
Shehu: 159 auditime dhe 13 kallëzime penale nga KLSH në vitin 2024
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, prezantoi sot në Kuvend raportin vjetor për veprimtarinë audituese të institucionit për vitin 2024.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, prezantoi sot në Kuvend raportin vjetor për veprimtarinë audituese të institucionit për vitin 2024.
Në fjalën e tij, Shehu tha se “KLSH ka realizuar gjithsej 159 auditime në institucionet publike, që përfshijnë auditime financiare, përputhshmërie, performance, të sistemeve IT, të kombinuara, tematike dhe verifikuese”.
“Sipas llojit të auditimeve janë kryer 45 auditime financiare, 43 përputhshmërie, 35 të kombinuara, 15 performance, 8 IT dhe 13 për zbatimin e rekomandimeve. Sa i takon fushëmbulimit në auditim këto misione janë kryer në 205 subjekte publike, përfshirë 97 të qeverisjes qendrore, 75 të vetëqeverisjes vendore, 13 institucione të pavarura dhe 20 shoqëri publike me shumicë shtetërore”, nënvizoi Shehu.
Kjo shtrirje institucionale dhe territoriale, vijoi Shehu, tregon përpjekjet e vazhdueshme të institucionit për të siguruar një mbulim të plotë dhe të balancuar.
Sipas tij, në përfundim të auditimeve janë dhënë 194 opinione dhe konkluzione, përfshirë 80 financiare, 78 përputhshmërie, 15 performance, 8 IT dhe 13 për zbatimin e rekomandimeve.
Shehu bëri të ditur se “në 29 raste është dhënë opinion i pamodifikuar, në 7 raste opinion i kundërt për shkak të shkeljeve materiale e të përhapura, ndërsa pjesa tjetër janë opinione të kualifikuara”.
Kreu i KLSH sqaroi se auditimet, janë shoqëruar me 4378 rekomandime, përfshirë 2594 masa organizative, 28 përmirësime ligjore, 1059 masa disiplinore e administrative, 184 masa me dëm ekonomik dhe 513 për adresimin e parregullsive me efekt financiar negativ.
Nga verifikimi i zbatimit të rekomandimeve të auditimeve të vitit 2023, Shehu tha se rezultoi se rreth 70% e tyre janë zbatuar plotësisht, pjesërisht ose janë në proces, ndërsa niveli i pranueshmërisë mbetet 99%.
Sipas tij, në bashkitë e audituara u konstatuan prona të paregjistruara, asete pa certifikata pronësie, mungesë harmonizimi të të dhënave kontabël me sistemin e Thesarit dhe shkelje të parimeve të kontabilitetit publik në regjistrimin e detyrimeve.
Auditimet e përputhshmërisë nxorën në pah mosrespektim të kuadrit ligjor në prokurime, menaxhimin buxhetor dhe raportimin fiskal.
KLSH, sipas Shehut, evidentoi shkelje në administrimin e kontratave koncesionare e PPP, me pagesa për shërbime të pakryera dhe angazhime pa fonde në vlerë 6,7 miliardë lekë, ndërsa detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve arritën në 30,9 miliardë lekë dhe stoku i detyrimeve të prapambetura në 8,1 miliardë lekë.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, vijoi Shehu, u konstatua stok borxhi doganor prej 47,6 miliardë lekësh, me rikuperim vetëm 1,2% gjatë vitit, dhe dobësi në kontrollin ndaj kontrabandës, çka solli opinion të kualifikuar.
Në Administratën Tatimore, shtoi ai, stoku i borxhit tatimor arriti në 155,2 miliardë lekë për mbi 181 mijë tatimpagues, me shtesë vjetore prej 40 miliardë lekësh dhe 2,35 miliardë jashtë sistemit elektronik.
Sipas Shehut, nga 2982 kontrolle të planifikuara, 109 nuk u realizuan, për shkak të mungesës së koordinimit mes strukturave përkatëse.
“Auditimet evidentuan gjithashtu parregullsi në prokurime publike, kufizim të konkurrencës, procedura me një operator të vetëm, vonesa në zbatimin e kontratave dhe pagesa për punime të papërfunduara”, deklaroi Shehu.
Në fushën e administrimit të burimeve njerëzore, vuri në dukje ai, u konstatuan largime të padrejta nga puna dhe vendimmarrje pa dokumentacion mbështetës, që kanë shkaktuar kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Gjatë vitit 2024, KLSH, tha Shehu, ka referuar 13 kallëzime penale dhe ka përcjellë 35 materiale të tjera informuese për çështje që kërkojnë hetim të mëtejshëm nga organet e drejtësisë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së PD-së, Ledina Alolli, se përse vazhdon pagesa për kontratat PPP të check up, sterilizimit dhe dializës, kur vetë KLSH ka evidentuar pagesa të tepërta për raste që nuk janë kryer, Shehu u përgjigj se KLSH ka kryer procedura auditimi për të cilat institucionet janë njohur dhe janë në dispozicion të Kuvendit të Shqipërisë në mënyrë periodike.
“Duke pasur parasysh kërkesën, e cila është drejtuar institucionit nga deputeti Braçe për një vëmendje të veçantë të këtyre kontratave dhe jo vetëm të kontratave në shëndetësi, por të koncesioneve në tërësi KLSH pas një analize të këtyre ditëve ka vendosur kryerjen e veprimeve institucionale në mënyrë të veçantë. Kërkesa e deputetit Braçe është vlerësuar jo vetëm me një rëndësi të veçantë, por me një emergjencë dhe për shkak të afateve në disa raste për të shfrytëzuar çdo lloj elementi kohor në mënyrë që institucionet të kryejnë detyrimin me përgjegjshmërinë dhe me efikasitetin maksimal”, u shpreh Shehu.
Kreu i KLSH-së garantoi se deputetët do të vihen në dijeni në mënyrë të menjëhershme.
Kreu i KLSH informoi gjithashtu se KLSH është në proces auditues për Bankers Petrolium për rrugën Thumanë- Kashar dhe anijet energjetike në Vlorë.
“Ky është detyrimi ynë që t’iu vëmë në dispozicion konkluzionet tona nëpërmjet raportit përfundimtar shtoj këtu që jemi të gatshëm dhe kjo është e padiskutueshme, çdo moment të investohemi në mënyrë maksimale për ato raste që ju vlerësoni që janë me impakt të lartë”, përfundoi Shehu.
Burimi ATSH


















