
Ndryshimet në ligjin për librin, Komisioni i Kulturës dëgjesë me botuesit
Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u mbajt sot seanca dëgjimore me botuesit për diskutimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin për librin.

Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u mbajt sot seanca dëgjimore me botuesit për diskutimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin për librin.
Në seancën dëgjimore ishin të pranishëm drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, Petrit Ymeri, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, Bujar Hudhri, Arlinda Dudaj etj.
Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, ftoi botuesit të jepnin opinionet e tyre për ndryshimet ligjore të propozuara, por edhe sugjerimet për shtesa, problematika etj.
“Kemi marrë vendim dhe uroj ta respektojmë që për ligjin e librit të mos ketë ngarkesë politike në diskutim, por do të mundohemi që të shtojmë dhe akomodojmë të gjitha sugjerimet që do na vijnë”, u shpreh Zhupa.
Për ndryshimet në ligjin për librin janë parashikuar 4 seanca dëgjimore në këtë komision: me botuesit, përkthyesit, shkrimtarët dhe në fund librarët, për të kuptuar gjendjen reale të tregut të librit.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri tha se, ligji në fuqi nuk pasqyronte zhvillimet teknologjike, për librin digjital.
Ligji i propozuar ka si efekte të pritshme rritjen e nivelit të leximit, mbështetje më të qëndrueshme për autorët dhe botuesit, përmirësimi i aksesit në libra edhe për personat me aftësi të kufizuar, përputhje me praktikat evropiane etj.
Projektligji nuk krijon detyrime të reja të drejtpërdrejta financiare por bën një riorganizim të fondeve ekzistuese dhe parashikon përdorimin më efikas të fondit publik.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve, vlerësoi punën e bërë nga Ministria e Kulturës që Shqipëria u bë pjesë e rrjetit të Creative Europe, pasi janë me dhjetëra projektet e fituara që prej vitit 2014 nga botuesit shqiptarë.
Ymeri propozoi që në një të ardhme Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit që duhet të punojë në mënyrë të pavarur dhe të mos mbetet si gjymtyrë e ministrisë. Gjithashtu tha se në ministrinë e linjës mungon prej 12 vjetësh një institucion ekzekutiv i posaçëm për librin dhe bibliotekat.
Gjatë seancës dëgjimore botuesit propozuan detyrimin që Këshilli Kombëtar i Librit dhe Leximit të mblidhet të paktën një herë në vit, pasi ka 3-4 vjet që nuk mblidhet.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve kundërshtoi dorëzimin në Bibliotekën Kombëtare të 5 kopjeve të botimeve të reja, pasi sipas tij mjaftojnë vetëm 3 dhe BK mund t’i blejë nëse do i duhen kopje të tjera.
Botuesi Hudhri kërkoi rikthimin e ambienteve të Institutit Italian të Kulturës, Bibliotekës Kombëtare. Gjithashtu theksoi nevojën e pjesëmarrjes së Shqipërisë në panaire të rëndësishme të librit siç është ai i Frankurtit, dëmin që i ka ardhur librit nga TVSH si dhe ngriti problemin e mungesës së abetareve për fëmijët e familjeve shqiptare në emigracion.
Burimi ATSH



















