
Spiropali takon Krichbaum: Agjendë për ritëm edhe më të përshpejtuar të procesit të anëtarësimit
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim me ministrin e Shtetit për Evropën të Gjermanisë, Gunther Krichbaum, në Mynih, në kuadër të aktiviteteve të Konferencës së Sigurisë.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim me ministrin e Shtetit për Evropën të Gjermanisë, Gunther Krichbaum, në Mynih, në kuadër të aktiviteteve të Konferencës së Sigurisë.
Takimi u mbajt në ambientet e “House of Germany”, në Mynih, ku palët diskutuan mbi forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në funksion të procesit të integrimit europian.
Ministrja Spiropali theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme gjermane në avancimin e reformave strukturore, forcimin e institucioneve demokratike dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Gjatë bisedës, u nënvizua se vijimësia e procesit të zgjerimit përbën një investim të pazëvendësueshëm si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë Bashkimi Evropian.
Në këtë kuadër, u diskutua për një agjendë konkrete që synon përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përmbushjen e objektivit për mbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027.
“Folëm për një agjendë shumë konkrete për vijimësinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, me një ritëm edhe më të përshpejtuar. Mbështetja e Gjermanisë ka qenë dhe do të mbetet vendimtare në avancimin e reformave strukturore, forcimin e institucioneve demokratike dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, si edhe në jetësimin e objektivit tonë për mbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027”, deklaroi Spiropali.
Ajo theksoi përkushtimin e vendit ndaj reformave dhe transformimit institucional, si dëshmi konkrete e vullnetit për integrim.
“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi, çka e ka dëshmuar me vepra përmes reformave të guximshme dhe transformimit të vendit. Teksa besojmë në një proces të bazuar në meritë, që fitohet përmes punës dhe rezultateve, presim në të njëjtën kohë nga BE që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe i të gjithë rajonit të jetë i besueshëm, i parashikueshëm dhe në kohë, në të mirën e përbashkët për të ardhmen e mbarë kontinentit”, tha Spiropali.
Spiropali nënvizoi se partneriteti me Gjermaninë e forcon këtë perspektivë dhe e bën më të prekshëm objektivin e përbashkët: Shqipërinë anëtare të Unionit, dhe familjen europiane edhe më të fortë e më të sigurtë.
Marrë nga ATSH


















