580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Begaj: Bashkimi është forca përballë çdo kërcënimi

Presidenti Bajram Begaj e cilësoi Besëlidhjen e Lezhës si dëshmi e unitetit, guximit për liri dhe shembull të qëndresës


Presidenti Bajram Begaj e cilësoi Besëlidhjen e Lezhës si dëshmi e unitetit, guximit për liri dhe shembull të qëndresës në fjalën e mbajtur në ceremoninë e kremtimit të 580-vjetorit të kësaj ngjarjeje madhore historike në Lezhë.

“580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës shënon një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë mbarëkombëtare. 2 Marsi 1444 qëndron si dëshmi e unitetit, guximit dhe përkushtimit të shqiptarëve për liri e pavarësi. Nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut ne mbetëm të gdhendur në kronikat më të rëndësishme evropiane të kohës e shekujve më pas, si shembull i qëndresës dhe guximit për të gjithë Evropën”, u shpreh Presidenti Begaj.

Sipas Presidentit, bashkimi i shqiptarëve në Lezhë 580 vjet më parë mbetet një lajtmotiv evropian i qëndresës së përbashkët kundër çdo agresioni.

“Sot, faktori shqiptar në Ballkan vijon të luajë rol thelbësor në paqen dhe orientimin perëndimor të rajonit. Në kushtet e sotme gjeopolitike, ku sfidat dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të popujve, përfshi atyre të Ballkanit, dhe integritetit territorial evropian, janë aktuale, veçanërisht për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, Besëlidhja e Lezhës e roli i historik i shqiptarëve marrin një rëndësi të veçantë”, shtoi ai.

“Ato na kujtojnë se bashkimi dhe solidariteti janë thelbësorë për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe të lirisë. Ato na mësojnë se përballë sfidave nuk mund të qëndrojmë të ndarë, por vetëm të bashkuar”, u shpreh Presidenti Begaj.

Presidenti u ndal edhe tek historia e arbëreshëve dhe përpjekjeve të tyre për të ruajtur identitetin kombëtar.

“Arbëreshët, duke ruajtur gjuhën, zakonet dhe kulturën shqiptare, janë dëshmi e gjallë e bashkimit dhe forcës së identitetit shqiptar që mbijeton pavarësisht kufijve dhe kohës. Ata tregojnë se edhe larg dheut amë, zemra shqiptare rreh me të njëjtin ritëm të guximit dhe ndershmërisë, të krenarisë dhe respektit për tjetrin”, tha Begaj.

“Prania e tyre këtu sot, për të festuar së bashku, është simbolikë e një ure që lidh të kaluarën me të tashmen, duke i dhënë kuptim të ardhmes sonë. Akti i Besëlidhjes dhe shembulli i arbëreshëve na kujtojnë se bashkimi është forca që çdo ëndërr për liri dhe prosperitet e bën të mundur dhe të pashmangshme”, shtoi Presidenti.

“Ne kemi detyrë të mbajmë gjallë historinë tonë, ku Besëlidhja e Lezhës qëndron si kujtesë e dashurisë për lirinë dhe njëri-tjetrin”, u shpreh ai.

Begaj shfrytëzoi momentin për të theksuar në këtë ditë të shënuar të historisë shqiptare, rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe vijimit me bindje të rrugëtimit tonë drejt integrimit të plotë në BE.

“Padyshim që duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat shqiptarët përballen brenda vendit e kudo në rajon, por le të mos harrojmë se një ditë si kjo e sotmja provon aftësinë tonë për të adresuar çdo sfidë”, tha Begaj.

“Me orientimin tonë të palëkundur evropian, le të vijojmë të ndërtojmë mbi themelet e shëndosha të vendosura 580 vjet me parë, duke qenë gjithmonë të gatshëm të përqafojmë ndryshimet demokratike”, vijoi ai.

“580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës është një ftesë sa historike, aq dhe aktuale për të ripërsëritur përkushtimin tonë ndaj kombit shqiptar. Mbi të gjitha, le të përulemi me mirënjohje dhe të nderojmë sakrificat e atyre që para nesh u angazhuan për atdheun që ne gëzojmë sot e të ecim në rrugën që ata çelën: rrugën e lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit mbarëkombëtar”, përfundoi Presidenti Bajram Begaj.

Në aktivitetet e organizuara me rastin e 580-vjetorit të Kuvendit të Lezhës merr pjesë me ftesë të Presidentit Begaj edhe një delegacion i zgjeruar arbëresh.

Nga Lezha e Besëlidhjes, sërish bashkë ashtu si para 580-vitesh.

Nga Lezha e Besëlidhjes, sërish bashkë ashtu si para 580-vitesh.

Posted by Bajram Begaj on Saturday, March 2, 2024

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…

Global 360

CNN zbulon prapaskenën e tërheqjes së Biden

Vendimi përfundimtar i Presidentit Joe Biden për t’u larguar nga gara u mor në 48 orët e fundit

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Lamtumirë mjeshtër!

Tani më shumë se kurrë ka zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…