
Pirdeni: Pesë nisma ligjore për parandalimin e korrupsionit
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, prezantoi sot paketën me pesë nisma ligjore që synojnë forcimin e parandalimit të korrupsionit në institucionet publike dhe përtej tyre. Sipas Pirdenit nismat janë hartuar në bashkëpunim me partnerët evropianë dhe janë pjesë e një procesi konsultimi.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, prezantoi sot paketën me pesë nisma ligjore që synojnë forcimin e parandalimit të korrupsionit në institucionet publike dhe përtej tyre. Sipas Pirdenit nismat janë hartuar në bashkëpunim me partnerët evropianë dhe janë pjesë e një procesi konsultimi.
“Është një paketë prej 5 ligjesh që synon forcimin e kulturës së integritetit në administratën publike dhe jo vetëm në administratën publike, por përtej të gjithë institucioneve me natyre publike”, tha ajo.
Sipas Pirdenit, fokusi kryesor është tek forcimi i parandalimit të korrupsionit, përtej ndëshkimit të korrupsionit.
“Fokusi kryesor në këto pesë nisma ligjore është vendosja e disa themeleve të standardeve evropiane në legjislacionin shqiptar dhe në praktikën administrative shqiptare për të mundësuar që korrupsioni mos të ndodhë në praktikë. Nismat kanë qenë të konsultuar me partnerët tanë evropiane, janë një pjesë e tyre në proces konsultimi me të gjithë aktorët e shoqërisë civile. Këto 5 nisma 3 prej tyre janë iniciuar nga qeveria dhe 2 prej tyre nisma deputetësh”, tha Pirdeni.
Ligji i parë, i cili edhe është miratuar, është ai për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, i cili sipas ministers garanton mbrojtje ligjore për punonjësit e sektorit publik dhe privat që raportojnë shkelje. Sipas Pirdenit, masat janë linjëzuar me legjislacionin e BE-së.
“Ky ligj i jep mundësi çdo të punësuari që të raportojë çdo shkelje ligjore. Gjithashtu ky ligj parashikon mbrojtje të mirëfilltë ligjor nuk do të kenë vetëm sinjalizuesit pro edhe familjarë e tyre të afërm si dhe ortakët e tyre të biznesit. Gjithashtu parashikohen sanksione më të fuqizuara, për të garantuar se çdo lloj mase me natyre ose forme hakmarrëse ndaj çdo personi që tenton të raportojë një rast korrupsioni të adresohet në mënyrën e duhur ligjore”, tha Pirdeni.
Një tjetër projektligj, tha Pirdeni është ai për lobimin, i cili synon transparencë të plotë mbi kontaktet mes lobistëve dhe zyrtarëve publikë.
“Përveç këtij ligji ne për herë të parë kemi një legjislacion për lobimin. Qëllimi i këtij projektligji është pikërisht të garantohet se pari një transparencë e plotë mbi kontaktet midis lobistëve profesionalë nga njëra anë dhe zyrtarëve publikë nga ana tjetër. Për herë të parë parashikohet krijimi i një Regjistër Lobimi. Ne do të nisim shumë shpjet, brenda kësaj jave diskutimet në komisionet parlamentare për këtë ligj dhe do të kemi mundësi që ky ligj të miratohet brenda këtij muaji”, tha ajo.
Paketa përfshin gjithashtu edhe projektligjin për sponsorizimet dhe donacionet, i cili sipas ministers rregullon mënyrën dhe transparencën e dhënies së tyre.
“Krahas këtij projektligji një tjetër projektligj i rëndësishëm është projektligji për sponsorizimet dhe donacionet. Ligj i cili për herë të parë rregullon mënyrën dhe transparencën e dhënies së donacioneve. Adreson gjithashtu në mënyrë tërësore çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin tërësor të sposorizimeve si një aktivitet që synon të përforcojë, iniciativa me interes publik në fushën e mbrojtjes sociale, në fushën e drejtësisë sociale, në fushën e artit, kulturës, synon të mbështesë veprimtaritë me interes publik në fushën e transformimit digjital. Ky ligj parashikon që do të ketë një regjistër publik transparent të çdo sponsorizim dhe donacioni që bëhet ndaj institucioneve publike. Është një konsultim publik”, tha Pirdeni.
Dy nismat e tjera të cilat lidhen drejtpërdrejt me parandalimin e korrupsionit, shtoi Pirdeni janë në proces shqyrtimi duke filluar nga ligji për parandalimin e konfliktit të interesit.
Synimi kryesor i këtij projektligji sipas Pirdenit është që të garantojë dhe forcojë mekanizmat e parandalimit të konfliktit duke përcaktuar shumë qartë detyrimet që kanë subjektet deklaruese të pasurisë dhe subjektet jo deklaruese të pasurisë.
“Gjithashtu synon që të parashikoj shprehimisht ndalimin e pranimit të dhuratave, të pranimit të çdo lloj forme të përfitimit financiar. Të garantojë dhe të shmangë çdo lloj formë tjetër të ndërhyrjes në një proces vendimmarrës, ose në çfarëdo lloj procesi administrativ apo procedural, që një zyrtar publik mund të përfshihet gjatë detyrës së tij apo të saj”, tha ministrja.
Ndërkohë, projektligji për financimin e partive politike vjen në përgjigje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Pirdeni tha se projektligji po diskutohet në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, dhe ftoi palët politike ta përqafojnë këtë nismë.
“Nisma tjetër është diskutuar në komisione dhe prek në thelb një nga çështjet kryesore të ngritura nga OSBE-ODIHR, siç është financimi i partive politike. Ky ligj vjen në përgjigje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR sa i përket transparencës përpara dhe pas procesit zgjedhor, s ai përket çështjeve që kanë të bëjnë me mënyrën sesi mundet që procesi i financimit dhe transparencës mbi financimin e partive politike si një komponent shumë i rëndësishëm anti-korrupsion të trupëzohet si pjesë e legjislacionit kombëtar në fushën e zgjedhjeve në Republikën e Shqipërisë dhe në fushën e funksionimit të partive politike në tërësinë e tyre. Kjo nismë është në proces diskutimi dhe shpresojmë që forcat politike ta përqafojnë këtë nismë”, tha ajo.
Pirdeni u shpreh se “të gjitha këto nisma vijnë në një mjedis që e gjen Shqipërinë shumë më të përgatitur se më parë për të parandaluar korrupsionin”.
Burimi ATSH



















