuri theksin te vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar projekti europian, sfidat aktuale të sigurisë globale dhe rëndësia e procesit të zgjerimit të BE-së, ku Shqipëria mbetet një vend me rol të rëndësishëm.
Duke iu referuar fjalimit historik të Robert Schuman, i cili hapi rrugën për integrimin europian dhe krijimin e Bashkimit Europian, ambasadori Gonzato theksoi se Europa është ndërtuar mbi tre parime themelore: liri, barazi dhe demokraci.
Sipas tij, këto vlera mbeten po aq aktuale sot, në një kohë kur bota përballet me konflikte në rritje, presione ekonomike dhe sfida të reja gjeopolitike.
“Ne duhet të mbrojmë këto vlera si brenda ashtu edhe jashtë kufijve tanë. Dita e Europës nuk është vetëm një kremtim i asaj që jemi, por edhe një angazhim për atë që bëjmë çdo ditë për të ndërtuar një botë më të drejtë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, u shpreh Gonzato.
Ai solli në vëmendje edhe deklaratat e përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, duke theksuar nevojën që Bashkimi Europian të qëndrojë i fortë në mbrojtjen e vlerave të tij, të së drejtës ndërkombëtare dhe të stabilitetit në fqinjësi, si dhe të forcojë partneritetet ndërkombëtare.
Ambasadori nënvizoi se paqja në Europë dhe ekuilibri global po përballen me sfida të mëdha, përfshirë luftërat, kërcënimet hibride dhe presionet ekonomike.
Ai theksoi se Bashkimi Europian po rrit kapacitetet e tij për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, përmes forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, luftës kundër dezinformimit dhe mbështetjes së rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Gonzato rikonfirmoi mbështetjen e plotë të BE-së për Ukrainën dhe popullin e saj. Ai bëri të ditur se ndihma e përgjithshme e Bashkimit Europian për Ukrainën arrin në rreth 200 miliardë euro, në formë financiare, ushtarake dhe humanitare. Gjithashtu, BE-ja ka miratuar edhe një hua prej 90 miliardë euro për të përballuar nevojat urgjente të vendit.
Sipas tij, paketa e 20-të e sanksioneve ndaj Rusisë është tashmë në fuqi, ndërsa po përgatiten masa të reja për të mbajtur presionin mbi ekonominë ruse.
“Rusia po dështon në objektivat e saj strategjike dhe po paguan një kosto gjithnjë e më të lartë për luftën e saj të paprovokuar dhe të padrejtë”, theksoi ai.
Ambasadori shtoi se qëndrimi i BE-së ndaj agresionit rus pasqyron angazhimin për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe lirisë së Ukrainës, duke nënvizuar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa një marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Në vijim, Gonzato u ndal te procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, të cilin e cilësoi si një nga instrumentet më të fuqishme për promovimin e demokracisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinent.
Ai theksoi se Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në BE, është pjesë e rëndësishme e arkitekturës së sigurisë europiane.
“Zgjerimi është një proces i bazuar në meritë dhe në përmbushjen e kritereve. Nuk ka rrugë të shkurtra dhe nuk ka shmangie nga standardet europiane”, u shpreh ai.
Gonzato nënvizoi se kapitujt themelorë të negociatave, shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, hapen të parët dhe mbyllen të fundit, duke i konsideruar si themel për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.
“Forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri është investimi më i sigurt për të ardhmen e vendit dhe të rajonit”, deklaroi ai, duke shtuar se procesi i reformave duhet të jetë i qëndrueshëm, cilësor dhe gjithëpërfshirës.
Sipas tij, integrimi europian është një projekt i të gjithë shoqërisë, ku rol kanë qeveria, opozita, shoqëria civile, biznesi dhe qytetarët. Ai theksoi rëndësinë e komunikimit me publikun për të rritur ndërgjegjësimin mbi reformat dhe përfitimet e integrimit në BE.
Në kuadër të Ditës së Europës, Gonzato prezantoi edhe aktivitetet e organizuara për “Javën e Europës 2026”, ku janë përzgjedhur 10 projekte artistike nga mbi 250 aplikime, pothuajse dyfishi i vitit të kaluar.
Këto projekte bashkojnë artistë të rinj dhe të afirmuar dhe trajtojnë tema si pabarazia, migrimi, shëndeti mendor, identiteti dhe strukturat shoqërore, përmes formave të ndryshme artistike si teatër, vallëzim, muzikë, ekspozita dhe instalacione ndërdisiplinore.
Nga 9 deri më 22 maj, “Java e Europës 2026” do të zhvillohet me mbi 55 aktivitete kulturore në gjashtë qytete të vendit: Tiranë, Shkodër, Korçë, Patos-Fier dhe Elbasan.
Ambasadori vlerësoi se këto iniciativa krijojnë hapësirë për liri artistike dhe nxisin dialogun shoqëror mbi çështje bashkëkohore, duke e cilësuar artin si një mjet të fuqishëm për reflektim, empati dhe angazhim qytetar.
Gonzato u shpreh krenar për përfaqësimin e Bashkimit Europian dhe rolin e tij në Shqipëri, duke uruar qytetarët për Ditën e Europës dhe duke ritheksuar angazhimin e BE-së për paqe, demokraci dhe vlera të përbashkëta europiane.
Marrë nga ATSH



















